Të katërt lojtarët do të bashkohen me skuadrën në Austri, pasi janë ende në aktivitet. Ndërkohë edhe Elhan Kastrati, portieri i tretë s’është stërvitur, pasi po kalon një gjendje gripale. Pjesa tjetër e futbollistëve zhvilloi normalisht seancën stërvitore, e cila zgjati rreth 1 orë e gjysmë.
VIJNË ME VONESË- Berat Gjimshiti do të bashkohet me skuadrën në Austri pas ndeshjes së fundit në Serinë A, mes Atalantës dhe Fiorentinës, e cila do të luhet më 2 qershor. Nëse do të jetë në fushë, kapiteni mund të humbasë ndeshjen me Lihtenshtejnin, e cila luhet një ditë më pas. Ndërsa Amir Abrashi do të luajë sot ndeshjen e fundit në Zvicër, e cila vendos fatet e sezonit, pasi Grasshopers diskuton mbijetesën me Thunin. Pas ndeshjes, mesfushori do të udhëtojë drejt Austrisë. E njëjta situatë edhe për Taulant Seferin, i cili do të luajë ndeshjen e fundit në Emirate nesër, edhe pse një takim pa rëndësi.
STËRVITJA- Kuqezinjtë fillimisht punuan në palestër, ndërsa më pas dolën në fushën e lojës, aty ku zhvilluan seancën stërvitore nën urdhrat e trajnerit Silvinjo dhe stafit teknik. Pas nxehmjes, programi ishte lojë brenda grupit, ku lojtarët u ndanë në dy skuadra. Ekipi i parë ishte: Hysaj, Ismajli, Mihaj dhe Aliji në mbrojtje. Në mesfushë: Bajrami, Medon Berisha, Ramadani, ndërsa përpara Maksuti, Daku dhe Asani. Nga skuadra tjetër u rreshtuan: Balliu, Kumbulla, Ajeti, Mitaj, Gjasula, Asllani, Muçi, Hoxha, Manaj dhe Broja.
Lojta zgjati 3 herë nga 10 minuta, ndërsa mes saj, Gjasula nuk kursen Medon Berishën, të cilit i kujton se tashmë është në Kombëtaren A, duke e bllokuar disa herë. Ajo që bie në sy, është futja në një ekip e Muçit, Brojës, Manajt dhe Arbër Hoxhës, të cilët mundohen të kombinohen me njëri tjetrin, sidomos dyshja, Broja-Manaj. Ndërkohë, Silvinjo që është tepër aktiv dhe kërkon nga Daku dhe Asani që të mos tolerojnë, por topin ta fusin gjithmonë në rrjetë. Në fund të seancës, Manaj, Asani, Hoxha apo Berisha qëndruan për të praktikuar disa goditje të lira.