Kodi Zgjedhor-i vdekuri i pakallur!

Nga Azgan Haklaj

Sistemi zgjedhor në vendin tonë të paktën që nga marrveshja famëkeqe Berisha-Rama e vitit 2008 është bërë preja e herëpasherëshme e politikës së pandershme.
Asokohe Berisha i bleu Ramës heshtjen për masakren e Gerdecit me ledhatimin prej tij në kulmin e zisë.
Kjo e fundit që mbyll përfundimisht listat dhe herësin ishte prape një qokë për Ramën që me dinakëri ndikoi në rrëmbimin nga Berisha të simboleve dhe emrit të Partisë Demokratike.
Pseudo ekspertiza Gjiknuri-Bylykbashi në fakt ishte vetëm fasadë formale pasi marrveshësit e vertetë të ujdisë janë Rama-Berisha!
Sipas informacioneve të besueshme kjo marrveshje ka dhe një aneks konspirativ që përkthehet në një tjetër ujdi mes tyre post-zgjedhore për dokonstituimin dhe shkrirjen e prokurorisë dhe gjykatave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Opozita e vertetë e këtij vendi e rreshtuar kundër veprimeve arbitrare të këtij establishmenti jo vetëm e ka kontestuar këtë amalgamë elektorale e cila limiton mendimin dhe rreshtimin politik divers dhe atrofizon principet demokratike por po adapton mënyra paralele për t’u paraqitur në zgjedhje me lista të hapura.
Mjafton ky fakt i papajtueshmërisë dhe revoltës së këtij spektri të konsiderueshëm politik për të konstatuar renien e vetë sistemit zgjedhor.
Dyshja autokrate Rama -Berisha me arrogancë e ujdi kartonash tashmë mendojnë të ruajnë edhe me tutje sundimin në duet pa korin e madh të forcave të reja politike të cilat aspirojnë të bëhen pjesë e jetës parlamentare shqiptare.
Eshte paradoks i madh dhe i padëgjuar në asnjë një vend qoftë dhe demokraci të re apo hibride që forca politike me të njëjtin status juridik të konkurojnë në zgjedhje në dy mënyra diametralisht të kundërta.
Autokracia politike PS-PD me lista të mbyllura ndërsa forca të tjera opozitare me lista të hapura..!Ky nuk është vetëm një sistem i vdekur që me lindjen e tij por dhe qesharak që shkel e injoron ç”do normë elementare të konkurimit të ndershëm e demokratik.
Halli i madh i listave të mbyllura dhe i pazarit PS-PD nuk është veç limitimi i mundësive të forcave të reja politike për tu përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë por krijimi në kampet e tyre të bunkerëve të cilët mendojnë ti japin edhe më tutje imunitet krimit e korrupsionit.
Por me gjithë veshtirësitë që në aparencë duken të pakalueshme jam i sigurt se 11 maji do të jetë surpriza me e pakëndëshme për ta në 34 vite.
Popujt e lirë e me kurajo kanë përmbysur perandori e mbretëri despotike e jo me një kastë të diskretituar të pa moral dhe të korruptuar.

Exit mobile version