Kolarov kalon tek Roma, Juventus synon Hummels

Tashmë është zyrtare, Aleksandër Kolarov do të veshë fanellën e Romës në sezonin e ri. Bisedimet mes palëve u finalizuan me sukses, me mbrojtësin që firmosi kontratë deri më 30 qershor të vitit 2020, me një pagë prej 5 milionë eurosh. Pasi hodhi të zezën mbi të bardhë, Kolarov deklaroi se do të japë më shumë se 100% për verdhekuqtë dhe se objektivi i tij është gjithmonë fitorja.
Pasi humbi shërbimet e Leonardo Bunuccit, i cili u transferua te Milani, Juventusi ka nisur punën për të gjetur zëvendësuesin e mbrojtësit. Sipas lajmeve më të fundit nga Gjermania, bardhezinjtë kanë shënjestruar Mats Hummels të Bayern Munich. Megjithatë klubi bavarez nuk e lë të lirë lojtarin 28-vjeçar, për më pak se 50 milionë euro, një shifër kjo jo e ulët për kartonin e tij.
Merkatoja e Milanit nuk është mbyllur ende. Administratori Fassone bën të ëndërrojë më shumë tifozët kuqezi, teksa në një intervistë të dhënë, shprehet se klubi do të bëjë edhe një goditje të madhe. Emrat në listën e Milanit janë të shumtë dhe lojtarë të klasit të lartë. Mbetet vetëm të presim se cili yll do të zbarkojë te Milani deri në fund të merkatos, me Fassone që nuk dëshiron të nxitohet në blerjen e radhës.
Bologna dëshiron të bëjë dy goditje në mesfushë dhe në sulm. Sipas mediave italiane, shoqëria kuqeblu po monitoron situatën e Rincon te Juventusi dhe Rodrigo Palacio, i cili ka mbetur pa skuadër, pas largimit nga Interi. Cilësi dhe eksperiencë, është pikërisht kjo ajo që i nevojitet trajnerit Donadoni në skuadër.

Artikulli paraprakMurinjo mposht Zizou
Artikulli tjetërPrezantohet Danilo