Kolonjari

Nga Edison Ypi

Kolonjari
Nëse po flet për një shkodran, pejan, gjakovar, tetovar, korçar, lab, dibran, matjan, tropojan, kuptohesh menjëherë, nuk e ke të vështirë të bësh të qartë për çfarë lloj njeriu e ke fjalën. Të mësipërmit, si dhe ca të tjerë, por jo të gjithë, janë me tipare psiko-fizike të gjalla, të theksuara, janë pra me identitet, dhe si të tillë, lehtësisht të dallueshëm.

Ama nëse fjalën e ke për filanin apo fistekun nga disa nahie të tjera, që s’po i emërtoj se na zemërohen, ke hyrë në mjegull, tiparet individuale nuk shquhen, zor se arrin të përcjellësh ndonjë gjë, belaja të ka gjet’. Ka pra shqiptarë me identitet të fortë dhe me identitet të dobët. Jashtë çdo dyshimi, ai ndër shqiptarët që e ka identitetin më të fortë se gjithë të tjerët, është Kolonjari.

Një llaf i moçëm thotë:

“Kolonjar festen mënjanë, Pilon gjetën, Pilon vranë”.

Sepse kolonjari është tepër serioz, tepër krenar, tepër kokëshkretë. Që në pamje. Që nga mënyra si e mban festen. Ka pra identitet aq të fortë, sa po e nisi diçka, nuk i ndahet. Do e çojë patjetër në fund. Me çdo kusht. Në çdo rrethanë. Me shpirt ndër dhëmbë. Edhe kur gabon. Edhe kur vret.
Ja një tjetër proverb kolonjar. Këtë herë me një ngarkesë mashështore autoironie nga ajo që proverbin e bën Art:

“Hidh një gur në një ferrë, të dalin dyzet bejlerë”. Po pra. Sepse, sa i përket rangut shoqëror apo respektit reciprok, edhepse fukarenj, kolonjarët kanë qënë dhe janë të gjithë të barabartë në nivel të lartë. Një ditë një kolonjar 24 karat si gjithë kolonjarët, se kolonjar me më pak karat nuk ka, më tregoi një kartolinë të vitit 1922. Në atë kartolinë ku tregohen disa zonja dhe zojusha veshur e mbathur e krehur e ngrehur sipas modës pariziene të atyre viteve në një event. Në faqen e pasme të kartolinës zverdhur nga koha, shkruhet me gërma shtypi:

Ballo në Starje 1922

Në atë vit mund të jenë bërë Ballo në Korçë, Durrës, Tiranë. Ama, falë identitetit të jashtzakonshëm kolonjar, zor se janë bërë Ballo dikund tjetër në katunde. Kolonjari është pjesë e një komuniteti me vetdijë qytetare të rrënjosur thellë gjatë shekujve: nën lëkurë, në ind, në qelizë, në gjak, në gen.
Jashtë çdo klisheje ofenduese dashakeqe, të qënët fshatar apo katundar, në Kolonjë është përmasë e munguar, dukuri e panjohur.

Në Kolonjë nuk ka as fshatarë as katundarë. Në Kolonjë ka vetëm Kolonjarë.
Me Lis Gjeneralogjik, meselera, apo siç quhen “kolonjarllëqe”, debate të zjarrta politike, ekonomike, gjeopolitike, gjeostrategjike, të gjitha me përmasa ndërkontinentale, në Kolonjë njësoj si në Kembrixh apo Oksford ka vetëm qytetarë të gdhendur, të shkolluar, të mirëinformuar që mund të flasin me gjithkend dhe për gjithçka.
S’ka Kolonjar të denjojë të flasi për çështje që ngërthejnë më pak se një milionë kilometra katrore.
Në Kolonjë, edhe kolonjari më i humbur i fshatit më të largët, as e shkon ndërment se mund të jetë më pak se një europian i qytetëruar, sot e mot e përgjithmonë, krejt njëlloj si parizien, milanez, apo londinez. Ka një shembull relativisht të freskët që e dëshmon vetëdijën qytetare të kolonjarëve:

Kur më 1997 anekënd vendit sharronte kalashnikovi, shpërthente tritoli, therte thika, vidhnin bandat, dhe shteti u ç’thur e u ç’bë i tëri, edhe në fshatrat më të thella të Kolonjës, sipas parimit të lartë kolonjaresk se “Shteti duhet ndihmuar më tepër në kohë të vështira”, kolonjarët paguan rregullisht faturat e korentit, taksat, dhe krejt detyrimet.Kolonjari ësht shtetbërës i lindur.

Çdo Kolonjar është shtetar. Kolonjari nuk idhnohet, nuk mërzitet, nuk revoltohet, edhe kur pret me vite rastin fatlum për tu kyçur në sistem, për të dhënë ndihmesën e vet përmes një punësie në administratë, ku do punojë me devotshmëri ekstreme, me seriozitet dhe ndershmëri absolute. Banorët e zonave limitrofe kudo në botë nuk shquhen për ndonjë besnikëri kushedi se çë ndaj vendit që i përkasin. Flirtojnë me fqinjët. Spiunojnë. Komplotojnë. Sidomos kur besimi fetar është i njëjtë.

Kristianët ortodoksë të Kolonjës, janë një përjashtim madhështor i këtij rregulli në dukje të pathyeshëm. Kolonjari i atdhedashurisë së pakufishme është po aq i afërt sa dhe vigjilent ndaj grekut të Kalit prej druri. Ka ca kokrra budallenj kokpalarë e trushpëlarë që thonë se kolonjari është komunist i pandreqshëm.
Asgjë nuk e provon këtë gënjeshtër. Por edhe nëse tek-tuk ka ndonjë, ai thjesht është, nuk fshihet, nuk zvarritet, nuk qurravitet, demokrat, socialist, komunist, ballist, anarkist, monarkist, ambjentalist, nuk e ka as turp as drojë të shpallet.
Rilindasit më të devotshëm, jo si këta të sotmit që shkatërrojnë Shqipërinë për të bërë veten, por nga të pavdekshmit që shkatërruan veten për të bërë Shqipërinë, ishin kolonjarë.

Sot Botuesi më serioz, komunikatorët më në zë, intelektualët më të shquar, atdhetarët më të spikatur, janë kolonjarë. Hidhe Kolonjarin në Fund të detit. Flake prapa Hënës. Mbylle në një bunker betoni me mure dy metra të trashë. Lëshoje me parashutë në mes të Saharës ose në thellësi të xhunglës. Kolonjari kolonjar se kolonjar mbetet. Edhe ta vrasësh. Edhe mishin t’ja presësh. Edhe kockat t’ja bluash.

Çfarë e bën kolonjarin kaq të dallueshëm ? Era ? Shiu ? Uji ? Yjet ? Toka ? Qielli ? Nuk e di. Ndoshta të gjitha bashkë. Rëndësi ka që Kolonjari është njeri dhe shqiptar i jashtzakonshëm. Është kryelartë. Hedh hapin i sigurtë. Nuk sheh as majtas as djathtas por vetëm drejt, dhe kryesorja: Në duar nuk mban tas me fasule, as filxhan kafeje, as gotë birre, por libra.

Nuk u mburra. Rrëfeva ca të vërteta që të mos i mbulojë pluhuri i harresës, dhe të tjerët të marrin shembull nga Kolonjari atdhetar i paepur, delirant i këndshëm, idealist i pashërueshëm.

Artikulli paraprakTarifat e reja për pajisjen me patentë/ Autoshkollat në protestë: Nuk të vjen njeri, do shkojmë drejt falimentimit! Nëse nuk merret parasysh kërkesa…
Artikulli tjetër“Opozita të hyjë në Parlament”, Shehi: Beteja për bashkëkryetarin nuk ka rëndësi