Kokëdhima: Rama në dëshpërim të thellë

Diplomacia ekonomike është cilësuar nga “Zgjidhja” e Koço Kokëdhimës si një zgjidhje e dëshpëruar e Kryeministrit Edi Rama. “Zgjidhja” e pyeti kryeministrin se si mund të shkojë në takime të rëndësishme tregtare ambasadori ynë për të mburrur avantazhet e vendit tonë kur investitori i huaj e pret me gazetën e ditës në dorë me një artikull të ri skandaloz për Shqipërinë e mafias që ka blerë gjithçka, qeverinë, drejtësinë, tokat dhe zgjedhjet? Sipas kësaj partie, sot ambasadorët tanë kanë më shumë interes të fshihen sesa të dalin si karagjozë para investitorëve të huaj sepse nuk dinë çfarë t’u thonë, aq e pamundur është bërë sot të mbrosh kauzën e investimeve të huaja në Shqipëri. “Një qeveri e korruptuar nuk mund të angazhohet në diplomaci ekonomike. Rilindja po kërkon zgjidhje të dëshpëruara. Një ndër to është edhe nisma e fundit me emrin pompoz të ‘diplomacisë ekonomike’, por me përmbajtje fare boshe. Qeveria e Ramës mblodhi gjatë tre ditëve të fundit ambasadorët tanë për t’i fajësuar për mungesën e investimeve të huaja në vend. Diplomatët tanë nuk mund të jenë përgjegjësit e dështimeve të njëpasnjëshme të qeverive Rama me investitorët e huaj. Maqedonia fqinje, me popullsi më të vogël se Shqipëria dhe pa porte detare ka të regjistruara me qindra kompani të huaja që kanë krijuar mbi 50 mijë vende pune. Ndërsa për vendin tonë nuk interesohet kush përveç atyre kompanive që vijnë për të kapur ndonjë tender të financuar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë”, thuhet në reagimin e “Zgjidhjes”. Në vijim thuhet se ndërkohë që Rama vendosi t’i taksojë fitimet e kompanive të mëdha me 15%, Maqedonia fqinje e ka taksën mbi fitimin në 0 gjatë tre viteve të para për investitorët e huaj! “Ndërkohë që Rama u hakërrehet bizneseve të mëdha për furtunë në lidhje me kuotizacionet e padeklaruara të punonjësve, Maqedonia jo vetëm që s’u kërkon gjë investitorëve të huaj, por u akordon dhe subvencione për çdo vend pune të krijuar. Ndërkohë që Shqipëria vazhdon përsiatjet me problemet e pronës, Maqedonia ka vënë në jetë për investitorët e huaj procedura të përshpejtuara për aksesin në pronë. E si mund të shndërrohen në këto kushte ambasadorët tanë në tregtarë të mirë të vendit të tyre? Një agjent tregtar është efikas kur beson te produkti që ai shet”, theksohet në deklaratë.

Artikulli paraprakVasili: Evropa të flasë me zë dhe figurë për drogën dhe krimin
Artikulli tjetërKëshilli Shqipëri-BE, Tabaku: Rama frikë nga përballja