Kokëdhima: Rama vjedh dhe manipulon zgjedhjet

Deputeti i PS Kokëdhima deklaroi dje ballë për ballë me Ramën në mbledhjen e Asamblesë së kësaj partie se, “Rama vjedh dhe manipulon zgjedhjet: “Pas 25 vitesh demokracie, akoma vidhen, trafikohen, shiten e blihen vota. Nëse nuk garantohen zgjedhje të lira e të ndershme, vendi do të vazhdojë që të vuajë nga skamja dhe varfëria ekstreme. Pastrimi i zgjedhjeve kërkon votimin dhe numërimin elektronik në qendrat e votimit dhe një paketë masash ligjore”, tha Kokëdhima.
Kokëdhima tha se, Shqipëria vuan sot nga varfëria dhe papunësia, ndërsa të lumtur janë vetëm një grusht njerëzish të elitës politike dhe të bizneseve të lidhura me ta.
“Populli ynë është në një gjendje shumë të vështirë. Ai vuan nga varfëria, papunësia, sjelljet e këqia, arroganca dhe paaftësia e zyrtarëve për t’i shërbyer dhe zgjidhur punët. Të vjetrit janë të lodhur e të dekurajuar. Të rinjtë nuk kanë asnjë shpresë. Të gjithë duan të ikin sapo t’u krijohet një mundësi. Çdo vit e lënë Shqipërinë jo më pak se 60 mijë forca të afta për punë, kryesisht të rinj. Pavarësisht kësaj, niveli i papunësisë qëndron njësoj i lartë. Populli është i mërzitur masivisht, perceptimi negativ për ekonominë, gjithashtu. Të lumtur janë vetëm një grusht njerëzish të elitës politike dhe të bizneseve të lidhura me ta”, tha Kokëdhima.
Megjithë kritikat e forta që ka lëshuar dje ndaj Ramës dhe PS, megjithëse është përjashtuar nga partia, Kokëdhima ka refuzuar të ikë nga kjo parti.
“Unë nuk ligështohem nga këto veprime. E kam jetën plot dhe e shijoj punën çdo ditë. Jam i majtë në rrënjë, në gjak, në bindje e në qëndrime. Nuk shkoj në parti tjetër, nuk krijoj parti tjetër. Partia ime është Partia Socialiste”, këto ishin fjalët e fundit të deputetit socialist Koço Kokëdhima përpara se partia ta ndëshkonte me “prereje koke” nga detyra e Sekretarit. I ngjanin vargjeve të famshme përpara togës së pushkatimit të shumë armiqve të brendshëm të partisë-shtet, kur para togës së pushkatimit thërrisnin “rroftë partia!”
Prishja e miqësisë mes Edi Ramës dhe Koço Kokëdhimës është zyrtarizuar përfundimisht në Asamblenë e Partisë Socialiste. Në këtë mbledhje, dje u votua për përjashtimin e ish-deputetit Kokëdhima nga të gjitha strukturat e partisë.
Pasi Koço Kokëdhima përfundoi fjalën e tij pa kamera në Asamblenë e PS, u largua nga salla, duke e ditur se kolegët e tij do të votonin për ta përjashtuar. Dhe kështu ndodhi falë kërcënimit nga Kryeministri Edi Rama.
Burimet nga mbledhja e sotme thonë për Syri.net se, sapo Koço Kokëdhima u largua, Edi Rama foli nga vendi duke iu drejtuar anëtarëve të PS: “Ju e dini si do të votoni. O unë o ai këtu”.
Edhe gjatë fjalës së ish-deputetit ka patur incident, pasi Taulant Balla dhe Erion Braçe ofendonin dhe fyenin Kokëdhimën, duke e ndërprerë.
Ka lëshuar akuza të forta në Asamblenë e PS-së, ish-deputeti i përjashtuar Koço Kokëdhima. Gjatë fjalës së gjatë që kishte përgatitur për të mbajtur në asamblenë socialiste, Kokëdhima ka hedhur akuza për Edi Ramën në lidhje me plehrat.
“Edhe inceneratorin e Bechetit, Rama po e vë në jetë. Inceneratorët janë e vetmja gjë e re në rrethanat e pas vitit 2013.
U kthye ligji i importit të mbetjeve vetëm për të ushqyer këto monstra me plehra të valorizuara të Italisë. Rama i preu në besë qytetarët dhe ambientalistët dhe i ka lënë që të gdhihen jashtë në gjithë këto netë dimri. Ky është një turp i madh”, u shpreh Kokëdhima…

Kokëdhima-Ramës: E ke kthyer partinë në sh.p.k

..Propozimi i Kryesisë së Partisë Socialiste për shkarkimin tim nga Sekretar u justifikua publikisht me mungesat e mia në mbledhje. Në të vërtetë unë kam munguar në mbledhjet e qershorit dhe të korrikut, ndërsa nga gushti e këtej, nuk jam njoftuar në mënyrë të qëllimtë për të mos marrë pjesë në asnjë mbledhje. Në 18 tetor i shkruajta kryetarit të partisë këtë mesazh: “Dje ishte mbledhja e radhës e Kryesisë së PS-së për të cilën nuk më keni njoftuar dhe nuk më keni mundësuar pjesëmarrjen, njësoj siç bëtë edhe në shtator. Kjo ndodh me siguri me urdhrin tuaj. Edhe sh.p.k.-në tuaj ta kishit atë parti, do ishit më formal e më institucional, edhe kur eliminoni ata që i shpallni kundërshtarët tuaj”!
E njëjta situatë ndodhi edhe në mbledhjen e dy javëve më parë, kur, megjithëse u diskutua për shkarkimin tim, drejtuesit e partisë nuk më thirrën që të më dëgjonit, të më jepnit mundësi për t’u shpjeguar e për t’u mbrojtur. Kjo është një dëshmi tjetër se shkarkimi im kishte nisur shumë kohë më parë, pikërisht kur Gjykata Kushtetuese hoqi mandatin tim në datën 9 maj 2016. Vetëm një ditë më pas, u mblodh kryesia e partisë. Mua, qëllimisht, nuk më njoftuan që të marr pjesë. Në këtë mbledhje u zëvendësova nga funksionet e mia në Vlorë, pa asnjë diskutim paraprak, pa asnjë njoftim, pa asnjë këshillim.

…ju ndëshkoni njerëzit tanë për shkak të ideve të tyre politike. Këtë kulturë, Shqipëria e ka kapërcyer që me përmbysjen e diktaturës komuniste. Ata janë shumë të rinj dhe do të jetojnë gjatë. Sa të jetojnë ata, do të mbahen mend e do të tregohen këto historitë tuaja.

…nëse populli nuk e do një deputet, nuk ndodh asgjë, ai do jetë prapë deputet, sepse e do kryetari i partisë. Nëse deputeti diskreditohet, nuk ndodh asgjë. Kryetari e riciklonm duke e transferuar në një qark tjetër në zgjedhjet e radhës. Nëse populli të do, nuk ndodh asgjë, deputet bëhesh vetëm kur të do kryetari. Po s’të do kryetari, nuk ke vend në parti. Populli voton, kryetari i partisë zgjedh. Kryetari është bërë si pronar i partisë. Ky është sistemi i partitokracisë, një sistem i kalbur e i dështuar.

…Partia Socialiste nuk është prona personale e Edi Ramës. Ai emëron deputetët, edhe këshilltarët, edhe kandidatët për kryetarë bashkie, edhe drejtorët, edhe çdo pozicion në parti.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakAmbasadori sharlatan, SHBA e tërhoqi prej hundësh Eskobari
Artikulli tjetërBDI mohon bisedimet me VMRO-DPMNE, BESA ka tre kushte