Kokëdhima i mori para Balilit për ta bërë Drejtor

Dega e Partisë Demokratike Delvinë deklaron se, ish-deputeti i PS, Koço Kokëdhima po përdor dëshmitarë të rremë për të fshehur lidhjen e tij me baronin e drogës, Klement Balili. Në një reagim të degës së Partisë Demokratike, Delvinë shpjegohet se personat që kanë folur në emër të strukturave të PD-së në media dhe që janë nga fshati Stjar kanë mashtruar, pasi janë militantë socialistë. Po ashtu theksohen lidhjet që ka ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima me Klement Balilin.
“Oligarku Koço Kokëdhima, i kapur në shkelje të ligjit nga Gjykata Kushtetuese, ka fabrikuar sot në gazetën e tij një mashtrim ordiner, në përpjekje për të mbuluar lidhjet e tij të afërta e të drejtpërdrejta me Klement Balilin, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Eshtë pikërisht Kokëdhima, për të cilin të gjithë në Sarandë e në Delvinë e dinë që i ka marrë para Balilit për ta emëruar në krye të Transportit Rajonal, që nxjerr gënjeshtra të qëllimshme në gazetën e tij”, thuhet në deklaratën e PD të Delvinës.
Dega e Partisë Demokratike Delvinë deklaron se qytetari Hamza Hamza, që përdoret si dëshmitar i rremë nga Kokëdhima, jo vetëm nuk është pjesë e strukturave të PD Delvinë, por ishte në ballë të fushatës së mazhorancës së sotme në vitin 2013 e 2015. “Dega e Delvinës në fshatin Stjar, përfaqësohet me kryetarin Murat Skura”, përfundon deklarata e PD, Delvinë.
Greku Anagnostopoulo është takuar me Balilin në Sarandë
Krahu i djathtë i Klement Balilit, shtetasi grek Ksenofondos Anagnostopoulo ka hyrë disa herë në Shqipëri dhe e ka takuar ish-drejtorin e Transportit në Sarandë. Ksenofondos Anagnostopoulo ishte përgjegjës për sigurimin e shoferëve të rinj për transportin e lëndës narkotike drejt Gjermanisë dhe që kishte rolin e kujdestarit për të arrestuarit e grupit të Kelment Balilit. “Tv Klan” informoi se, Anagnostopoulo rezulton se ka qenë disa herë në Shqipëri. Sipas të dhënave, për herë të fundit, ai ka hyrë në Shqipëri nga pika kufitare e Kakavijës më 5 mars të këtij viti dhe ka dalë dy ditë më pas.
Kryesisht, hyrje-daljet në pikat kufitare, 52-vjeçari i bënte në këmbë dhe përgjithësisht, përdorte pikën kufitare të Qafë Botës, për të arritur më shpejt në Sarandë. Në informacionet e mbledhura, Anagnostopoulo rezulton se herën e fundit, në Shqipëri ka qëndruar në resortin e  Balilit, ku dyshohet se është planifikuar transporti nëpërmjet detit i 700 kg kanabis të papërpunuar.
Sasia e drogës u kap gjatë operacionit ndërkombëtar nga policia greke në ishullin Zakinthos. 52-vjeçari ishte autorizuar për këto bisedime nga koordinatori i transportit, greku Gjeorgio Alifandi.
Ksendofonda Anagnostopulo, sipas policisë greke, është anëtar kyç i organizatës kriminale, pronar i kompanisë tregtare të makinave të përdorura, i ngarkuar me gjetjen e kamionëve për transportimin e sasisë së narkotikëve, magazinimin e përkohshëm të saj në shtetin grek dhe transportimin e mëtejshëm drejt vendeve të Europës Perëndimore, përmes Greqisë.29
Ndërkohë, Klement Balili zyrtarisht është në kërkim, pas mbërritjes së urdhër-arrestit ndërkombëtar nga Interpol Athina. Një informacion i mbërritur mbrëmjen e së hënës në polici, bënte me dije se Balili fshihet në periferi të Tiranës në një banesë private të një të njohuri të tij. Pista e dytë është ajo e largimit në drejtim të Maqedonisë nëpërmjet kufirit të gjelbërt për të cilën po shkëmbehet informacion me palën maqedonase.
Ndërsa një tjetër mënyrë largimi ku po hetohet është përdorimi i dokumenteve greke me identitet të rregullt dhe foto të falsifikuara të Balilit e përdorur për të kaluar në mënyrë legale pikën kufitare.
Klement Balili u zhduk një ditë, pasi nga zyra e tij në Drejtorinë e Transportit të Sarandës deklaroi se, ai nuk ishte i përfshirë në trafikun e 700 kilogramëve marijuane të kapur në Zakinthos të Greqisë. Operacioni kundër rrjetit të narkotrafikut çoi në arrestimin e 15 personave në Greqi dhe 2 të tjerëve në Belgjikë.

R.POLISI

Artikulli paraprakJo reformë për ti gjetur vende pune Dvoranit dhe Ibrahimit
Artikulli tjetërPse emri i Grillos të Interforcë del tek droga dhe përgjimet?