Koalicioni opozitar: Nuk ka zgjedhje me Ramën

Partia Demokratike bashkë me aleatët e saj, është e vendosur të mos regjistrohet pranë KQZ-së si subjekt garues për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit pa u plotësuar kërkesa për qeveri teknike. Vendimi u mor një ditë më parë në mbledhjen e koalicionit opozitar, ndërsa Partia Agrare Ambientaliste do të kërkojë çregjistrimin e saj nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në kushtet kur kryeministri Edi Rama, nuk e konsideron dhe nuk dorëhiqet për t’i hapur rrugë  një qeverie teknike, opozita është futur në rrugën drejt bojkotit të zgjedhjeve të 18 qershorit. Vendimi  u mor të mërkurën në tryezën e koalicionit opozitar, ndërsa aleatët e Bashës janë të bindur për të qëndruar deri në fund. “Nuk ka kuptim të regjistrohem në këtë lloj farse elektorale. Sigurisht që situata po radikalizohet. Deri tani nuk ka ardhur ndonjë përgjigje pozitive. Gjykoj që edhe ne kemi marrë vendimin e duhur, u kemi thënë qytetarëve shqiptarë që kjo nuk është lojë, nuk ka asnjë lloj hipokrizie. Ju nuk plotësoni kushtet, ne prandaj më mirë do të rrimë jashtë kësaj parodie zgjedhore, sepse nuk ka kuptim. Maqedonia ndenji 1 vit e ca me qeveri teknike për të krijuar një minimum kushtesh për t’u votuar”, u shpreh Shehi. Partia Agarare Ambientaliste është regjistruar disa ditë më parë në Komisionin  Qendror të Zgjedhjeve si subjekt garues, por kryetari Agron Duka, tha se do t’i drejtohet zyrtarisht me kërkesë institucionit që menaxhon zgjedhjet për t’u çregjistruar. Në një prononcim për mediat, Duka tha se kishte firmosur shkresë për çregjistrimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit. “Takimi i koalicionit u bë për rrugën që kemi nisur dhe që duam ta çojmë deri në fund. Nuk do të hyjmë në zgjedhje pa qeveri teknike”, u shpreh Duka.   “PAA ka firmosur shkresën për tërheqje nga regjistrimi që ka bërë në KQZ”, tha Duka. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha se opozita nuk hyn në zgjedhje me një qeveri që ka përgatitur manipulimin e tyre. “Ne nuk hyjmë në zgjedhje të manipuluara me një qeverisje të tillë që nuk respekton votën e qytetarëve shqiptarë. Ne kërkojmë një qeverisje të vullnetit të mirë, një qeveri teknike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pyetja që duhet shtruar është kjo? A do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme apo do të vazhdojmë të kemi zgjedhje të manipuluara, ku dominojnë korrupsioni dhe krimi”, u shpreh media. Në bazë të Kodit Zgjedhor, 10 prilli është afati i fundit kur subjektet politike mund të regjistrohen pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të garuar në zgjedhjet e 18 qershorit.

OSBE duhet të mbështesë kauzën për zgjedhje të lira

Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, priti në një takim në selinë e PDK-së delegacionin e misionit të ODHIR-it në Tiranë. Gjatë takimit tema kryesore e bisedës ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Demokristiani Ndoka theksoi se, një nga shkaktarët për situatën e krizës politike në Shqipëri dhe mos realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është vetë misioni i OSBE-së në vendin tonë. Sipas tij, misioni OSBE-ODIHR u përdor nga kryeministri, si alibi për ‘mungesën e kohës’ së mjaftueshme për implementimin e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhje. Ndoka theksoi se, deklarata e ambasadorit të OSBE në media për rrezikun e manipulimit të zgjedhjeve dhe përdorimi i lekëve të drogës dhe përgënjeshtrimi i këtij fakti nga vetë ambasadori, papërgjegjshmëri dhe trysni diplomatike! Më tej, Ndoka shtoi se OSBE-ODIHR, duhet të shprehen qartë, në lidhje me kërkesën e opozitës, në lidhje me standardet dhe konsensusin e munguar për zgjedhjet, në të kundërt roli dhe misioni i tyre është i dështuar dhe provakativ.

Mediu me OSBE: Rama të largohet, t’i hapet rruga qeverisë teknike

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, priti në një takim delegacionin e misionit të OSBE-ODIHR, ardhur në Tiranë për të raportuar për zgjedhjet e qershorit 2017. Gjatë këtij takimi që kryesohej nga Richard Lappin, zëvendëskryetar i Departamentit të Zgjedhjeve,  Mediu bëri një panoramë të zgjeruar të situatës parazgjedhure, duke e cilësuar atë si mjaft të rëndë. Mediu, i njohu të pranishmit me kërkesat e ripërsëritura të opozitës në përgjithësi, por edhe të Partisë Republikane në veçanti, për një Reformë Zgjedhore që të garantojë votën e qytetarëve, kërkesa këto të hershme, por që mazhoranca qeverisëse i ka bërë bllok me kohë. Gjithashtu Mediu, duke bërë një analizë të kushteve në të cilat ndodhet Shqipëria, me një korrupsion të lartë në të gjitha nivelet shtetërore, me një kanabizim të tejskajshëm në të gjithë vendin, me banda që janë fuqizuar së tepërmi nga trafiku i drogës, me kriminelë që lirohen në prag të zgjedhjeve, me zgjedhje lokale tërësisht të manipuluara dhe të blera, theksoi se nuk ka asnjë dyshim për opozitën që zgjedhjet e 2017 do të jenë një farsë. Një tjetër shqetësim gjithnjë e në rritje për opozitën, u shpreh Mediu, është edhe institucioni i KQZ-së. “Në disa raste KQZ, nëpërmjet veprimtarisë së saj, ka ndërmarrë veprime në kundërshti me Kodin Zgjedhor. Në këto kushte, KQZ, specifikisht shumica e anëtarëve të saj, që përfaqësojnë mazhorancën, është pozicionuar qartësisht në përputhje me interesat politike të mazhorancës. Këto rrethana kanë dëmtuar rëndë besimin në këtë institucion, si një institucion që nuk mund të garantojë zgjedhje  të lira dhe të ndershme. KQZ shpeshherë ka marrë vendime vetëm me 4 vota të këtyre anëtarëve, ndërkohë që Kodi Zgjedhor, e përcakton qartazi që për këto vendime duhet dakortësi me 5 vota”. Duke iu përgjigjur interesimit të delegacionit të OSBE-ODIHR, në lidhje me vazhdimësinë e protestës së opozitës, Mediu tha se opozita e bashkuar, ka vetëm një kërkesë të qartë: Zgjedhje të lira dhe të ndershme, me anë të një Reforme Zgjedhore të dakortësuar nga të gjitha palët, si dhe nën kujdesin e një qeverie teknike, që të ketë besimin e të gjithëve dhe të garantojë një proces të saktë për votën e lirë të qytetarëve shqiptarë. Pikërisht për këto arsye, u shpreh Mediu, ne kërkojmë largimin e Ramës nga qeveria dhe hapjen rrugë të një qeverie teknike, të pranuar nga të gjithë faktorët. Në përfundim të këtij takimi, zoti Lappin, duke e falendëruar Mediun për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, e siguroi atë se të gjitha shqetësimet e Partisë Republikane për procesin zgjedhor, do të raportohen pranë institucioneve përkatëse në BE, si dhe ndërkohë vazhdon të jetë në pritje të argumenteve të tjerë që kontestojnë procesin zgjedhor.

Shehi: Përshkallëzim i protestës nëse qeveria nuk reagon

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi deklaron se, protesta e opozitës do të përshkallëzohet për sa kohë mazhoranca nuk ka dhënë asnjë sinjal pozitiv. Ai deklaroi se, opozita me protestat e saj paqësore, opozita ka themeluar një lloj gandizmi shqiptar dhe synimi është që shoqëria të ndërgjegjësohet nga kriminalizimi i shtetit. “Kush e ka quajtur lojë, kjo i vë kapak se opozita pa marrë të drejtat e veta mbi votën e lirë, nuk hyn në zgjedhje. Kush ka menduar se, kjo është një lodër për të marrë diçka nga tavolina e negociatave, në fakt ne duam një paketë garancie, siç kemi kërkuar votimin ose numërimin elektronik, ose një qeveri teknike apo kujdestare që të bëhet garant për zgjedhje të lira dhe sigurisht edhe për bllokimin e parave të drogës, për zbatimin e Vettingut të famshëm. Pjesa tjetër është refraktare. Nuk kemi asnjë sinjal pozitiv. Do të përshkallëzojmë protestën që nis nga mos regjistrimi dhe duke djegur afatet ligjore dhe duke zgjeruar protestat në të gjithë vendin. Këto janë armët që i mbeten opozitës. Opozita nuk është regjistruar dhe kush është regjistruar në KQZ do të çregjistrohet. Të qëndruarit bashkë është arma e vetëmbrojtjes. Nuk kemi rrugë tjetër që na kanë lënë. Jemi tre muaj përpara zgjedhjeve, në qoftë se do të bëhen zgjedhje. Kemi bërë rezistencë të gjatë shumë paqësore. Në një farë mënyre, kemi themeluar një lloj gandizmi shqiptar dhe këtë do ta shtrimë në të gjithë hapësirën shqiptare për të ndërgjegjësuar njerëzit se si po kriminalizohet shteti. Kjo mazhorancë në vend se të reagojë për kriminalizimin e shoqërisë, e ka bërë armë, mjet lufte, e ka bërë skudin e vet politik kriminalizimin e shoqërisë, drogën, horrat që hyjnë dhe dalin në Parlament. Ky është shërbim i madh jo vetëm për të zgjeruar ca vota, por për institucionet shqiptare në qoftë se jemi shoqëri që duam t’i afrohemi Evropës, në qoftë se duam t’i afrohemi Amerikës Latine, republikave të bananeve, kjo është gjë tjetër”, thekson Shehi. Ai thekson se po të ishte për të personalisht, Vettingu duhet të miratohet një orë e më parë, mazhoranca sipas tij, të gjitha dështimet e veta ia faturon drejtësisë. Shehi tha se ka 4 vite që qeveria e shtyn me përrallën e Vettingut dhe të borxhit. Ai tha gjithashtu se, Shqipëria në 3 muajt e fundit para zgjedhjeve duhet të krijohet një qeveri teknike, derisa të krijohet besimi tek shqiptarët se zgjedhjet nuk vidhen. Shehi: Nuk bëhet Lungomare e ka fajin drejtësia, vdesin gratë në spital e ka fajin drejtësia, grabiten bankat, e ka fajin drejtësia. Po të ishte për mendimin tim personal, duhet të mbyllet që nesër. I kam thënë zt.Basha hajde ta mbyllim këtë dava. Të vetmit që duhet të shqetësohen nga Vettingu janë këta horra që qeverisin sot.

Exit mobile version