Ministria argjentinase e Sigurisë thotë se ka zbuluar një komplot për të përdorur shërbimin diplomatik të postës së ambasadës ruse për të trafikuar kokainë në Europë. Policia konfiskoi rreth 400 kg kokainë në një valixhe diplomatike në një aneks të ambasadës, pasi ishte njoftuar për këtë nga ambasadori rus në dhjetor 2016.
Ajo më pas nisi një hetim duke zëvendësuar drogën me miell dhe duke shtuar në të aparatura përgjuese. Operacioni çoi në disa arrestime në Argjentinë dhe në Rusi. Ministrja argjentinase e sigurisë Patricia Bullrich tha se kokaina e gjetur në ambasadën në Buenos Aires kishte vlerë prej 50 mln eurosh dhe ishte shumë e pastër.
Sipas saj, ajo kishte si destinacion Rusinë e ndoshta edhe Gjermaninë. Bullrich shtoi se ai që mund të konsiderohet si truri i operacionit të trafikimit ndodhej në gjermani dhe i ishte kërkuar autoriteteve gjermane ta arrestonin atë. Shërbimet ruse të sigurisë kanë ndihmuar në hetim dhe një nga të arrestuarit në Argjentinë ishte një polic shërbimi në Buenos Aires. /TCh/