Protestat në Rrugën e Kombit janë zemërimi i popullit të shtypur, të varfër, të braktisur e të harruar. Kështu u shpreh Kryetari i partisë Zgjidhja, ish-deputet i PS-së, Koço Kokëdhima.
Tarifa në Rrugën e Kombit, sipas Kokëdhimës, e vendosur nga qeveria Rama është ndër më të lartat në Europë, sepse reflekton nivelin e lartë të korrupsionit shtetëror.
Duke cituar filozofin John Locke, kreu i “Zgjidhjes” thotë se: “Për sa kohë vazhdon kjo situatë ‘përmbysja e qeverisë nga populli, me anë të kryengritjes n.q.s. është e nevojshme, mbetet një rrugëzgjidhje e legjitimuar’”.
“Rruga e Kombit nuk është një autostradë e zakonshme. Është arteria që bashkon pjesët e kombit tonë të ndara brutalisht e përdhunisht në të shkuarën historike. Ajo nuk mund të trajtohet si një “punë e brendshme” e qeverisë së zuzarëve të Tiranës dhe u përket shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe viseve tona të tjera në Ballkan. Për Rrugën e Kombit duhet të vendoset me transparencë e gjithëpërfshirje, ajo duhet të mbetet rruga e bashkimit të shqiptarëve dhe jo rruga e përçarjes së tyre”, theksoi ai.
Sipas tij, koncesioneve famëkeqe të qeverive të shkuara qeveria e tanishme ua ka kaluar për së keqi në mënyrë të hatashme.
“Nuk kam dashur ta besoj një penë të shquar të gazetarisë ekonomike shqiptare, e cila thotë se kryeministri dhe zyrtarët e lartë janë dy përfitues të barabart? të 30 deri në 40 për qind të të ardhurave të çdo PPP-je që bën kjo qeveri. Populli dhe shteti janë të shitur në çdo negociatë dhe marrëveshje. Këtu sundon tradhëtia, hajdutëria dhe tirania e krimit. Kjo qeveri dhe partitë e vjetra të opozitës, në tërësi institucionet e pushtetit shtetëror nuk përfaqësojnë interesat dhe vullnetin e popullit, por punojnë kundër tyre.
Protestuesit nuk janë barbarë. Asnjë protestues nuk është vandal. Barbarët, vandalët dhe kriminelët janë në krye të shtetit, të partive dhe të qeverisë së Tiranës. Edhe zemërimi i pakontrolluar nuk i bën njerëzit vandalë e barbarë. Qeveria është e tmerruar nga rebelimi i mundshëm i popullit të shtypur e të përbuzur. Rama e kupton se shpërthimi i kuksianëve mund të zgjojë dhe të çlirojë nga frika gjithë popullin. Revolta e tyre është revoltë kundër tiranisë. Protestuesit mund të quhen si të tillë vandalë dhe barbarë aq sa mund të quhen kështu Volteri e Rusoi. Protesta e kuksianëve është një shërbim i madh ngaj popullit tonë për ndërgjegjësimin dhe ngritjen e tij kundër sundimit të elitës së korruptuar që është sjellur me këtë popull më keq se shumica e pushtuesve të huaj në histori”, tha Kokëdhima.