Kombëtarja beson!

Kapiteni i Shqipërisë, Ansi Agolli, u fut si zëvendësues në miqësoren kundër Marokut, për të kursyer energji para ndeshjes ndaj Maqedonisë. Ai e cilëson si një paraqitje pozitive atë në Shkodër, por kërkon maksimumin në duelin e parë kualifikues të Botërorit 2018. “Ndaj Marokut them se ishte një ndeshje e vështirë. Ajo që mungoi ishte vetëm goli. Mendoj se luajtëm më mirë, edhe pse mund të bënim diçka më shumë. Megjithatë, edhe me barazim nuk është keq”, u shpreh mbrojtësi i krahut të majtë.
Ndërkohë, për duelin e radhës, që ka një rëndësi akoma më të madhe, ai shtoi: “Në ndeshjen me Maqedoninë e dimë se është një sfidë akoma e vështirë, por shpresojmë që të marrim një fitore. Ne do të bëjmë maksimumin që të paraqitemi denjësisht. Sa i përket kualifikimit në Botërorin e Rusisë për ne, them se mund të jetë një çmenduri që ta thuash si objektiv të realizueshëm, por futbolli i ka të gjitha rezultatet dhe asnjëherë nuk duhet përjashtuar asgjë. Do luajmë deri në fund me besim dhe motivim të madh”. Lojtari i Karabakut pritet të jetë në formacion më datë 5 shtator kundër maqedonasve.
Jahmir Hyka i mungon Kombëtares shqiptare prej një periudhë të gjatë, teksa aktivizimi i tij i fundit datonte më 15 tetor 2013 në sfidën eliminatore të kampionatit botëror të Brazilit ndaj Qipros. Rikthimi tek kuqezinjtë përkoi në një test miqësor, atë ndaj Marokut ku sinjalet e 28-vjeçarit ishin pozitive. Në konferencën për shtyp përpara sfidës së parë ndaj Maqedonisë e vlefshme për grupin G eliminator të Botërorit Rusi 2018, mesfushori i Luzernës evidenton ndryshimet tek kuqezinjtë. “U bënë dy vjet dhe nuk është një periudhë e shkurtër kjo. Gjërat kanë ndryshuar në Kombëtare dhe personalisht më pritën mirë. Më bën përshtypje fakti që lojtarët dinin se çfarë të bënin në fushë dhe u përshtaten shpejt skemave. Arritja e Europianit tregoi që fryma e grupit është e mirë dhe kjo është pozitive”, u shpreh Hyka.
Përshtatja me grupin e futbollistëve, por edhe me të gjithë ambientin kuqezi vihet re menjëherë, teksa nga Jahmir Hyka kërkohet një vlerësim për kundërshtarin. 28-vjeçari të krijon përshtypjen se ka qenë pjesë e grupit në çdo sfide. “Maqedonia është ekip i fortë dhe vijnë këtu për pikë, por nëse tregojmë lojën tonë si në Europian dalim me fitore”, tha ai.
Ajo që shqetëson në ecurinë e Kombëtares shqiptare është mungesa e golit, teksa trajneri Gianni De Biasi provoi disa variante taktike në miqësoren ndaj Marokut. “Nuk është e lehtë për sulmuesit, pasi nëse luajmë me një sulmues atëherë duhet të mbështesin mesfushorët. Këtë është munduar të na e shpjegojë De Biasi. Ndjehem mirë me skemat e përdorura teksa jemi gjithnjë në proces mësimi”, tha Hyka.
Dëshira e mesfushorit për të ndihmuar sa më shumë skuadrën në fushë është e madhe ashtu si tek çdo lojtar tjetër. Pasi bën të ditur se aktivizimi i tij është detyrë e trajnerit, Jahmir Hyka tregon dhe atmosferën që gjeti në ekip pas debateve të fundit nga largimet e disa kuqezinjve në drejtim të skuadrës së Kosovës. “Në grup nuk ka probleme midis kosovarëve dhe shqiptarëve, atmosfera është shumë e mirë dhe nuk ka asnjë shenjë negative”, përfundoi ai.

Exit mobile version