Do të qëndrojë apo jo Luis Enrique te Barcelona? Fakti që trajneri asturian nuk po rinovon kontratën me drejtuesit katalanas të bën të mendosh, që ndoshta ky mund të jetë sezoni i fundit i Luchos në krye të Barcës. Mediat kanë nisur të aludojnë, madje së fundmi kanë dalë zëra se mund të jetë Ronald Koeman zëvendësuesi i Luis Enriques te Barcelona. Holandezi, i cili ka një të shkuar si futbollist te Barcelona, pasi ka luajtur për disa sezone me skuadrën blaugrana, aktualisht është në drejtimin e Evertonit dhe po bën mirë me skuadrën nga Liverpooli.
Media të ndryshme shkruajnë se në ditët e fundit ka patur disa kontakte mes drejtuesve të klubit katalanas dhe trajnerit holandez, ku është diskuatuar mbi mundësitë që ka Koeman për t’u ulur në stolin e Barcës. Koeman edhe pse luante si mbrojtës ose mesfushor shkatërrues ka arritur të realizojë plot 193 gola me Barcelonën, madje me finalizimin e tij ndaj Sampdorias në 1992-in holandezi i hapi rrugën suksesit të parë të Barcelonës në Ligën e Kampioneve. Koeman e njeh mirë ambientin blaugrana dhe falë eksperiencës që ka fituar në drejtimin e Southamptonit dhe Evertonit mund të jetë një pasues i denjë për Luis Enriquen, kështu që Josep Maria Bartomeu, presidenti i Barcës ka nisur të mendojë seriozisht për holandezin.