“Koha për t’u dhënë shqiptarëve një Kod Zgjedhor pa hile”, Basha falënderon ndërkombëtarët: Komisioni pritet të nisë punë shumë shpejt

Lulzim Basha ka falenderuar partnerët strategjikë të Shqipërisë, SHBA, BE dhe Britani për mbështetjen në procesin e reformës zgjedhore.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha u shpreh se falë kësaj mbështetje, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Komisioni për Reformën Zgjedhore pritet të nisë punën së shpejti.

Deklarata:

Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë përsëris mirënjohjen time për mbështetjen që partnerët strategjikë të Shqipërisë, SHBA, BE dhe MB si edhe OSBE-ODIHR i japin procesit të reformës zgjedhore në Shqipëri. Falë edhe kësaj mbështetje, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Komisioni për Reformën Zgjedhore pritet të nisë punën së shpejti. Listat e hapura, barazia e votës, vota e diasporës dhe votimi dhe numërimi elektronik janë prioritetet e Partisë Demokratike të mishëruara në paketën e propozimeve ligjore të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë. Koha për t’ju dhënë shqiptarëve një Kod Zgjedhor pa hile dhe pengesa për lirinë dhe barazinë e votës!

Exit mobile version