Komisioni Europian: Kosova pa viza

Komisioni Evropian i ka propozuar të mërkurën Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë.
Komisioneri për Migrim dhe çështje të brendshme, Dimitris Avramopoulos i tha Radios “Evropa e Lirë”, se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga udhëzuesi për liberalizim të vizave dhe se shpreson se tani edhe Parlamenti Evropian dhe Këshilli, do ta miratojnë propozimin.
Komisioneri Avramopoulos tha se, megjithatë Kosova ka edhe dy kushte për të përmbushur përpara miratimit përfundimtar të propozimit.
“Ne po e vazhdojmë përkushtimin tonë për të propozuar udhëtimin e lirë pa viza në Bashkimin Evropian, për qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike. Kjo do të lehtësojë kontaktet ndërmjet njerëzve, do të forcojë lidhjet afariste, kulturore e sociale ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Ky është edhe qëllimi. Ky është rezultat i punës së madhe dhe përpjekjeve të suksesshme të autoriteteve të Kosovës në arritjen e reformave të rënda dhe gjithëpërfshirëse në fushën e drejtësisë dhe të çështjeve të brendshme dhe madje edhe përtej kësaj, siç janë fushat me ndikim ajo e sundimit të ligjit dhe të rendit dhe reforma në drejtësi”.
“Duhet të përgëzojmë Kosovën për këto arritje. Në raportin e sotëm të progresit, Komisioni konfirmon se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat nga udhëzuesi për liberalizim të vizave, duke marrë parasysh se me miratimin e këtij propozimi nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, siç e dini janë edhe dy hapa përpara, Kosova do të ketë ratifikuar marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe do të forcojë edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
“E di se sa i rëndësishëm është udhëtimi pa viza për qytetarët e Kosovës dhe siç e thashë edhe në fillim jam i kënaqur me përparimin e arritur dhe shpresoj se Parlamenti Evropian dhe Këshilli do ta miratojnë së shpejti propozimin tonë, tha komisionari Dimitris Avramopoulos për Radion “Evropa e Lirë”.

Artikulli paraprakPas UEFA-s, Kosova do të jetë edhe pjesë e FIFA-s
Artikulli tjetërKush është gjenerali amerikan në krye të NATO-s?