Komisioni Europian i propozon Këshillit të BE-së të ndryshojë kornizën e bisedimeve me Serbinë, duke e kushtëzuar anëtarësimin e saj në bllok me zbatimin e marrëveshjeve që ka arritur deri tani me Kosovën gjatë dialogut.
Radio Europa e Lirë shkruan se propozimi u dorëzua të premten dhe ndryshimet e mundshme prekin kapitullin 35 për Serbinë. Gjatë muajit dhjetor kryeministrja Ana Bërnabiç pati deklaruar se vendi i saj nuk do t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet për të cilat u pajtua me Kosovën.
Pas arritjes së Marrëveshjes në Bruksel në muajin shkurt të vitit të kaluar dhe aneksit për zbatimin e saj në Ohër në mars, Bashkimi Evropian kishte ngulur këmbë se këto marrëveshja janë ligjërisht obliguese për palët, pavarësisht se ato nuk janë nënshkruar.
Kapitulli i 35 i negociatave të anëtarësimit, i cili quhet “çështjet tjera” në rastin e Serbisë përfshin edhe normalizimin e raporteve me Kosovën. Ky kapitull ishte hapur ndër të parët qysh në dhjetorë të vitit 2015, për të përcjellë përmes tij përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Bashkimi Evropian në mënyrë të vazhdueshme u ka vënë në dukje Beogradit dhe Prishtinës se rrugëtimi tyre drejt anëtarësimit në bllok kalon përmes përparimit në normalizimin e marrëdhënieve.