Koha për një marrëdhënie të ndershme me publikun

Nga Agim Baçi

Shkrimtari amerikan Ralpf Keyes paralajmëronte kohë më parë, në librin e tij “The post-truth Era”, se koha e komunikimit emocional krijon realitetin ku askujt nuk i kërkohet llogari për pandershmërinë e tij me publikun. Madje, sipas tij, nuk ka më asnjë përpjekje për të ndarë të vërtetën nga gënjeshtra apo të ndershmen nga e pandershmja.
Për të vërtetuar alarmin e Keyes, mjafton të veçojmë faktin se, ndershmëria prej kohësh nuk shihet si një përparësi nga kandidatët që zgjedhim në politikë, ndërsa përballja përmes ideve ka kohë që nuk rezulton vendimtare për asnjë kandidat politik.
P.sh kryeministri Rama që pas ardhjes në pushtet zgjedh të debatojë çdo ditë në rrjetet sociale me komentuesit e tij, apo të hedhë për debat sondazhe qeveritare, duke synuar të ndërtojë një komunikim emocional. Një komunikim i tillë krijon idenë në publik se vendimet merren bazuar në atë çfarë shprehin qytetarët. Në fakt, jo vetëm kryeministri ynë, por shumë prej liderëve të sotëm, synojnë që lidhjen me publikun ta shohin jo përmes fakteve as përmes të vërtetave, por përmes joshjes, emocionit dhe frikës.
Sociologu i njohur francez, Pierre Bourdieu, shprehet se ky lloj komunikimi i politikës së sotme synon një gjë dhe vetëm një gjë- që qytetarëve t’ua zëvendësojë zemërimin me shpërfilljen. Dhe kur nis të mbretërojë shpërfillja ndaj gënjeshtrës, ndaj të pandershmes, atëherë rinis një fazë e re bashkëpunimi mes politikës dhe qytetarëve- kjo është faza e bashkëpunimit emocional. Në zemër të komunikimit emocional, e vërteta nuk vlen më, pasi arti i vetëm është frika dhe teoritë konspirative. Pas kësaj panorame ndërtuar mbi joshje, emocione dhe frikë, lehtësisht mbretëron vetëm stili paranojak ndaj humbjes, një stili ky që jep ndjesinë te qytetari se je jashtë realitetit në nuk ndjek modën.
Po pse ky komunikim emocional, larg të vërtetave, arrin të jetë kaq dominues në shoqëritë e sotme?
Duhet të pohojmë se aftësia për të krijuar empati ka qenë e përhershme mes njerëzve të politikës dhe kjo aftësi ka dominuar ata që kanë konkurruar dhe fituar pushtetin. Por, barrierat që kjo empati mos të mbështetej në gënjeshtra apo gjysmë të vërteta, kanë qenë “katedralja”, “minarja”, respekti për dijen dhe vlerësimi i ndershmërisë. Por këto barriera morale komunikimi i sotëm i ka shporrur nga ligjërimi i përditshëm, i ka shporrur nga podiumi i gjykimit mbi të zgjedhurit. Në vend të një të vërtete përmes gjykimit racional ne kemi vetëm një debatim pëlqimi apo mospëlqimi, i cili nuk kalon nga nevoja e një ballafaqimi faktesh, por nga një dominim i një kulle të lartë zënkash e ndërveprimesh emocionale individësh. Hierarkia e dijes dhe autoritetit është rrënuar nga shpërfillja për të vërtetën, e për pasojë, ka lulëzuar korruptimi ynë moral- një korruptim që i hap udhë mungesës së llogaridhënies nga të zgjedhurit, të cilët nuk kanë më presionin e veprimit përmes ligjit, pasi dallojnë dëshirën e një shumice për të fituar përmes pushtetit. Pra, ne kthehemi në pasqyrën ku ata shohin veten.
Një rol jo të vogël në këtë korruptim moral të shoqërisë luajnë ata që, profesori i Universitetit të Kolumbias, Tim Wu, i quan “tregtarë të vëmendjes”. Ata janë krijuesit e lajmeve të rreme, i gënjeshtrave që shkaktojnë reagim të fortë emocional dhe i spektaklit. Nën pushtetin e këtyre “tregtarëve” ne do të kemi gjithnjë e më të vështirë të kthejmë sytë nga gjykimi moral, pasi zemërimi ynë do të jetë gjithnjë e me më pak zë. Dhe pa gjetur rrugën që zemërimi ndaj vjedhjeve, ndaj mashtrimit, ndaj gënjeshtrës të jetë shqetësim publik, atëherë ne do jemi nën ritmin e një jete paranojake, që shtrihet mbi qëndrime emocionale dhe vishet nën petkun e frikës së përditshme, duke i dërguar pyetjet morale sa më në periferi të ekzistencës sonë. Por nëse ne nuk kemi pyetje mbi bazë morale, si mund të pretendojmë të kemi përgjigje mbi shina morale?

Artikulli paraprakFevziu, Konomi, Fuga, Bido, Lapardhaja… në garë për Çmimin “Lumo Skëndo”
Artikulli tjetërAty ku të gjithë majmen nga varfëria e popullit!