Kokaina magazinohet në Shqipëri pasi ka garanci politike

Deputeti i PD, Gent Strazimiri ka folur për sasinë e madhe të kokainës të kapur në Durrës dy ditë më parë. Në një intervistë televizive deputeti i PD tha se, Shqipëria është kthyer në një vend ‘miqësor’ për magazinimin e kokainës, pasi ka garanci politike.
“Rama-Xhafaj kanë përplasje informacionesh për kokainën e kapur në Durrës. Kokaina ka garanci politike dhe nuk është çështje individësh. Kokaina ka garanci politike të nivelit të lartë që transportohet. Çështja është se pse jemi kthyer në vend ‘miqësor’ për kokainën? Unë mendoj se kokaina magazinohet në Shqipëri, pasi ka garanci politike. Nuk mendoj se është momenti për të thënë ‘policia që duam’, por për të kuptuar se cili i jep garanci globale për të magazinuar kokainën në Shqipëri. Politika këtu tek ne është kthyer në një organizatë kriminale”, tha deputeti i PD.

Ndër të tjera, Strazimiri është pyetur edhe për kolonelin Artur Meçollari, si një nga negociatorët për bisedimet me Greqinë dhe arsyet pse opozita e kundërshton emrin e tij. Strazimiri tha se, Artur Muçollari është i papërshtatshëm, pasi është shkarkuar nga detyra dhe është emëruar sërish.
“Është një nga emrat që është konsideruar i papërshtatshëm. Ai është një person që është shkarkuar për kontakte të papërshtatshme. Meçollari u shkarkua dhe nuk e dimë se pse u rimor në shërbim dhe është çertifikuar sërish për papërshtatshmërinë në tërësinë e rrethanave në ushtrinë shqiptare. Procesi me negociatat është me shumë hije dhe pak informacion. Është detyrim i ministres për të informuar publikun për çështjen e Meçollarit. Opozita po bën përpjekje për të ndriçuar hijet e pushtetit”, tha Strazimiri.

Exit mobile version