Kandidati për deputet i PD Roland Bejko, ka zhvilluar një takim me punonjëset e biznesit prodhues të veshjeve në qytetin e Gjirokastrës. Bejko, u ka spjeguar pjesë të programit ekonomik të PD, i cili ka në qendër mirëqënien e qytetarit dhe uljen e taksave për biznesin me qëllim, rritjen ekonomike e familjare. Bejko ka premtuar rritje të pagës minimale të kësaj shtrese punonjësish në masën 30 mijë lekë të rinj brenda mandatit të parë 4-vjeçar të qeverisjes së PD, rritjen e asistencës ekonomike të barazvlefshme me pagën minimale me qëllim përballimin jetik të nevojave.
“Ne propozojmë vendosjen e taksës së sheshtë 9% dhe po kaq edhe tatimin mbi fitimin dhe të ardhurat e tjera. Një pikë tjetër e programit tonë, është trajtimi i çdo nxënësi i sistemit 9-vjeçar, me ushqim falas, si dhe përmirësim të kushteve didaktike dhe infrastrukturore. Nëse do të thoni sesi do të arrihen këto, unë po ju them se kjo është e thjeshtë, zhdukja e koncesioneve, e korrupsionit qeveritar dhe kjo është e mundur plotësisht vetëm, nëse votohet PD më 25 qershor. Përmirësimi i klimës së biznesit të vogël të mesëm e të madh është një prej pikave të programit ekonomik të PD në qeverinë e pas 25 qershorit, u shpreh Bejko, pasi ne e shikojmë biznesin si partner dhe jo si viktima të gjobave klienteliste.
Koha e gjobave ndaj biznesit do të marrë fund me informatizimin e sistemit të regjistrimit të tyre ku tatimori, mos të afrohet në pronën e tyre nëse sipërmarrësi, është i rregullt me detyrimet tatimore”, u shpreh Bejko.
Kandidatët për deputetë të PD në Qarkun e Gjirokastrës, Roland Bejko dhe Fatjona Dhimitri kanë takuar punonjëset e prodhimit të fasonëve në Përmet. Bejko ka premtuar rritje të pagës minimale të kësaj shtrese punonjësish në masës 30 mijë lekë të rinj brenda mandatit të parë 4- vjeçar të qeverisjes së PD. “Partia Demokratike propozon vendosjen e taksës së sheshtë 9%, vendosjen e taksës 9% edhe për tatimin mbi fitimin dhe të ardhurat e tjera. Në qeverisjen e PD ne zotohemi 0 taksim mbi dividentin dhe uljen e TVSH-së në 15%. Ne besojmë tek ekonomia e fortë, se liria juaj krijon një të ardhme të sigurtë”, u shpreh Bejko.
Bejko u premtoi lehtësira pronarëve të linjave të prodhimit të veshjeve me uljen e taksave dhe të TVSH, që janë bazë për rritjen ekonomike të vendit, të ekonomive tuaja familjare, iu është drejtuar Bejko punonjëseve të biznesit prodhues fason në Përmet. Sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare, u shpreh zoti Bejko, arsyet që e rendisin Shqipërinë si një vend të padëshiruar për bizneset lidhet me taksa të larta, korrupsion galopant, konkurencë të pandershme dhe çmim të lartë të energjisë elektrike. Bejko u ndal edhe tek punësimet e LSI në spitalet e Qarkut të Gjirokastrës, ku një rrogë ndahet në katër pjesë për hir të votave në favor të këtij subjekti politik.
Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule përcjell mesazhe konkrete bashkëpunimi në terren mes partisë së tij dhe partive opozitare për fitoren e zgjedhjeve të 25 qershorit. Pas një takimi që ka zhvilluar një ditë më parë me kryesuesin e listës së kandidatëve të PD në Qarkun e Gjirokastrës, Tritan Shehun dhe kandidatin tjetër nga zona minoritare Kosta Barka, Dule është shprehur optimist në fitoren e opozitës në zgjedhjet e 25 qershorit. Dule beson në përmbysje të rezultatit të 2013, ndërkohë që objktivi madhor është fitore e opozitës së bashkuar në Qarkun e Gjirokastrës çka është e mundur pas sinjaleve të para.