Nga Agim Baçi
Në Parisin e vitit 1818, avokati Dervil pranon të takojë një të moshuar veshur tmerrësisht keq, por që këmbëngul me çdo kusht t’ia thotë veç atij çështjen e vet. Quhej Iasent Shaberi dhe njihej si hero i luftës së Napolonit dhe kish qenë i martuar me Roza Shapotelin. Por gjatë betejës së Ejlaut, në vitin 1807, ai u plagos rëndë dhe pas pak kohësh u konsiderua nga ushtria i vdekur. Më pas edhe nga familja…
Plaku i gjorë tenton t’u tregojë disa të njohurve në Paris se si, i përmendur mes një pirgu kufomash në një hendek, arriti t’u mbijetonte për mrekulli plagëve. Por ai gëzim i pamatë i idesë së rikthimit në shtëpi i kthehet në zhgënimin e madh të jetës, pasi askush nuk beson se ai është gjallë.
Vetëm avokat Dervil e dëgjon dhe si avokat i së shoqes së Shaberit i rrëfen se e shoqja e tij e dikurshme është tashmë kontesha Ferro dhe ka një jetë mondane. Ajo ka përdorur të ardhurat nga pensioni si hero i caktuar për të shoqin dhe është martuar tashmë me kontin Ferro. Edhe në qytet, Shaberin e nderojnë si hero dhe vetëm për të tillë e mbajnë mend, por askush nuk beson më në praninë e tij fizike, në rikthimin e tij.
Madje, askush nuk është gati ta pranojë, pasi ai tashmë i përket historisë.
Avokati Dervil pranon ta ndihmojë kolonelin, por Shaberi nuk ka mundur t’i sjellë dokumentet nga Gjermania ku ishte shënuar me dëshmi se si doli i gjallë nga ai hendek kufomash.
Avokati i propozon ish-bashkëshortes së kolonelit një ujdi me ish bashkëshortin, heroin Kolonel Shaberi. Ironikisht ajo e admiron vetëm si hero ish burrin, por nuk mund ta pranojë më si të gjallë, pasi tashmë jeta rreth saj ka ndryshuar, bota për të është krejt tjetër.
Kjo është historia e rrëfyer nga pena e Honore de Balzak, në novelën “Kolonel Shaberi”- një mettaforë e trishtë dhe ironike, por njëkohësisht edhe një këshilltare e domodoshme e njeriut për të kuptuar se shumë gjëra në jetë kanë kohën e vet.
Pak rëndësi ka nëse ke vendour ti vetë për atë që të ka ndodhur, apo nëse fati ka vendosur për ty.
Rëndësi ka vetëm fakti- sa guxim ke ta kuptosh kohën tënde dhe nëse mundesh të besosh sa më parë se çdo këmbëngulje për të kundërtën vetëm sa vë nën torturë ata që të kanë besuar!