Në ditën e 20-vjetorit të vrasjes për votën e lirë të “Dëshmorit të Atdheut”, Kujtim Frangu, u zhvillua ceremonia e vendosjes së eshtrave të tij në “Varrezat e Dëshmorëve” të Atdheut në Tiranë. Ceremonia u organizua nga Bashkia Mat, në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut Dibër, Ministrinë e Mbrojtjes dhe familjen e “Dëshmorit të Atdheut”, Kujtim Tofik Frangu. Homazhet përkujtimore nisën në orën 10:00 pranë Muzeut Historik në Mat dhe më pas autokolona u nis nga Mati drejt Tiranës për në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Në orën 14:00 eshtrat e martirit Kujtim Frangu u vendosën në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë. Në ceremoninë e rastit merrnin pjesë zyrtarë të lartë dhe deputetë të opozitës, familjarë dhe të afërm si dhe qytetarë të shumtë.
Kujtim Frangu u vra më 6 korrik 1997 në qendrën e votimit në fshatin Lis të Matit. Në zgjedhjet parlamentare të 29 qershorit të vitit 1997, të cilat në rrethin e Matit u zhvilluan më datë 6 korrik 1997, Kujtim Frangu ishte anëtar i komisionit të qendrës së votimit për Partinë Demokratike. Ai u vra për ruajtjen e vlerave demokratike dhe mbrojtjen e votës së lirë. Bandat e armatosura vranë pabesisht demokratin e orëve të para, i cili edhe në atë vit të vështirë të rebelimit mafiozo-komunist u bë shembull i qëndresës në mbrojtje të votës së lirë.
Kujtim Frangu lindi më 5 maj 1955, në fshatin Lis të rrethit Mat, në një familje patriotike matjane. Ai mbaroi shkollën 8-vjeçare në fshatin e lindjes me nota të shkëlqyera, më pas vazhdoi shkollën e mesme të përgjithshme në qytetin e Burrelit, ku u dallua për rezultate të mira dhe sjellje shembullore.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, atij iu ndërpre vazhdimi i studimeve të mëtejshme për shkak të persekutimit politik të babait të tij, Tofik Frangu, i dënuar për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor me 20 vjet burg. Idealizmi dhe përkushtimi i Kujtim Frangut karakterizon jo vetëm tërë veprimtarinë e jetës së tij, por edhe si komisioner i votës së lirë, për të cilën dha jetën i goditur me plumb nga një dorë gjakatare ditën e zgjedhjeve në vitin 1997.
PS, frikë nga vota e lirë
Ashtu si 20 vite më parë kur dora gjakatare vrau komisionerin e PD, Kujtim Frangu në qendrën e votimit për votën e lirë, edhe sot vota grabitet dhe blihet me paratë e krimit dhe drogës nga bandat për të mbajtur në pushtet Partinë Socialiste.
Një lloj si 20 vite më parë, Partia Socialiste po ndjek të njëjtat skema për të ardhur në pushtet jo përmes votës së lirë, por përmes terrorit dhe dhunës. Edhe në zgjedhjet e 25 qershorit të këtij viti bandat e PS kërcënuan me jetë zgjedhësit që të votonin për “Rilindjen” e Ramës. Ashtu si 20 vite më parë, komisionerët e PD u kërcënuan në qendrat e votimit nga bandat e pushtetit për t’i detyruar që të tjetërsonin votën e lirë në favor të Partisë Socialiste.
Në zgjedhjet e 25 qershorit, Partia Socialiste përdori paratë e drogës për të blerë votat. Në të gjithë vendin u organizuan trafikantët e drogës që kanë mbështetje nga PS, të cilën ndanë paratë e krimit për blerjen e votave. Një votë u ble deri në 100 euro, ndërsa në mbështetje të trafikantëve ishin edhe shefat e policisë së komisariateve në rrethe. Ishin po ata shefa policie, që lejuan kultivimin e kanabisin dhe trafikimin e drogës jashtë shtetit që bashkëpunuan me trafikantët në blerjen e votave.
Drejtorë dhe zyrtarë të lartë të pushtetit u kapën duke shpërndarë para me makina në këmbim të votës. Zyrat e PS në rrethe u kthyen në magazina dhe u mbushën plot me ushqime, për t’ua shpërndarë familjeve të varfëra në këmbim të votës. Ashtu si në ’97, PS e mbajti pushtetin me vota të grabitura dhe të blera.
R.POLISI