Kombëtarja, asnjë lojtar nuk agjëron

Sipas burimeve të ekipit kombëtar, asnjë nga lojtarët nuk do të agjërojë, pasi ata do të jenë të fokusuar 100% në ndeshjet e Europianit. Në këtë mënyrë, ishin vetë lojtarët ata që mbyllën çdo polemikë të mundshme rreth ndikimit në performancën e tyre, të muajit të Shenjtë të myslimanëve, Ramazanit. Agjërimi mund të përbënte një ngarkesë shtesë për futbollistët, pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm. Kjo për faktin se, konsumi i vakteve do të kryhej në orare të pazakonta për një sportist në aktivitet.
Ushqimi mund të konsumohet në orët e para të mëngjesit, dhe pas orës 20:00 të mbrëmjes dhe sipas stafit teknik, kjo mund të kishte ndikim direkt në paraqitjen e skuadrës gjatë ndeshjeve: si në sfidën me Zvicrën, të shtunën në orën 15:00, por edhe në duelet përballë Francës dhe Rumanisë, që startojnë në orën 21:00 të mbrëmjes.
Pavarësisht se janë praktikantë të devotshëm, futbollistët e vendosën që në momentin historik të Kombëtares të lënë mënjanë sakrificën fetare dhe të sakrifikojnë në fushë, duke dhënë maksimumin për skuadrën dhe tifozët, për një paraqitje sa më të mirë të Shqipërisë në Kampionatin Europian të Francës.

Exit mobile version