Koka: Policia e Tahirit, rrezik për destabilizimin e vendit e zgjedhjet

Alarmi për manipulimin e zgjedhjeve nga Rama është ngritur dje dhe nga aleati kryesor në qeverisje Lëvizja Socialiste për Integrim. Duket se lufta mes aleatëve pak ditë para zgjedhjeve është hapur dhe fryma e mosbesimit është rritur, me deklarata dhe kundër deklarata ndaj njëri tjetrit.
Ministri i Mjedisit Lefter Koka është shprehur në një intervistë për “Ora Neës”, se në Qarkun e Durrësit po angazhohen persona të inkriminuar të infiltruar në forcat policore, për fushatë elektorale, gjë e cila rrezikon të sjellë sipas Kokës, destabilitet dhe zgjedhje pa standarde. Sipas tij, policia përpara se të merret me zgjedhjet duhet të merret me detyrat që i takojnë siç është kultivimi i kanabisit, problem i cili sipas tij po e kthen Shqipërinë në gazin e botës.
Koka me këtë rast ka shigjetuar direkt ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i akuzuar jo pak herë për lidhje me krimin e organizuar dhe trafikantët e drogës. “Eshtë e vërtetë, tensionet në një koalicion ndoshta janë të natyrshme dhe si burim kanë mosmbajtjen e fjalës ose të premtimit nga njëra palë. Ajo që sot evidentohet është ku unë do ta lokalizoj situatën në Qarkun e Durrësit, ku shoh shumë nga strukturat e larta të PS, ku lajtmotivi i tyre me simpatizantë të tyre është një dhe i vetëm: Nuk kemi kundërshtarë PD, por LSI. Kjo nuk i shërben as të tashmes dhe as të ardhmes. Unë nuk mendoj që është kryetari i PS ose kryeministri që nxit të tillë komunikim me strukturat nga simpatizantë, por eksponentë të caktuar ku kanë kërkuar t’i involvojnë dhe punonjës të policisë dhe kjo është akoma më e rëndë, ku rrezikon të sjellë destabilitet dhe rrezikon të kemi zgjedhje jo me standarde”.
Koka më tej shtoi se, policia është mirë që të merret me detyrat e saj, pasi fenomeni i kanabisit po e kthen vendin në gazin Evropës. Sipas tij, janë eksponentë të lartë të policisë që marrin direkt në mbrojtje trafikantët. “Do të kërkoja t’i bëja thirrje në fakt eksponentëve të Policisë së Shtetit mos ikë në drejtim të paduhur, drejtimi i duhur është të ruajnë rendin. Po shohim këtë fenomen të rëndë, ku po bëhemi gazi i Europës me sasinë e kanabisit të mbjellë në territor dhe këto fenomene kanë bërë që të ketë pasur edhe reaksione, siç ishte zoti Manjani.
Detyra e policisë është të parandalojë një krim dhe jo më mos jetë në gjendje të parandalojë dot rritjen e një bime. Janë qindra punonjës të policisë që paguhen nga taksapagues shqiptarë dhe nuk duhet të jenë tutorë disa të fortë në qytete të ndryshme. Sot nuk ka të fortë. Do të mbajnë përgjegjësi ligjore ata eksponentë të policisë që janë bashkëpunëtorë të ngushtë të atyre që kultivojnë, por njëkohësisht loja që sapo ka nisur për të bërë presion dhe për ta vënë Policinë e Shtetit në funksion të presioneve do të marrin përgjigjen e merituar”, tha Koka.
Sipas tij rasti i avionit që u rrëzua në Ishëm të Durrësit është ndër më flagrantët. “Unë do tju sillja në vëmendje rastin e avionit të Durrësit, që fatkeqësisht dhe për një rast banal arriti të ndalte në atë fushë të improvizuar dhe do të duhej Ndoka nga Parlamenti që të denonconte. Ai i cili dispononte atë truall, që ishte transformuar në një fushë avioni nuk ishte paguar akoma për qiranë e tokës. Në mëngjes bëri një kanal për të penguar uljen e avionit”.

Koka: Grida Duma duhet të ishte kryebashkiake

Në intervistën për Ora-News, ministri i LSI Koka ka deklaruar hapur se PS e tradhëtoi LSI në Lezhë në zgjedhjet lokale, ndërsa në Durrës, Vangjush Dako nuk duhet të ishte kryebashkiak. “Ne sigurisht 18 mijë vota i dhamë atij koalicioni në zgjedhjet vendore dhe ka qenë zoti Meta me të cilin kemi bërë bisedë të drejtpërdrejtë dhe është thënë në mbledhjen e kryesisë së Qarkut të Durrësit:  Lefter Koka ti rrezikon me pozicionin e ministrit nëse LSI nuk e voton 100% kandidatin e aleancës. Faktet ishin këto. Por çfarë ndodhi? Në Lezhë patëm tradhëtira nga më të habitshmet. Patëm tradhëtira nga më të habitshmet. Nuk morëm as faleminderit për qarqet ku dhamë kontribut. Sot duhet të ishte Grida Duma kryetare e Bashkisë së Durrësit, jo Vangjush Dako”, tha Koka.

Arben SHAHINI

Exit mobile version