Komisionet online, Bardhi: Vendim i papranueshëm. 3 Grupet parlamentare të opozitës do të marrin vendimin deri nesër

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi ka reaguar pas propozimit të mazhorancës për mbajtjen online të komisioneve parlamentare, duke theksuar se ky është një akt për t’i mbyllur gojën opozitës.

Bardhi tha se do të mblidhen grupet parlamentare të opozitës pas këtij vendimi të mazhorancës në Konferencën e Kryetarëve.

DEKLARATË E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PD, GAZMENT BARDHI

Gazment Bardhi: Në emër të tre grupeve parlamentare të opozitës dua të informoj opinionin publik mbi një akt të paprecedentë të pakicës që ka uzurpuar parlamentin në Konferencën e Kryetarëve për t’i mbyllur gojën opozitës. Në përputhje me rregulloren e Kuvendit, vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe të masave të jashtëzakonshme mund të zhvillohen mbledhje online të komisioneve.

Mbledhjet e Komisioneve Parlamentare janë shumë herë më të rëndësishme sesa seancat plenare, nëse Parlamenti funksionon në një shtet demokratik.

Gjatë gjithë këtyre 8 viteve ne kemi parë një Parlament që është noter i akteve korruptive të qeverisë.

Prandaj dhe vendimmarrja për t’i mbyllur gojën opozitës, për t’iu fshehur opinionit publik, mes seancave qesharake online të komisioneve ka synimin e vetëm për t’i ikur përgjegjësisë mbi debatin, diskutimin mbi të gjitha aktet korruptive që qeveria sjell në Parlament.

Pa diskutim që kjo është e papranueshme për opozitën.

Ju keni raportuar sot, ne jemi mbledhur 140 deputetë në sallën e seancave plenare.

Para dy ditësh në sallë njësoj si ato të komisioneve parlamentare është mbledhur Këshilli i Ministrave, qeveria është mbledhur fizikisht në mbledhje.

Atëherë pse do të duhet që komisionet parlamentare të mos mblidhen sipas kushteve të përcaktuara nga Kuvendi i Shqipërisë, fizikisht dhe jo në mbledhje online?

Për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja. Unë kam konsultuar të tre kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës.

Gjatë ditës së sotme ose gjatë ditës së nesërme ne do të zhvillojmë një mbledhje të përbashkët të tre grupeve parlamentare.

Vendimi është i papranueshëm, është mungesë e plotë transparence dhe ka si qëllim t’i fshihet syve të opinionit publik, e përsëris, mbi akte korruptive të qeverisë për ta trajtuar ashtu siç kanë bërë këto 8 vite parlamentin si noter të këtyre akteve korruptive.

Pyetje: Z.Bardhi do të bashkëpunoni me maxhorancën sa i përket ndryshimeve kushtetuese dhe reformës territoriale? Dje ka patur një ftesë nga z.Gjiknuri për opozitën.

Gazment Bardhi: Së pari duhet të fokusohemi tek kjo ngjarje e rëndë që ka ndodhur sot në Konferencën e Kryetareve. Opozitës po tentohet t’i mbyllet goja në shkelje të rregullores dhe Kushtetutës e në këtë prizëm unë nuk besoj se ky është një parlament që funksionon. Secili prej nesh mund të kryejë reforma që i shërbejnë qytetarëve dhe interesit të qytetarëve.

Në një parlament ku në shkelje flagrante të rregullores së Kuvendit synohet t’i iket syve të publikut, t’i shmangesh transparencës dhe t’i mbyllësh gojën opozitës, pa diskutim që nuk mund të flitet për bashkëpunim, qoftë ky edhe institucional.

Pyetje: Z.Bardhi në dijeninë tuaj sa është numri i deputetëve që nuk janë vaksinuar?

Gazment Bardhi: Unë nuk kam dijeni për këtë. Konferenca e Kryetarëve ka marrë një vendim për t’i udhëzuar deputetët që të vaksinohen.

 

Exit mobile version