Kombëtarja, e gjitha në treg/ Priten lëvizje të shumta, tetë futbollistë jashtë planeve të klubeve të tyre

Pas një javë përfun don Kampionati Europian dhe menjëherë shumica e klubeve do të nisin përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Ndryshe nga më parë, kjo verë pritet të jetë “e çmendur” në aspektin e lëvizjeve të kuqezinjve. Duke nisur nga porta dhe deri te sulmi, shumë lojtarë të Kombëtares do të ndryshojnë ekip.

Dikush kërkohet nga një ekip më i mirë, dikush sepse ka përfunduar kontratën me klubin dhe ka dalë lojtar i lirë, dikush ka mbyllur me marrëveshje bashkëpunimin, por gjithashtu nuk përjashtohet edhe ndonjë rinovim i mundshëm me klubin që kanë qenë. Shumë kuqezinj janë në “pit stop” dhe presin se nga ku do ta nisin sezonin e ardhshëm.

“TË IKUR”– Etrit Berisha ka mbetur për momentin lojtar i lirë. Portieri u largua nga Empoli dhe pritet që të transferohet në Serinë B, megjithatë një pistë është edhe rikthimi në Suedi te Kalmari. Strakosha nga ana tjetër u sistemua tek AEK-u në kampionatin grek.

Marash Kumbulla është një tjetër lojtar që nuk bën pjesë në planet e Romës dhe për të po shihet një sistem i ri, ndoshta një shitje përfundimtare ose huazim me të drejtë blerje. Parma është e interesuar.

Elseid Hysaj hyn në këtë listë, pasi siç raportohet nga Italia, menaxheri i tij është shprehur se mbrojtësi e ka mbyllur me Lacion dhe është në kërkim të një ekipi tjetër.

Pritet të shihet se ku Hysaj do të luajë sezonin që vjen. Deri tani flitet për disa klube arabe. Pasi Sasuolo u rrëzua në Serinë B, shumë lojtarë pritet të largohen, mes tyre edhe Nedim Bajrami, i cili ka një klauzolë largimi prej 3 milionë eurosh, edhe pse është ende nën kontratë.

Klubet e interesuara janë Bolonja dhe Fiorentina, ndërsa shanset janë të mëdha që autori i golit më të shpejtë në historinë e Kampionateve Europiane të mos luajë në Serinë B sezonin e ri. Taulant Seferi ka mbetur në “pit stop”. Sulmuesi është duke pushuar në Maqedoni te familja dhe shumë shpejt do të zyrtarizohet në një skuadër të re. Ai ka edhe një vit kontratë me Vorskla Poltavën, por nuk do të qëndrojë në Ukrainë.

Transferimi i Jasir Asanit po merr përmasat e një telenovele. Nga janari anësori pritej të transferohej në Spanjë te Las Palmas, por klubi aktual Guangju rriti pretendimet dhe për këtë pati edhe një krisje me lojtarin, që i kushtoi atij përjashtimin nga ekipi. Edhe pse jemi në merkato dhe akordi me klubin spanjoll është gjetur, nuk po gjendet gjuha e përbashkët me koreanojugorët.

Kontrata i përfundon në dhjetor. Nuk mbaron këtu, pasi Keidi Bare nuk rinovoi me Espanjolin dhe një skuadër e re e pret shumë shpejt. Fieraku mbylli katër vite në Barcelonë dhe tashmë është gati për një aventurë tjetër. Destinacioni i mundshëm është La Liga ose kampionati grek.

Pa klub është edhe Odise Roshi, i cili përfundoi kontratën me Sakarjasporin dhe ende është në ajër për të ardhmen e tij. Anësori 33-vjeçar që prej disa sezonesh luan në ligën e dytë turke, pritet të gjejë një sistem ndryshe këtë verë.

NË “SHITJE”– Përveç shumë futbollistëve të Kombëtares të cilët janë të lirë apo jashtë planeve në klubet e tyre, ka edhe disa emra të cilët pritet të shiten këtë verë, duke nisur nga dy sulmuesit, Armando Broja dhe Rei Manaj. Për të parin kërkohen 25 milionë stërlina, ndërsa Sivaspori në Turqi ka vendosur një çmim prej 15 milionë eurosh për Manajn.

Ardian Ismajli gjithashtu mund të shitet nga Empoli. Emri i mbrojtësit ka dalë në kampionatin turk, ku Beshiktashi ka shfaqur interes. Po sërish në mbrojtje, Mario Mitaj s’ndihet mirë në Rusi dhe për të kanë qarkulluar disa pista në Serinë A.

Edhe për Mirlind Dakun ka pasur zëra, e fundit ka qenë një ofertë nga Kaljari në Itali. Një tjetër sulmues i cili pritet të largohet nga Granada është Myrto Uzuni, me beratasin që kërkon një ekip në La Liga dhe ka një klauzolë prej 12 milionë eurosh. Pra, sa shumë lëvizje që nënkuptojnë se e gjithë Kombëtarja është në treg.

Exit mobile version