Koloneli: Mimi, ‘shtriga’ që po ha pilotët shqiptarë

“Një ngjarje tragjike u regjistrua nga rrëzimi i një helikopteri të Forcave të Armatosura, me pasojë vdekjen e dy pilotëve dhe një të treti të plagosur. Është humbja e dytë e madhe për popullin shqiptar, pasi jo më larg se një vit më parë vdiq edhe një pilot tjetër shqiptar, major Sokol Feka, në rrethana më pak dinjitoze, siç ishte transporti i drogës nga Maroku në Spanjë.
Nëse me pilotin Sokol Feka, të gjithë lanë duart duke u distancuar sa më parë, me të ndjerët e aksidentit të sotëm kemi një ‘vrap’ për t’i shpallur heronj. Shefi i Shtabit doli dhe u kujdes të theksonte se 2 pilotët ishin shumë të talentuar dhe me eksperiencë?!
I detyruar të jepte një informacion shtesë, deklaroi se helikopteri është marrë në dorëzim në fund të vitit 2015, pra vetëm 2-3 muaj më para. Nuk është habi që udhëtimi i sotëm në rastin më të mirë, mund të jetë i 3-ti, i 4-ti për atë helikopter.
Por sa e vërtetë është që pilotët e ndjerë ishin të talentuar e me eksperiencë?
Profesioni i pilotit nuk është art, më shumë se sa talent e dhunti, është profesion që fitohet me eksperiencë dhe stërvitje të vazhdueshme. Fakti që piloti kryesor i helikopterit ishte kapiten dhe piloti ndihmës toger, është një shkelje e rëndë e masave të sigurimit teknik. Sepse fakti që i ndjeri ka gradën kapiten do të thotë se ai ka 5-9 vite eksperiencë, kurse rregullorja përcakton që piloti kryesor të jetë major e lart deri kolonel apo edhe gjeneral në disa ushtri të shteteve të NATO-s. Do të thotë që të ketë të paktën 15-20 vjet eksperiencë.
Dhe kjo rregullore është për helikopterët me të cilët pilotët kanë vite që kanë shërbyer, fillimisht si ndihmës pilot e pastaj pilot kryesor. Pra, e njohin shumë mirë këtë mjet fluturues.
Por, ne kemi të bëjmë me një helikopter të sapoardhur, kështu që për pilotimin e tij, në pozicionin e pilotit kryesor nuk do të mjaftonte as grada major, por n/kolonel apo kolonel.
Kurse ne mësojmë se aty ka qenë pilot kryesor një kapiten dhe ndihmës një toger?!?!
Kjo është njësoj që një drejtues mjeti i një autoveture, me leje drejtimi A apo B, t’i jepet të drejtojë një MAUNE shumë të madhe, drejtuesi i të cilës duhet të ketë vite të tëra eksperiencë dhe leje drejtimi D.
Pilotimi i një helikopteri me pilot kryesor një kapiten dhe ndihmës një toger mund të ndodhë vetëm në situata lufte, kur piloti kryesor major e sipër, është vrarë dhe tashmë në kushte emergjente dhe mungese stafi. Duhet dikush të lëvizë këtë mjet. Por shefi i Shtabit deklaroi se helikopteri ishte në një fluturim ‘rutinë’ stërvitor?!
Por, edhe sikur të pranojmë (të papranueshmen), që për shkak të talentit të veçantë që kishin dy të ndjerët, pavarësisht nevojës së plotësimit të eksperiencës së duhur, mund t’u besohej drejtimi i një helikopteri të sapoardhur. Pra, të pranojmë se nuk janë shkelur rëndë rregullat e sigurimit teknik, atëherë meqë kemi të bëjmë me pilotë të talentuar, siç deklaroi shefi i Shtabit, përjashtohet ‘gabimi’ njerëzor, i bie problemi është i helikopterit. Për më shumë që ky helikopter është i ri.
Vallë si e kanë pranuar Ministria e Mbrojtjes një helikopter me probleme teknike??!!
Çfarë tjetër duhet të ndodhë që Mimi, të japë dorëheqjen?!
Kush duhet të mbajë përgjegjësi për pranimin e një helikopteri defektoz që ka kushtuar miliona euro nga taksapaguesit shqiptarë?!
Po kostoja e stërvitjes së një piloti?! Që e tejkalon edhe vetë koston e një helikopteri?! Dhe në vetëm një vit kemi 3 pilotë të humbur?! Pra, përveç humbjes tragjike për të afërmit dhe të dashurit e tyre, humbja e pilotëve është edhe e shumëfishtë dhe e prek tërë popullin shqiptar, se jo vetëm janë të paktë në numër, por edhe sepse përgatitja e një piloti kërkon miliona euro.
Por, situata është më e keqe edhe se aq…
Do të donim thjesht të ishte një shkelje e rëndë e rregullave të sigurimit teknik, që u mbyll me 2 jetë të shtrenjta pilotësh të humbura dhe që normalisht duhet të pasojë me disa dorëheqje, duke filluar nga ministrja, shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe komandanti i Forcës Ajrore dhe disa ushtarakë të tjerë, që direkt ose indirekt janë përfshirë, qoftë në pranimin e një helikopteri defektoz apo edhe në planizimin e gabuar për këtë stërvitje. Në këtë rast do të ishte humbja më e vogël.
Do të donim, por ja që nuk është ashtu…
Situata është shumë më keq. Kjo situatë është rezultat i pasojave të veprimeve që kjo ministre e paaftë ka ndërmarrë që kur është vendosur në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Ajo është sjellë me ushtrinë si me pronën e babës së vet. Ka përjashtuar apo edhe më keq arrestuar, nga Forcat e Armatosura ushtarake kompetente (Rasti i Kolonel Dritan Demiraj, Gjeneral Syrja Gjoka etj.), thjesht se sipas këndvështrimit të saj ishin të palës tjetër dhe i ka zëvendësuar me ushtarakë inkompetentë, mjafton të firmosnin çdo gjë që ajo kërkonte.
Ajo as ka nevojë të këshillohet, thjesht i do për të firmosur, thjesht për sfond.
Dhe me një staf të tillë, ushtarakë të trembur dhe jo profesionistë, pasoja si kjo e sotmja është thjesht e radhës, për fat të keq jo e fundit.
E mbani mend se si u turpërua kjo Zonjë me rastin e dekorimit të kriminelëve të luftës?! Kërkoi edhe ‘falje’, por pa pikë turpi vazhdoi të qëndrojë akoma ministre?! Kishte hedhur firmë pa e ditur për çfarë hedh firmë? E mbani mend se si justifikohej?!
E dini sa ushtarakë kanë gradën shkencore “Doktor” në fushën e historisë?!
Disa dhjetëra të tillë, që paguhen edhe me shtesë rroge nga taksat e shqiptarëve dhe që japin mësime në auditoret e Akademisë së Mbrojtjes. Kjo zonjë pa pikën e turpit, megjithëse kishte në dispozicion me dhjetëra Dr. Shkencash në fushën e historisë, nuk ngre komisionin me ta, që të gjejë njerëzit që meritojnë të dekorohen dhe jo kriminelë, që kanë marrë jetë shqiptarësh, por shkon tek sigurimet shoqërore dhe aty merr listën e gjithë atyre që kanë shtesë pensioni si ‘veteranë lufte’ dhe kjo u jep dekoratë?!
Ja pra, se kë kemi si ministre të Mbrojtjes, ne që mburremi se jemi vend i NATO-s, një e paaftë që disa dhjetëra historianë ushtarakë i injoron dhe si kriter vlerësimi për kontributet e njërit apo tjetrit në historinë shqiptare, merr sigurimet shoqërore?! Këtë mund ta bëjë vetëm Mimi dhe vetëm në Shqipëri?!
Duke u kthyer tek ngjarja, mjafton të shikohet se kush është në krye të Forcave Ajrore (http://www.aaf.mil.al/…/kush…/3366-komandant-i-forces-ajrore), një gjeneral, i cili që nga viti 2004, pra mbi 12 vjet, që ka qenë i shkëputur nga ambienti i mjeteve fluturuese që kanë Forcat e Armatosura dhe e tërë eksperienca e tij me mjetet fluturuese është ajo e aeroplanëve të lodhur e të dalë jashtë përdorimit – MIG, që edhe pse u është vendosur një çmim qesharak prej 8000 $ askush nuk i blen. Dhe të vendosësh në krye të një force ajrore, dikënd që kurrë nuk ka shkëlqyer në atë fushë, ngjarja e sotme, do të ishte e paevitueshme.
Por, përsëri ka akoma më keq…
Më shumë se problem planizimi, situata e rënduar ka shkuar në ekstrem. Pilotët më të mirë shqiptarë dhe me eksperiencë tashmë nuk janë pjesë e Forcave të Armatosura shqiptare. Si pasojë e mosvlerësimit të tyre, në një situatë kur askush nuk ua njeh kontributet dhe vlerëson aftësitë, ata janë detyruar të braktisin Forcat e Armatosura dhe secili të sistemohet ku të mundet për të mbajtur dhe ushqyer familjen. Dhe në Forcat e Armatosura kanë ngel vetëm pilotët e rinj, që pavarësisht kushteve të rënda, duan të përdorin burimet e Forcave Ajrore, që të krijojnë më shumë eksperiencë.
Pra, kjo ministre, i kthehu në një shkretëtirë Forcat e Armatosura, më të mirët i përzuri, qoftë direkt ose indirekt, duke ua bërë të pamundur qëndrimin e mëtejshëm në ushtri. Çdo 2-3 muaj bëhen struktura të reja dhe çdo 2-3 muaj bëhen lëvizje të ushtarakëve pa plan, pa qëllim nga njëri qytet në tjetrin, duke i ndarë nga familjet dhe duke bërë edhe më të vështirë qëndrimin në ushtri.
Dhe si pasojë do të kemi ushtarakë të tredhur, inkompetentë dhe amatorë, të cilët ligji i mbijetesës i detyron të qëndrojnë në ushtri për të shfrytëzuar burimet e Forcave të Armatosura derisa të fitojnë eksperiencën e duhur për të dalë në jetë.
Një dëshmi tjetër e asaj që thamë më lart, janë edhe Forcat Detare. Edhe pse Forcat Detare kanë pasur, por ndoshta kanë akoma ushtarakë karriere të kësaj fushe (Detarisë), Mimi kujton se ka të bëjë me strukturat e Partisë Socialiste që mund të emërojë njerëz alla Jozela, ka vendosur në krye të Forcave Detare një ushtarak që detin e ka parë vetëm kur shkon në plazh.
(http://www.aaf.mil.al/…/kush…/3446-komandant-i-forces-detare)
Mendoni vetë…
Në kushtet kur Shqipëria, në mënyrë të njëanshme ka anuluar një marrëveshje shumë të ndjeshme të kufijve detarë (si pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese) me fqinjin problematik Greqinë dhe që kjo e fundit nga ana e saj, kërkon rishikim të kësaj marrëveshjeje, çfarë mund të vendoste komandanti i Forcave Detare, një ushtarak që shumicën e karrierës e ka kaluar në ofiçina ‘Zisash’ dhe furnizime orizi dhe patatesh?! Atë e zë deti edhe kur hipën në anije e lëre pastaj t’i drejtojë Forcat Detare apo të marrë vesh nga kufijtë detarë dhe konventat ndërkombëtare të ujërave midis shteteve?!
Dhe të vendosësh në krye të Forcave Detare, ushtarakë që karrierën e vet e kanë ndërtuar në ofiçina dhe furnizime qepësh e domatesh, në një kohë kur Forcat Detare kanë pasur akademinë e vet, që ka nxjerrë me mijëra ushtarakë, të cilët shërbejnë akoma në Forcat e Armatosura, në rastin më të mirë është paaftësi, por që në një vend normal shoqërohet me mbajtje përgjegjësi të rënda për këto emërime, që lusim Zotin të mos shoqërohen me tragjedira si kjo e sotmja.
Nuk do shumë të lodhesh për të dalë në përfundimin se zotëria është vendosur aty për të firmosur koncesione alla Rilindje, për shumë prona ushtarake në breg të detit, përfshirë edhe vetë ishullin e Sazanit dhe Gadishullin e Karaburunit.
Së fundi ngushëllimet e sinqerta familjarëve të pilotëve. Ata vërtet janë heronj dhe jo sa për sfond që Mimi do i shpallë si të tillë nesër, për të mbuluar paaftësitë dhe përgjegjësitë e saj dhe të vartësve, por janë heronj se edhe pse në kushte mbijetese ata vazhdonin të shërbenin në Forcat e Armatosura.

F.A”.

Artikulli paraprakPE kritikon Ramën për masakrën në Lumin e Vjosës
Artikulli tjetërRama i do kriminelët me pushtet