Pervin Gjikuria është drejtor shitjesh në kompaninë e internetit ABISSNET, kompania për të cilën Koço Kokëdhima pritet të humbasë mandatin e tij si deputet për shkak të kontratave shtetërore që ka përfituar gjatë kohës që ishte veshur me mandatin e ligjvënësit në vitin 2013.
Pra të gjitha kontratat e jashtëligjshme që deputeti Koço Kokëdhima ka nënshkruar dhe për të cilat akuzohet, janë firmosur edhe nga personi në fjalë, i cili që prej prillit 2013 mban postin e Drejtorit të Shitjeve në kompaninë ABISSNET. Por pse po flasin për të? Flasin për Pervin Gjikurian sepse është pikërisht ky, “mëkëmbësi” i përzgjedhur nga Koço Kokëdhima, jo për t’u promovuar më tej në kompanitë e tij, porse së shpejti ai do të nisë detyrën e tij të re, atë të Konsullit të Shqipërisë në Janinë.
Përveçse prej kohësh Kokëdhima po emëron “asqerët” e tij të besuar në poste kyçe në kundështime me çdo normë morale dhe ligjore, rasti i emërimit të Pervin Gjikurisë, me propozim nga Kokëdhima dhe me miratim pa diskutim nga Bushati, shënon një tjetër precedent antiligjor në emërimet diplomatike. Pervin Gjikuria përpos të tjerash është nënshtetas grek, dhe kjo sipas ligjit që rregullon funksionimin e emërimeve diplomatike është e ndaluar kategorikisht në emërimet diplomatike.
Por ligji dhe çështje të kësaj natyre, duket se nuk përbëjnë asnjë problem për atë që pasi u shpall me dekret partie “Komandat i Jugut”, po përdor edhe dekretet e shtetit për t’u marrë fuqitë e “Pashait të Janinës”, në diplomaci. Dhe për këtë, Kokëdhima ka bërë zgjedhjen më ideale të mundshme në gjykimin e tij prej shkelësi të ligjit. Ka zgjedhur drejtorin “grek” të kompanisë së tij që është model për thyerjen e ligjit dhe i është referuar eksperiencës së Pervin Gjikurisë si një ish-manaxher restoranti makaronash (La Pastarella) në Selanik.