Komisioni antikorrupsion, gropa septike ku opozita jo vetëm bëhet pis por zhytet deri në fyt!

Nga Besart Logu

Rezoluta antikorrupsion e paraqitur ne Parlament nga Partia Socialiste, pas votimit, do të pasohet nga një komision parlamentar i posaçëm me objekt akoma të paqartë por që pretendohet se do të kalojë në filtra institucionet publike me qëllim rritjen e luftës kundër korrupsionit.

Si gjithmonë, Partia Socialiste nuk zhgënjen! Merr përsipër të luftojë korrupsionin në fund të mandatit të tretë, pothuaj një vit para zgjedhjeve. Nisëm që as militanti më i thekur socialist nuk e merr seriozisht sepse edhe ai që ka punuar për PS që të mbajë pushtetin i është dashur të paguajë për të marrë një shërbim publik.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka mbajtur qëndrim dinjitoz duke e refuzuar këtë propagandë elektorale të Edi Ramës. Do të ishte vetëvrasje politike për PD që të bëhej pjesë e komisionit antikorrupsion të PS. Ajo ka 11 vite që e ka denoncuar korrupsionin e kësaj mazhorance me emra konkret, emra që sot ndodhen pas hekurave apo nën hetim nga SPAK. PD ka 11 vite që e lufton korrupsionin dhe krimin që mbolli PS në tre mandate qeverisëse nëpërmjet ligjit të dekriminalizimit, kallzimeve penale në prokurori, ankimeve në Gjykatën Kushtetuese, propozimit të vazhduar për veting në politikë dhe sëfundmi me paketën për heqjen e imunitetit dhe fuqizimin e SPAK.

Nëse PS ka vullnet real, propozimet e opozitës janë të depozituara në Parlament por mbahen të mbyllura në sirtarët e Lindita Nikollës. Fundja, le ta bëjë edhe pa opozitën, ka me vete Belën e ARRSH, Lisën e doganave, Ulsiun e 184, Taulant Yaris, Delina gozhdën, Krifcën e AZHBR, Elvën e Butrintit, Oltën strategjike, Milvën e koncensioneve, Mimin e radarëve, Ndrecën e Metamorfozës, vëllain e Geronit, Damian Delaware dhe Kollçakun e Porto Romanos! Mund të marrë ekspertizën e Sajes, Tigrit, Kokës, Beqes, Bllakos, Dakos, Veliajt, Gjicit, Roshit, Tushes, Goros, Allës, Rexhës, Bushit, Bufit, Memollës, Sulit, etj.

Duket qartë se PS e ka kthyer në sistem korrupsionin pasi atë e gjenë në çdo zyrë të shtetit, qoftë në nivel qëndror apo lokal. Dhe si e tillë, ajo duhet të futet në zgjedhjet e 2025 si alternativa që stimuloi krimin e korrupsionin duke prodhuar vetëm varfëri dhe emigrim. Nëse PD futet në komision për të gjetur bashkë me Ramën shkakun e këtij niveli të paprecedentë korrupsioni, do të ishte kapitullim politik për të dhe si e tillë i bie të konkurojë në zgjedhje si barabartë me Ramën e jo me kartën morale e të paprekurës nga ky fenomen dhe që e ka denoncuar e luftuar për 11 vite.

Rama është i zhytur deri në fyt dhe komisoni parlamentar antikorrupsion është gropa septike që do ta bëjë pis PD. Kjo nisëm duhet refuzuar në mënyrë kategorike. Hajduti që bërtet “kapeni hajdutin” është një estradë bajate që duhet denoncuar si tentativa e PS për ti ikur përgjegjësisë së skandaleve të njëpasnjëshme në 11 vite qeverisje. Përrallat me dardha dhe kumbulla le t’ia tregojnë njëri tjetrin në mbledhjet e organizatës e jo shqiptarëve. Partia Socialiste duhet ndëshkuar me votë, si e vetmja mundësi që minimalisht të frenojë korrupsionin e sektit mavi.

Exit mobile version