“Kolonel Shaberi”, novela që sarkazon degradimin e shoqërisë! Gjenialiteti i artit të Balzak tingëllon më aktual se kurrë! Dëshirat dhe ëndrrat e shkrimtarit, një mit i shekullit të XX

NGA SEJDO HARKA

Novela “Kolonel Shaberi”, një “grusht” sarkastik, që godit padrejtësitë shoqërore dhe gjyqësore (Viktor Hygo)

Honore de Balzak dhe vepra e tij gjeniale, edhe sot e kësaj dite, tingëllon më aktuale se kurrë. Kjo dukuri e artit të këtij gjigandi të letërsisë franceze dhe europjane buron, jo vetëm nga thelbi realist, thellësisht kritik e gjenialiteti i autorit, por edhe nga dimensionet e saj universale gjithëkohore.

Kanë kaluar vite e shekuj nga koha kur nisi të frymojë jeta dhe vepra e këtij shkrimtari me famë botërore, që ka dimensionet e globit, dhe përsëri vazhdon të lexohet me kërshëri të madhe në çdo cep të rruzullit tonë.

Shfleton veprat e tij, dhe të duket sikur kamxhiku i tij sarkastik është rishfaqur përsëri, por me një dozë më therëse, kundër dukurive negative të shoqërisë, edhe pse ato janë bërë më të mistifikuara. Balzaku ishte një nga themeluesit e rrymës së Realizmit Kritik të Francës dhe Europës së shekullit të XIX, por brendia e veprave të tij do të rendë përpara për t’i bërë përherë dritë letërsisë, artit dhe filozofisë së ardhshme të botës njerëzore.

Por, para se të flasim për filozofinë dhe magjinë e artit të tij të fjalës, do të ndalemi me pak fjalë për t’i rikujtuar lexuesit se, kush është Honore de Balzak: Ai lindi më 20 maj të vitit 1799 në Turs të Francës dhe vdiq më 18 gusht 1850. Që në moshën 8- vjeçare, prindërit e dërguan të mësonte me oratorin Vandome, ku për 6 vite me radhë mori mësime në disa lëndë. I ati i tij ishte funksionar perandorak, bir i revolucionit francez, i cili besonte te idealet progresiste të kohës. Balzaku, pasi mbaroi Kolegjin Francez, u regjistrua në Fakultetin e Jurispodencës, ku njëkohësisht, nisi dhe të punonte në një zyrë noterie.

Dhuntitë krijuese në fushën e letërsisë, ai i shfaqi në moshën 20- vjeçare. Për shkak të vështirësive ekonomike, ai u detyrua të shkruante shkrime publicistike, drama, poezi dhe histori kundrejt pagesës. Në vitin 1825 nisi të merrej me tipografi dhe më pas edhe me biznes, por në këtë fushë nuk pati sukses. I vetmi pasion, që, jo vetëm e bëri me emër në botë, por dhe me sukses ekonomik, ishte krijimtaria e shumëllojtë artistike.

Për 20 vjet ai shkroi rreth 90 krijime të llojeve të ndryshme si, romanca, poezi krijime satirike të llojeve të ndryshme, të cilat i përmblodhi në veprën e tij madhore “Komedia njerëzore”. Është dramaciteti i thellë ai, që e përshkon, fund e krye, këtë vepër me dimensione botërore. Romanet e tij të parë janë “Lule lambert”, “Doktor i fshatit”(1833) dhe “Iluzionet e humbura”(1837).

Në moshën e rinisë Balzaku ishte i apasionuar pas jetës mondane dhe grave fisnike të oborreve. Ëndrra e tij për t’u pasuruar u realizua vetëm pasi u lidh me baroneshën Eva Hansko, me të cilën u martua dy vjet para se të vdiste. Në vitin 1839 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Parisit. Balzaku ishte një figurë brilante, që shkëlqeu me shumllojshmërinë e krijimtarisë, gati në të gjitha gjinitë, llojet e nënllojet artistike, si në prozë, poezi dhe dramaturgji. Pasioni i tij i veçantë ishte proza e gjatë.

Me artin, ëndrrat dhe aventurat e tij të plagosura nga kontradiktat e kohës, ai u kthye në një mit. Balzaku botoi 100 romane. Romani që i dha famën e parë ishte “Xha Gorio”, të cilin e shkroi brenda 40 ditëve.

Ai është quajtur afresk i botës moderne, i cili , me groteskun e tij sarkastik fshikullon ashpër, jo vetëm degradimin moral dhe shpirtëror të shoqërisë, por edhe zbehjen e dashurisë më njerëzore, siç është dashuria e midis prindërve dhe fëmijëve. Në qendër të këtij romani qëndron historia dramatike e një babai, me emrin Gorio, i cili mbasi u dhuroi dy vajzave gjithçka që kishte, më në fund, kur ai nuk ishte në gjendje të mbante as veten, dy vajzat e tij, jo vetëm që e dorëzuan në një pension pleqërie, por kur ai vdes, ato nuk i shkojnë as në varrimin e tij.

Shkrimtari i madh Viktor Hygo, tek Balzaku shihte shkrimtarin revolucionar; bashkëkohësit e quanin realist, ndërsa Bodleri e quante vizionar.

Ai shquhet edhe për sentencat e tij të thella filozofike. Në pamundësi për t’i përmendur të gjitha, po përmendim njërën prej tyre: “Prapa një pasurie të madhe, fshihet një krim i madh”. Balzaku, me veprat e tij, flet, gati në të gjitha gjuhët e botës. Veprat madhore si: “Evgjeni Grande”, “Iluzionet e humbura”, “Lëkura e shagrinit”, “Komedia njerëzore”…, kanë kohë që flasin edhe në gjuhën shqipe.

NOVELA “KOLONEL SHABERI”, NJË “GRUSHT” SARKASTIK, QË GODIT PADREJTËSITË SHOQËRORE DHE GJYQËSORE

Shfleton novelën e Balzakut “Kolonel Shaberi”, brendia e së cilës sarkatizon degradimin e shoqërisë, shtetit dhe të drejtësisë së sistemit feudo-borgjez të shek. XIX, dhe të duket sikur ky gjigand i letërsisë së Realizmit Kritik, është ringritur nga varri, me “grushtin” e sarkastik magjik në dorë, për t’i goditur akoma më fuqishëm këto dukuri, të cilat, edhe pse vinë nga thellësitë e shekujve, në ditët tona, bëhen akoma më të rrezikshme.

kolonel-shaberi

Për të prekur si me dorë degradimin e atij sistemi, sa të korruptuar, aq dhe çnjerëzor, mjafton të hedhësh vështrimin mbi disa nga përshkrimet rrëqethëse që bën Balzaku në këtë novelë. Në zyrat e drejtësisë së atyre kohërave mbretëron: zymtësia dhe ftohtësia, pisllëku dhe idiotësia, zyrtarë zemërgurë dhe avokatë e gjyqtarë batakçinj, të cilët të ngjallin neveri, sepse motoja e punës së tyre të përditshme ishte pushteti dhe paraja.

Ata ishin sadistë e mospërfillës. Për ta, klientët e tyre nuk ishin gjë tjetër veçse numra në arshivat e tyre dhe “pelerina të vjetra”, siç i thërrisnin me përbuzje, Kolonel Shaberit. Për të fshikulluar ashpër njerëzit e atyre zyrave të errëta, plot lagështirë, që binin erë myku dhe krimi, Balzaku thekson se, ata ishin shpotitës, ironikë, përtacë dhe të pangopur. Sekretarët shfaqen me dhembë të mprehtë, me sy tallës dhe flokë të shkurtër.

Në mjediset e atyre zyrave mbizotërojnë afishet e lajmeve gjyqësore, kutitë plot me kartela klientësh, që sillnin fitime marramendëse për gjyqtarët dhe avokatët. Në qendër të brendisë së kësaj novele qëndron degradimi moral, shpirtëror dhe ligjor i drejtësisë së kohës, e cila për para e pushtet ishte gati ta bënte të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë. Kjo dukuri thellësisht negative nuk ka as kohë, as vend. Ndërron formën e shfaqjes, por thelbi është i njëjtë, sepse si emërues të përbashkët kanë pangopësinë për para dhe pushtet.

Viktimë e një drejtësie të tillë bëhet edhe protagonisti i kësaj novele, Kolonel Shaberi, i cili, mbasi rastësisht ka dalë nga varri kolektiv i vdekjes, vdes për të dytën herë për së gjalli. Duke e konsideruar të vdekur, kudo që Koloneli ankohej, i mohohej e drejta e punës dhe e pronës. Kjo bëri që ky Komandant i Legjionit të Nderit, të tjetërsohej në një lypës, pa bukë, pa grua, pa shtëpi, pa prona, pa dinjitet dhe me lavdi të rrënuar. Prandaj, për të kërkuar të drejtat e tij shkoi të trokasë në dyert e drejtësisë, me besimin se do t’i jepnin të drejtë.

Por, sapo ai prezantohej me emrin e vërtetë, ata i përgjigjen me ironi e të qeshura: “Kolonel Shaberi ka kohë që ka vdekur”. Prandaj, nga që askush nuk e përfillte, kërkoi të takonte avokatin Dervili, i cili njihej si avokati që i dëgjonte me vëmendje klientët e tij dhe u zgjidhte problemet.

Erdhi koha që avokat Dervili ta priste plakun e mjerë në orën një pas mesnate. Ushtari i mençur dhe thatanik, Shaber qëndronte para tij si një statujë. Balli i tij, i mbuluar me paruke i jepte një pamje misterioze. Sytë e tij dukeshin si të veshura me një cipë të tejdukshme, që nga drita e qiririt lëshonin një vezullim mavi.

Fytyra e tij e verdhë i ngjante një të vdekuri. Në qafë shtrëngonte një kravatë të zezë. Ndërsa mimika i ngjante një të çmenduri. Dukej qartë, se brenda shpirtit të tij të stërmunduar flinte një dhimbje e madhe, që donte të shpërthente jashtë. Ishte një dhimbje që kishte fshirë çdo lloj fisnikërie. Sapo Koloneli pa avokatin Dervili, u drodh si një poet që zgjohet nga një frymëzim spontan. Heshtjen, në atë çast, e prishi pyetja e papritur e avokatit: “Zotëri, me cilin kam të bëj?! Me Kolonel Shaberin, tha ai prerë.

-Me atë që u vra në Ejlau, tha, si me qesëndi avokat Dervili! Dhe, për një çast, iu duk se po komunikonte me një të çmendur.

Heshtjen e këtyre çasteve e prishën këto fjalë zemre të Kolonelit të mjerë, me të cilat kërkon të sqarojë se ç’i kishte ndodhur.

Ja ç’tregon ai: “Në atë kohë unë komandoja një regjiment artilerie në Ejlau. Vdekja ime është një ngjarje e pakundërshtueshme. Një gjigand rus më goditi me shpatë në kokë, ndaj unë rashë mbi trupat e azdisura. Perandori dërgoi njerëz për të më shpëtuar, por nuk mundën. Prandaj kam ardhur për t’u treguar se ç’kishte ndodhur. Plagët që kisha marrë më kishin shkaktuar një katalipsi.

Ndaj varrmihësit, pasi më zhveshën rrobat, më hodhën në varrin e përbashkët me të vdekurit e tjerë.” Koloneli nuk mund të dinte se ç’kishte ndodhur më tej, në ato çaste që ai kishte rënë në kllapinë e vdekjes. Por, një mik i tij, në vitin 1814, si dëshmitar i ngjarjeve do të tregonte se, ç’kishte ndodhur më pas.

Mundësia e vetme e shpëtimit të Kolonelit duhet të ketë qenë rrëzimi i kalit mbi trupin e tij, i cili e ka mbrojtur nga vdekja, jo vetëm prej plumbave, por edhe prej dyndjes së kuajve dhe ushtarëve. Vetëm kur erdha në vete, tregon Shaberi, kuptova se ndodhesha në një gjendje aq të rëndë, sa nuk besoja se do të dilja gjallë. Kërkoja të lëvizja mes të vdekurve, por nuk mundja. E ndjeva se do të vdisja.

M’u duk sikur dëgjoja rënkimet e të vdekurve. Duke prekur të vdekurit, gjeta një boshllëk mes kokës sime dhe kufomave që kisha mbi vete. Në këto çaste, u drodha si këmbët e gjarprit, deri sa shpëtova. Më në fund ai sheh dritën me sy. Gjaku ia kishte mbyllur plagën si me allçi. Përshëndet shokët e vdekur. Por, nga ai ferr i çuditshëm, Koloneli i gjorë kishte dalë falë ndihmës së një gruaje me zemër të madhe, e cila bashkë me burrin e saj e kishin strehuar në barakën e tyre varfënore.

Qëndroi aty me një këmbë në varr duke folur përçat. Vetëm një mëngjes të kthjellët u kujtua, se paskësh qenë Kolonel Shaberi. Edhe vetë nuk e kuptonte se si kishte shpëtuar. Vetëm një miku i tij i hershëm i pati treguar, më vonë, se si kishte dalë nga ai varr masiv. Por, tani, fatkeqësisht, nuk zotëronte asnjë dokument ligjor, që vërtetonte se ishte gjallë.

Prandaj, tregon me dhimbje Shaberi, se ditën që ishte dëbuar nga ky qytet, ishte endur rrugëve duke lypur bukë. Ndërsa, kur zyrave të shtetit dhe drejtësisë tregonte aventurën e tij, e quanin herë të çmendur dhe herë mashtrues. Sa herë thoshte se ishte Kolonel Shaberi, njerëzit e tregonin me gisht: “Ja, ky është ai i çmenduri, që kujton se është Kolonel Shaber”. Prandaj, i dëshpëruar thellë, nuk dëshironte të ishte Kolonel Shaberi.

Përballë mjerimit, fatalitetit, bukurisë shpirtërore, lavdisë dhe dinjitetit të lartë që e karakterizonte Kolonel Shaberin qëndronte ish-bashkëshortja e tij kontesha Ferro, e cila me dredhi, mban peng pasurinë dhe lavdinë e luftëtarit të Legjionit, Kolonel Shaberit, i cili pasi luftoi në krah të Napolonit të madh kundër hordhive ruse, fatkeqësisht përfundoi në një varr të madh, nga i cili doli rastësisht.

Kontesha Ferro, tashmë e martuar me batakçiun konti Ferro, për të mbajtur peng pasurinë e Shaberit, me avokatë e gjyqtarë të korruptuar, luftojnë t’i mohojnë, jo vetëm pasurinë, por dhe ekzistencën e tij. Prandaj Kolonel Shaberi, në radhë të parë kërkon të bindë avokat Dervilin, se ishe Shaberi i vërtetë. Deri tani, i thotë ai avokatit, kam qenë i varrosur nën trupat e të vdekurve, ndërsa tani ndjehem i varrosur nën të gjallët, të cilët kërkojnë të më rifusin nën dhe, më thellë seç isha. Avokati Dervili tashmë i bindur për drejtësinë e tij të munguar, bëri gjithçka për ta ndihmuar edhe me mjetet monetare, që ai ta fitonte gjyqin për ekzistencën e tij dhe pasurinë. Kjo, sepse avokati i ri ishte bindur se kishte të bënte me një njeri të drejtë, që kishte 10 vjet që rendtte si endacak.

Në këto çaste Shaberit të mjerë iu duk se kishte rilindur përsëdyti. Para syve të tij tashmë dukej sikur kishte shkrirë ajo dëborë që dikur i kishte ngrirë kokën dhe i jepte pamjen e një meiti eskimezi dhe jo të një konti perandorak francez. Për ta bindur avokatin Dervili se ai ishte Kolonel Shaberi i vërtetë i thotë këto fjalë: “Jam një fëmijë i gjetur, një ushtar që si pasuri ka kurajën, familjen dhe për atdhe Francën, që s’kam mbrojtje tjetër përveç Zotit. Baba kisha Perandorin”.

Pasi kishte dalë nga varri kolektiv, kishte mbetur lypsar në rrugët e Parisit. Ai nuk e dinte se gruaja e tij ishte martuar me kontin Ferro. Kontesha Ferro, edhe pse e dinte që Shaberi ishte gjallë dhe jetonte si lypës, nuk i dha atij asnjë ndihmë. Dokumentet që mbante Koloneli me vete ishin të sakta, prandaj avokat Dervili shpresonte për zgjidhjen e çështjes së shfuqizimit të aktit të vdekjes dhe marrjen e pronës. Roza Shapotel dhe Koloneli Shaber ishin martuar pa kontratë. Ndaj pasurinë e kishin të përbashkët. Kështu që pasuria e tij ishte vetëm 300 mijë franga. Ishte koha kur në Paris mjerimi binte shumë në sy, se ishte i shëmtuar.

Kolonel Shaberi, ai burrë i madh, që në atë kohë vendosi fitoren e betejës së Ejlaut, jetonte në një mjerim të thellë. Kur avokati Dervili shkoi ta takonte në banesën e tij të zymtë, pa muret plot lagështirë, pelerinën e tij të varur dhe tryezën e grirë nga krimbat, mbi të cilën qëndronte hapur “Buletini i Ushtrisë së Madhe”. Kërkesat e tij legjitime të plakut të mjerë ishin: “Më ktheni gruan time dhe pasurinë, më jepni gradën e Gjeneralit, e cila më takon, sepse jam graduar kolonel në gardën perandorake në vigjiljen e Betejës së Ejlaut”!

E pranoj, që juve u takojnë këto privilegje, thotë avokat Dervili, por e para gjë që duhet të fitojmë është të provojmë juridikisht, se ju jini gjallë, sepse kundërshtarët e këtij gjyqi e kundërshtojnë atë. Vështirësia ishte, se Shaberi nuk kishte fëmijë me vejushën, ndërsa konti Ferro kishte dy djem me të.

Kështu që Koloneli do të kishte përballë dy kundërshtarë dinakë e të fuqishëm, ish-gruan dhe bashkëshortin e saj të ri. Por edhe faktin që Koloneli nuk kishte para të paguante seancat gjyqësore. Ndaj ai shpesh e humbiste kurajën. Por përsëri e merrte veten duke thirrur: Do të shkoj në Paris, ku është ngritur një përmendore në kujtim të fitoreve të Napolonit dhe do të bërtiste: “Unë jam, ai Shaberi që kam luftuar në Ejlau.

Edhe bronxi do të më njohë”! Por, fatkeqësisht, ishte koha kur qeveria e radhës kërkonte t’i zhdukte njerëzit e Perandorisë. Kundërshtarët e gjyqit, konti dhe kontesha Ferro ishin bërë të fuqishëm. Ferro i ri i qëndroi besnik Luigjit XVIII. Ai u bë aq i njohur, sa dhe vetë Perandori nisi merrte me lajka. Kontit i premtonin se do t’i jepnin pronat, bile dhe poste në qeveri. Më pas, ai do të bëhej edhe ministër e senator.

Kur Shaberi kishte vdekur konti Ferro ishte një djalë i pashëm 20-vjeçar, që tërhiqte vëmendjen e femrave. Zonja Ferro, si një grua e djallëzuar që ndiqte burrat me pushtet e para, mundi t’i fitojë zemrën partnerit të ri, kontit Ferro, me të cilin u martua 18 muaj pas “vdekjes” së burrit të saj të nderuar Kolonel Shaberit.

Në këtë martesë të re Zonjën Ferro nuk e shtyu dashuria që ndjente për kontin e ri, por etja për të hyrë në gjirin e një sëre të re të pasurish e pushtetarësh, për të realizuar ëndrrat e çmendura të saj për pasuri. Me këtë martesë ajo do të bëhej një zonjë e madhe. Konti Ferro, për sekretar kishte marrë Delebekun, një njeri që dinte sekretet e fitimit dhe të mashtrimit skrupuloiz. Kontesha Ferro e kishte bindur Delebekun se kontin Ferro e sundonte ajo, dhe se do ta emëronte Kryetar Gjykate në një qytet të rëndësishëm.

Ndaj Delebeku u bë skllav i bindur i konteshës Ferro. Franca, në fillim të vitit 1918, po vendosej në disa shina të reja, të cilat dukeshin sikur nuk do të shembeshin kurrë. Njerëzit besuan se reformat e reja do të sillnin begatinë, por korrupsioni nisi ta brente përsëri. Kontesha dhe konti Ferro kishin nisur një revansh të madh për pushtet dhe para. Ata ishin bërë pjesë e një aristokracie të pushtetshme të lidhur ngusht, si me pushtetin perandorak, ashtu edhe me atë mbretëror. Zemrën dhe shpirtin ua kishte gllabëruar “kanceri” moral dhe korruptiv.

Që kur z. Ferro e mori vesh se Kolonel Shaberi ishte gjallë, nisi të lëvizte gurët për të shpëtuar pronën që i kishte lënë ai. Ëndrra të shumta nisën ta ngacmonin atë, por shpëtimi i pasurisë së trashëguar nga i gjori Shaber ishte e para . Këtë e kishte kuptuar edhe avokati Dervil. Ndaj meditonte me vete: “Një grua e bukur, por tepër e djallëzuar nuk do të pranonte kurrë burrin e saj plak, me pelerinë të vjetër dhe çizme të grisura”.

Dhe këtë kundërshtim ajo e bëri menjëherë, sapo avokat Dervili i tha, se Kolonel Shaberi është gjallë, të cilën e quajti gjepur të marrë. E si mund të jetë gjallë Koloneli, thotë ish-bashkëshortja e Shaberit, kur vetë Bonoparti më dërgoi një adjutant për të më ngushëlluar për vdekjen e tij!? Por, le ta zëmë se ai është gjallë, vazhdon ajo, a nuk do të qe më e arsyeshme që gjyqi të më njihte martesën me burrin e dytë, me të cilin kam dhe dy djem. Siç duket, ajo përgatitet për të bërë ndonjë dredhi për mospranimin e ekzistencës gjallë të bashkëshortit të saj, Shaberit.

Si gur prove për tipizimin e dy protagonistëve të kësaj novele, Balzaku vë përballjen mes Kolonel Shaberit, njeriut që edhe pse pa vdekjen me sy, ruan lart dinjitetin njerëzor dhe dashurinë bashkëshortore, nga njëra anë dhe konteshës Ferro, nga ana tjetër, e cila, për të shtuar pasurinë dhe për të ruajtur ofiqet, martohet me kontin Ferro. Kontesha Ferro ishte, jo vetëm një grua pa moral, por dhe mashtruese e tepër dinake. Për 3 ditë me radhë ajo u shfaq para bashkëshortit të saj si grua shembullore, duke u sjellë sikur vazhdonte ta dashuronte atë marrëzisht. Hiqej sikur bënte gjithçka për t’ia fshirë vuajtjet nga mendja dhe shpirti, por në fakt bënte të kundërtën. Ajo synonte t’i mohonte ekzistencën, me qëllim që t’i rrëmbente pasurinë. Për këtë, ajo shfrytëzonte mirësinë, sinqeritetin dhe ndershmërinë e lartë të Kolonel Shaberit të lodhur dhe stërmunduar nga jeta.

Kontesha Ferro, aq mashtruese ishte, sa për ta bindur se vazhdonte ta donte, i përgjërohej me fjalë të tilla: “Unë do të isha gati të sakrifikoja jetën për ju. Po të mos kisha këtë fëmijë të mitur, do të isha arratisur bashkë me ju. Prandaj, për hir të tij, pranoni se Kolonel Shaberi i vërtetë nuk jini ju! “Ndërsa Shaberi i shumëvuajtur, edhe pse shumë i njerëzishëm, vetëm ekzistencën e vetvetes nuk mund ta mohonte dot, sepse me këtë veprim fshinte lavdinë, emrin dhe dinjitetin e tij. Në duelin mes Shaberit dhe konteshës intrigante, triumfoi shpirtërisht Koloneli zemërbardhë.

GRACKA E KONTESHËS

Grackën kundër Kolonel Shaberit, kontesha Ferro e përgatiti nëpërmjet avokatit Delebek, i cili në fshehtësi, nëpërmjet një noteri, kishte përgatitur një akt noterial me terma të pakuptueshme.

E gjithë ajo lojë, e luajtur me dredhi nga kontesha Ferro, s’ishte gjë tjetër veçse një tragjikomedi për të rivrarë për së gjalli Kolonel Shaberin e dërmuar nga fatkeqësitë e jetës. Kur Koloneli e kundërshtoi kërkesën e avokatit të korruptuar Delebek, për të firmosur vdekjen e tij, ai, për ta ironizuar atë, thotë: “Kali plak na priti me këmbët e para”. Ndërsa Kolonel Shaberi, kur kupton dredhinë e konteshës Ferro, i drejtohet asaj me këto fjalë sarkastike: “Zonjë, nuk ju mallkoj, ju përbuz! Tani, vetëm falënderoj fatin që na ndau përjetësisht. Nuk ju dashuroj më. Jetoni e qetë në besën e fjalës time, e cila vlen më shumë se shkarravinat e gjithë noterëve mashtrues të Parisit.

Emrin tim të lavdishëm nuk do ta kërkoj më. Jam vetëm një qytetar i quajtur Isaent, dhe nuk kërkoj gjë tjetër veçse diell. Lamtumirë!” Dhe ai u zhduk për gjithë, në shenjë proteste ndaj këtij realiteti të hidhur, që, pasi ke luftuar e vuajtur të zitë e ullirit, të mohojnë edhe ekzistencën, edhe pse tërë jetën u përplas si një gur nga njëra ujëvarë tek tjetra. Pastaj zhytet mes lumit të leckamanëve që lëvrinin udhëve të Parisit.

Po ç’ndodhi më vonë me Kolonel Shaberin?! Le ta përmbledhim me pak fjalë fundin e trishtë tragjikomik të këtij njeriu të ditur, trim dhe me zemër të madhe: Kur avokat Dervili, pa e ditur se ç’ndodhi me çështjen e Kolonelit, kërkonte të paktën shpenzimet që pagoi për çeljen e gjyqit të tij, ekonomi i kont Ferros, emëruar rishtas kryetar një gjykate të shkallës së parë, i shkroi këtë lajm të hidhur: “Zonja Ferro më ngarkoi t’u njoftoj se klienti juaj kishte abuzuar me besimin tuaj dhe se i vetëquajturi, Kolonel Shaberi, ka pranuar vetë se ka përvetësuar padrejtësisht cilësi të rreme”. Ishte i ashtuquajturi kryetar i ri i gjykatës, që e kishte dënuar atë me 2 muaj burg, vetëm se kishte kërkuar të vërtetën se ishte gjallë.

Padrejtësia korruptive e atyre gjykatave kish arritur deri atje, sa të mohonin ekzistencën. Këmbëngulja për të gjetur të drejtën, bëri që Kolonel Shaberi të rivdiste për së dyti, duke u izoluar përjetësisht në azilin e të varfërve. Është kjo arsyeja që, ushtari i mençëm Shaber thotë: “M’u neveritën njerëzit. Për mua, është më mirë të kesh ndjenja shpirtërore, sesa rroba luksi. Nga kushdo që më përbuz, nuk më trembet syri.

Ai ishte një njeri stoik. Edhe pse i kishte humbur të gjitha, gëzohej që kishte një zëmër njeriu. Ja si e përshkruajnë atë Dervili dhe Godeshi, kur e shohin në azilin Bister, të dëshpëruar, por jo të mundur e të rrënuar: “Kolonel Shaberi i ngjante një poeme të gjallë”.

Në portretin e tij lexohej një dramë tragjikomike e rrallë. Kur ata e thirrën me emrin e tij të nderuar, ai u përgjigj me këto fjalë: “Tani e tutje do të jem Isaenti dhe jo Shaberi, sepse nuk jam më një njeri i lirë, por numri 164 i pavijonit të shtatë. Jam një i dënuar me vdekje”. Dhe kush?! Kolonel Shaberi, ai që luftoi përkrah Napolonit të madh për pushtimin e Egjiptit dhe gjithë Europës, ndërsa tashmë dënohet të vdesë në azilin e pleqve nga një gjykatë e korruptuar.

/Gazeta Panorama

Exit mobile version