Kokat e grupeve kriminale përballë drejtësisë

Nga Sabina Nika/ shteg.org

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet për anëtarë të grupeve kriminale të akuzuar për të paktën 4 vrasje dhe 7 atentate. Pas hetimeve intensive, janë dërguar për gjykim 14 persona të akuzuar për lidhje me këto ngjarje. Hetimet e SPAK zbuluan një rrjet të gjerë kriminal që vepronte në territorin e Shqipërisë dhe jashtë saj, dhe që ishte i përfshirë në aktivitete të ndryshme të paligjshme.

Prokuroria ka dërguar në dosjen për gjykim gjyq duke ngritur akuza ndaj Astrit Avdylit (alias Astrit Balliu, alias Astrit Sulejmani), Emiljano Shullazin, Naim Stafukën, Blerim Abazi (alias Blerim Gashi), Besian Xhixha, Enver Diva, Robert Laçi, Leonard Duka, Drianto Bardhi, Gjergj Cukali, Viktor Imeraj (alias Viktor Bajraktari), Satilno Basho, Xhelal Rraja dhe Miri Bruli.

Vrasjet dhe atentatet mes bandave

Astrit Avdyli grupi kriminal
Credits: shteg.org – Astrit Avdyli

Hetimet filluan pas një serie ngjarjesh të dyshuara që lidheshin me krime të dhunshme, përfshirë atentate të realizuara ndaj individëve të lidhur me grupe të tjera kriminale.

Ndaj të pandehurve prokuroria ka ngritur akuza për të paktën 4 vrasje dhe 7 atentate, ngjarje këto të ndodhura mes viteve 2020-2023.

Një nga ngjarjet më të rëndësishme që ka qenë në qendër të hetimeve ka qenë atentati ndaj shtetasit Durim Bami, i cili u qëllua për vdekje në muajin gusht të vitit 2021. Ky atentat u organizua me qëllim eliminimin e Bamit për shkak të lidhjeve të tij me grupet e tjera të rrezikshme. Sipas Spak, organizator të ketij atentati është Shullazi dhe Avdylaj.

“Të pandehurit Astrit Avdyli (alias Astrit Balliu, alias Astrit Sulejmani), Emiljano Shullazi dhe Blerim Abazi, gjatë muajve janar-korrik 2020 dhe i pandehuri Naim Stafuku, gjatë muajit gusht 2020 në bashkëpunim me persona të tjerë, me veprimet e tyre të kundra ligjshme dhe të drejtpërdrejta, të kryera me dashje në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal kanë siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasve Durim Bami dhe Valter Bami” – thuhet në njoftimin zyrtar.

Një tjetër ngjarje e zbardhur nga hetimet ishte tentativa për vrasjen e Ervis Martinaj, person që ende rezulton të jetë i zhdukur.

Në periudhën mes muajve qershor dhe shtator të vitit 2020, Leonard Duka, i cili dyshohet të jetë udhëheqësi i grupit, ka planifikuar dhe organizuar atentate ndaj dy viktimave, Ervis Martinaj dhe Erigers Mihasi.

Në këtë periudhë, Duka dhe Bardhi, në bashkëpunim me persona të tjerë të përfshirë kanë përdorur çdo mundësi për eliminimin e viktimave. Ervis Martinaj dhe Erigers Mihasi janë shënjestrat kryesore të atentateve të organizuara nga ky grup kriminal.

Pjesëmarrësit në grupet kriminale të përfshira në këtë dosje janë akuzuar për veprime të tjera të paligjshme, përfshirë trafikimin e armëve dhe pastrim parash. Hetimet zbuluan se këto grupe kishin lidhje ndërkombëtare dhe përdornin metoda të sofistikuara për të organizuar atentate dhe aktivitete të tjera të paligjshme. Grupi kishte mundësuar kalimin ilegal të armëve përmes kufijve, dhe gjithashtu përdorte telekomanda dhe mjete të tjera teknologjike për të realizuar atentate në distancë.

Një tjetër element kyç i hetimeve ka qenë lidhja e këtij grupi me individë të shpallur në kërkim dhe ndihmën që ata morën për të shpëtuar nga drejtësia.

Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar për gjykim 14 persona, të cilët janë të akuzuar për veprime të ndryshme kriminale, përfshirë atentate, tentativë për vrasje dhe pjesëmarrje në grupe kriminale. Disa nga të pandehurit janë individë me precedentë të mëparshëm kriminalë, të njohur për përfshirje në veprime të paligjshme dhe të rrezikshme për shoqërinë.

Sipas SPAK çdo individ ka luajtur një rol të caktuar, nga ekzekutimi i atentateve, koordinimi dhe mbështetja logjistike, deri te pastrimi i parave dhe mbështetja e fshehjes nga drejtësia.

Hetimet vazhdojnë në kuadër të procedimit penal nr.59, në ngarkim të personave të tjerë të dyshuar në kryerjen e veprave penale si edhe për fakte penale të rezultuara gjatë hetimeve të këtij procedimi.

 

Artikulli paraprakErion Veliaj, mashtruesi që s’mund të urrehet, por vetëm të përçmohet
Artikulli tjetërNëse vuani nga artriti duhet të hiqni menjëherë dorë nga ky zakon! Rrit mundësinë e vdekjes së parakohshme