Mediat ndërkombëtare kanë pasqyruar gjerësisht lajmin për sekuestrimin e sasisë rekord të kokainës. Agjencia e lajmeve “Reuters” shkruan: Kokaina kolumbiane u kap në Shqipëri, arrestohen dy persona. “Policia shqiptare sekuestron kokainën kolumbiane, të fshehur në një ngarkesë bananesh”, është titulli i prestigjiozes amerikane “Washington Post”.
Edhe “Fox News” raportoi lajmin e drogës së hyrë nga Porti i Durrësit. “De Telegraf” në Holandë, shkruan se kokaina me vlerë 180 milionë euro është më e madhja e kapur ndonjëherë në Shqipëri.
Edhe në Itali, agjencia e lajmeve NOVA raporton lajmin e kapjes së ngarkesës së madhe të drogës së ardhur nga Kolumbia.
Sekuestrimi i 613 kilogram kokainë në Durrës, në një konteiner që transportonte banane nga Kolumbia, është pasqyruar në mediat ndërkombëtare.Lënda narkotike dyshohet se ka origjinën në Kolumbi, ndërsa destinacioni i saj ishin vende të BE-së.
“Washington Post” dhe “New York Times” pasqyrojnë aksionin dhe deklarimet zyrtare të drejtuesve të Policisë dhe Prokurorisë, duke iu referuar “Associated Press”.
“Policia shqiptare sekuestroi mbi 613 kilogramë kokainë që kishte mbërritur në vend nëpërmjet një ngarkese me banane nga Kolumbia”, shkruajnë gazetat e sipërcituara, që i referohen agjencisë prestigjioze të lajmeve, “Associated Press”.
Shefi i Policisë, Ardi Veliu deklaroi sot se dy persona ishin arrestuar një ditë më parë se kokaina, e vendosur në pako të vogla, të gjendej në një konteiner që ishte zbarkuar nga një anije që vinte nga Kolumbia, duke kaluar nga Italia dhe Malta. Konteineri ishte dërguar në një magazinë private para se policia të ndërhynte. Pronari i saj është ende në kërkim, thuhet më tej në artikujt e mediave ndërkombëtare.
Sipas tyre, Shqipëria njihej më parë si një udhëkryq i trafikut të marijuanës, por masat e fuqishme të ndërmarra nga qeveria sollën një reduktim të ndjeshëm të numrit të plantacioneve.
ANSA shkruan se, kokaina duhej të qëndronte në Shqipëri, për t’u shpërndarë më vonë në tregjet europiane. “Ky operacion është zhvilluar në koordinim me strukturat e vendeve të tjera, mes të cilave edhe DEA amerikane”, thekson ANSA.