Kodi Zgjedhor, Andoni: Goditjen më të madhe e mori demokracia. PS duhet të ‘lëshonte’, opozita nuk u imponua

Gazetari Ben Andoni tha përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve të MCN Tv se edhe një herë tjetër, me dakordësinë për Kodin e ri Zgjedhor, PD-ja dhe PS-ja treguan që publiku nuk mund të presë asgjë më shumë se interesat e dy kryetarëve të partisë.

Sipas Andonit, goditjet më të madh këtë herë e ka marrë demokracia, duke shtuar se deklaratat e Oerd Bylykbashit për “imponim” nuk qëndrojnë.

“Është një lloj cinizmi i pastër ku PS-ja dhe PD-ja na treguan që publiku nuk mund të presë më shumë mbi interesat e tyre. Dhe interesat e tyre janë që kryetarët janë të plotfuqishëm në vendin tonë. Pjesa më e madhe e deputetëve do të jenë sipas renditjes, ndërsa pjesa tjetër duhet të kalojë një prag shumë të madh në mënyrë që të jetë në parlament.

Ajo që pritej qoftë nga komisioni i Reformës Zgjedhore i cili u vonua pa fund , që nuk adresoi mirë ato detyra që i la OSBE/ ODIHR do të jetë një ‘deja vu’ i asaj që kemi parë 4 vite më parë. Goditjen më të madhe e ka marrë demokracia dhe më vjen keq që jemi të pafuqishëm për të ndryshuar gjëra. Do duhet të kishte pak idealizëm nga dy forcat kryesore.

Nuk besoj se është imponuar. Formulat zgjedhore janë formula që të dyja partitë i bëjnë që të makimalizojnë votat e tyre dhe vendet në parlament. Ka atë pjesën morale, që qoftë Gjiknuri e Bylkbashki nuk e thonë, është pjesa morale që të lidh me një kod zgjedhor që duhet të të dëmtojë pak. Të lëshosh pak, për hir të demokracisë. Duhet t’i takonte PS të lëshonte pak më shumë se kanë 3 mandate. Gjëja që thotë Bylykbashi, unë e vlerësoj nuk është se e justifikon atë që Bylykbashi e di shumë mirë që nuk del dot mbi peshën e Berishës.

Interesi është mirëfilli për të bërë politika të caktuara të duhet një detashment deputetësh që të jenë afër teje. Rrallë herë sheh nga ana e PS që të kemi individë që të bëjnë oponencë të ligjeve në parlament. Ashtu si nga pjesa e PD nuk sheh të ketë një veprim që del mbi një vendimmarrje që nuk është normale.”

Më tej Andoni tha se zgjedhjet në vendin tonë janë gati të paravendosura.

“Shoh problematika të mëdha të opozitës së vendit. Është një problematikë që ata akoma nuk e besojnë vetë që edhe atyre u takon të drejtojnë vendit.

Unë përmend dhe shqetësimin tjetër, zgjedhjet tek ne lënë shumë për të dëshiruar, për të mos thënë që zgjedhjet tek ne, ne do i marrim vesh zgjedhjet dy muaj para se kush do i fitojë. Gjërat janë gati të paravendosura në vendin tonë. Kemi votime, por jo zgjedhje.”

Exit mobile version