Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe partitë aleate të Koalicionit Opozitar u mblodhën dje pasdite në një takim ku u rikonfirmua qëndrimi se e vetmja zgjidhje për daljen e vendit nga kriza është krijimi i një qeverie teknike me një mandat të qartë prej katër pikash, të cilat do të garantonin organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Përmes një deklarate për mediat, koalicioni shprehet i gatshëm për të nisur dialogut politik me të gjitha palët për të diskutuar mbi krijimin e qeverisë teknike, ndërsa veçon katër detyra të rëndësishme që duhet të udhëheqin mandatin e kësaj qeverie. Në kushtet kur zgjedhjet e lira janë të kërcënuara nga narkotrafiku dhe krimi i organizuar, Koalicioni Opozitar thekson se mandati i qeverisë teknike duhet të sigurojë zbatimin e ligjit për dekriminalizimin, luftën kundër narkotrafikut dhe krimit të organizuar, përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe zbatimin e reformës në drejtësi sipas variantit kushtetues të miratuar më 22 korrik të vitit të kaluar. “Koalicioni Opozitar shpreh gatishmërinë e plotë për të punuar me të gjitha forcat politike pa asnjë paragjykim, për krijimin e qeverisë teknike, duke i dhënë asaj një mandat të fortë për: 1- Zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit. 2- Luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës. 3- Përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. 4- Zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut. Kjo është e vetmja garanci për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme ku shqiptarët të votojnë lirisht, të zgjedhin lirisht dhe vota e tyre të mos tjetërsohet”, thuhet në reagimin e Koalicionit Opozitar. Gjithashtu opozita i bën thirrje Ramës që të heqë dorë nga përpjekjet për të bllokuar mundësitë e nisjes së dialogut për zgjidhjen e krizës duke vendosur kushte të qëllimta në mbrojtje të pushtetit të tij. “Koalicioni opozitar konfirmon se rruga e vetme e daljes nga kriza është krijimi i qeverisë teknike, me mbështetje të gjerë politike, që do të punojë për të realizuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. Duke përshëndetur hapin e hedhur mbrëmë nga LSI për t’u bërë pjesë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike në vend, Koalicioni Opozitar rikonfirmon gatishmërinë për nisjen e dialogut politik për qeverinë teknike dhe fton Edi Ramën të heqë dorë nga kushtet dhe të vendosë interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë para interesave personale të pushtetit të tij”, thuhet në reagimin e shpërndarë për mediat pas takimit të Koalicionit Opozitar në selinë e Partisë Demokratike.
Reagimi i aleatëve
Aleatët e Koalicionit Opozitar e kanë cilësuar qëndrimin e kreut të LSI mbi moszhvillimin e zgjedhjeve pa opozitën, si dhe angazhimin e palëve në krijimin e një qeverie besimi si vërtetimin e kauzës së drejtë të ngritur nga opozita. Kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste dhe një nga aleatët kryesore të opozitës, Agron Duka, ka përshëndetur qëndrimin e LSI, e cila deklarohet se nuk ka zgjedhje pa opozitën. Sipas Dukës, kjo deklaratë vërteton atë që opozita dhe PAA ka thënë vazhdimisht, edhe nëpërmjet një letre drejtuar nga forca politike që ai drejton Ilir Metës, më datën 20 shkurt 2017. “Z. Meta, vërtetoi edhe një herë, se qëndrimet që ne si opozitë e bashkuar kemi mbajtur këto 46 ditë, për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe garantimin e kushteve, mospërfshirjen e administratës në fushatë, për financimin kriminal dhe të paligjshëm të zgjedhjeve, heqjen dorë nga qëndrimet përjashtuese, intensifikimin e luftës kundër kanabisit etj., janë të drejta dhe realiste”, deklaron kreu i PAA.
A.Shahini