Gazetari Artan Hoxha ka publikuar pamjet sesi kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla kapet duke konsumuar kokainë në një ambient publik.
Në videon e publikuar sot nga “Abc Neës”, Lefter Alla edhe pse e mohoi kategorikisht se nuk ishte ai personi në video, në pamje shihet qartë sesi Alla merr kokainë. Me një kartë krediti ai përgatit drogën të cilën e ka vendosur në një pjatë tek banaku i një lokali.
Gazetari Artan Hoxha tha se pamjet janë kapur nga kamera sigurie dhe momenti është fiksuar disa kohë më parë.
“Kemi të bëjmë me një rast që është shumë i rëndë. Kjo konfirmon akuzat e PD që kërkoi të fusë me ligj testin për narkotikët për funksionarët e lartë. Është një rast që përbën problem. Kemi të bëjmë me njerëz që janë zgjedhur me votën e qytetarëve dhe marrin vendime për të mirën e qytetarëve.
Për mirëadminstrimin e zonës. Problematika tjetër është se si është e mundur që këta persona i shpëtojnë filtrit të përzgjedhjes nga ata që i kandidojnë. Këtu është një ambient publik dhe bëhet fjalë për një moment diskreditues”, tha Artan Hoxha.
Gazetari Artan Hoxha tha se është kërcënuar për të nxjerrë videon, ai por edhe persona të tjerë pranë tij dhe në Dibër. Prej ditësh përflitej se ekzistonte një video e një kryebashkiaku socialisti që merrte kokainë në një lokal, por ishte Gazment Bardhi me Artan Hoxhën ata që thanë se e kishin parë vetë videon.
Pasi mediat raportuan se bëhej fjalë për Lefter Allën, Dosja.al e kontaktoi kryebashkiakun, por ai mohoi në mënyrë kategorike, si dhe tha që jo vetëm që s’është ai në video, por edhe se në jetën e tij nuk ka parë kurrë drogë me sy. Ndërsa sot, ai iu shmang mediave duke mbyllur telefonin.