Komisioni Xhafaj dhe Komisioni i Venecias/ Kulisat e mundshme të një marrveshjeje për të ndryshuar reformën në drejtësi dhe goditur SPAK

Nga Desada Metaj

Sali Berisha ka ripërsëritur mbrëmë propozimin e tij sipas të cilit “Partia Demokratike ka në plan angazhimin e Komisionit të Venecias për rishqyrtim tërësor të reformës në drejtësi”. Si ish-kryeministër dhe president, Berisha e di ndoshta më mirë se shumë juristë se për të vënë në lëvizje Komisionin e Venecias nevojiten këto 3 mekanizma: Presidenti i Republikës, Qeveria dhe Kuvendi si autoritete politike (Gjykata Kushtetuese e ka këtë të drejtë në kuadër të cështjeve gjyqësore konkrete të saj) . Më saktë, këtë të drejtë e kanë krerët e këtyre institucioneve, në asnjërin prej të cilëve në fakt Berisha nuk ka kompetencë për të ushtruar vullnetin dhe t’i nisë kërkesë Komisionit të Venecias.

Përballë këtij realiteti pyetja që shtrohet është: sa i vërtetë është kryetari i PD-së për opsionin e ndryshimit të reformës në drejtësi? A është kjo thjesht dëshirë dhe kërkesë në kontekstin politik apo ka një marrëveshje të heshtur me mazhorancën për ta çuar reformën drejt një ristrukturimi?

Përgjigjet gjenden në realitetin politik të ushqyer nga kryeministri. Edi Rama prej muajsh ka inkurajuar ngritjen e komisionit drejtuar nga Fatmir Xhafaj, që pavarësisht emërtimit, qartas nuk i ka fshehur ambiciet për të “futur duart” tek reforma në drejtësi. Megjithatë, pakënaqësitë e dukshme të zotit Xhafaj ndaj reformës dhe kryesisht SPAK-ut, deri më tani ai i ka shpërfillur qëndrimet e ndërkombëtarëve që kanë qenë të prerë dhe i kanë treguar vijën e kuqe të paprekshmërisë së reformës.

Madje, zotin Xhafaj nuk e ka penguar në punën e tij as refuzimi thuajse “on block” i institucioneve të drejtësisë për të dërguar përfaqësues në komisionin e drejtuar prej tij. Në këto kushte, qëllimi i Berishës dhe Xhafajt përputhen në pikën e nevojës së ndryshimit të reformës. Edhe pse të dy janë politikanë me eksperiencë dhe njohës të mirë të ligjeve, as Berisha dhe as Xhafaj deri më sot nuk kanë artikuluar asnjë vërejtje konkrete për reformën në drejtësi, duke u përqendruar tek terminologjia e përgjithshme.

LEXO  Përfundimi i gjyqit “Sky ECC” në Belgjikë/ Kërkohet arrestimi i 58 personave, mes tyre edhe shqiptarë

Ndonëse çdokush e ka kuptuar se shqetësimi i vërtetë i tyre është SPAK dhe aktet e fundit të Prokurorisë së Posaçme që ka goditur në qelizë politikën e niveleve të larta.

Ndaj dhe përpjekjet e të gjitha formave për të prekur reformën duken të sinkronizuara në kohë dhe qëllim, edhe pse kundërshtarët e vjetër me këtë rast i lënë pas shpine inatet e vjetra për t’u bashkuar në një qëllim madhor. Duke projektuar Komisionin Xhafaj apo Komisionin e Venecias si vendet ku reforma (lexo SPAK) mund të pësojë ndryshime për të zbehur goditjet e ligjit mbi politikën.

Kjo duket qartas qëllimi i përbashkët i PS-së dhe PD-së në këto momente, ku Komisioni Xhafaj dhe kërkesa e PD-së u takuan së fundmi dje në parlament dhe ndoshta së shpejti në Komisionin e Venecias./Vna.al

 

Artikulli paraprakInflacioni ‘ngec’ në 1.9% aq sa ishte dhe në shtator, por shtrenjtimi i ushqimeve nuk ndalon! Çmimet e zarzavateve edhe më të kripura sesa vjet
Artikulli tjetërGaba: Arrestimi i Veliajt si fiku që mund të bjerë nga momenti në moment, ka kthyer abuzimin në normalitet