Komisioni i Prokurimeve: 60% e tenderave kanë shkelje

Komisioni i Prokurimit Publik deklaroi se, numri i tenderave të kontestuar shënoi një rritje të ndjeshme gjatë vitit të kaluar, duke sinjalizuar se, institucionet publike kanë rritur dozën e abuzimeve financiare. “Gjatë periudhës 1 janar 2016 – 31 dhjetor 2016, janë regjistruar dhe marrë në shqyrtim pranë Komisionit të Prokurimit Publik 1,393 ankesa në total, për prokurimet publike, koncesionet, lejet minerare dhe ankandet ose 19.4 për qind më shumë se një vit më parë”, deklaroi KPP në raportin vjetor të vitit 2016. Por rritja e numrit të ankesave nuk është treguesi i vetëm, i cili dëshmon se abuzimet me paratë e taksapaguesve janë rritur. Një tjetër indikator shqetësues është edhe pjesa e tenderave, koncesioneve apo ankandeve që konstatohen me shkelje. Sipas KPP, gjatë vitit që shkoi, nga 1393 ankesat e shqyrtuara rezultoi se vetëm 40 për qind ishin tendera të rregull, ndërsa 60 për qind e tyre kishin shkelje serioze të ligjit, duke çuar në deformimin e rezultatit, por edhe rritjen e kostove për qytetarët. Gjatë kryerjes së veprimtarisë së tij, Komisioni i Prokurimit Publik për vitin 2016, në shumë raste ka konstatuar paligjshmëri në veprimet apo mosveprimet e autoriteteve kontraktore, dhe për rrjedhojë ka vendosur anulimin plotësisht ose pjesërisht të tenderave. Në një pjesë të rasteve për këto shkelje, Komisioni ka kërkuar edhe nisjen e hetimit administrativ nga ana e Agjencisë së Prokurimit Publik. Sipas raportit në 11 për qind të tenderave janë shkelur procedurat ligjore. Për këto raste, Komisioni ka kërkuar anulimin e tenderit apo ankandit. Për 41 për qind të rasteve, Komisioni i Prokurimit ka kërkuar nga autoriteti kontraktor të bëjë rivlerësimin e procedurës për shkak të shkeljeve në vlerësim, por edhe gjatë hartimit të tenderit.

Exit mobile version