Komisioni Zgjedhor në PD vendos garanci të reja për garë të barabartë mes kandidatëve për kryetar

· Jemin Gjana: 3 nga kandidatët nuk kanë sjellë listat e komisionerëve të tyre. Do të presim deri në momentet e fundit.

· Jemin Gjana: Komisionerët duhet të jenë anëtarë të PD në degën përkatëse të komisionit, ku propozohen.

KONFERENCA E SHTYPIT E KRYETARIT TË KOMISIONIT ZGJEDHOR NË PD, JEMIN GJANA

Dje pasdite kemi zhvilluar mbledhjen e Komisionit Zgjedhor të PD, të krijuar për zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, që do të zhvillohet më datë 13 Qershor.
Janë marrë disa vendime të rëndësishme; ashtu siç nuk mundëm të kryejmë edhe një nga detyrat që do të duhej të kishim kryer që në datën 3 Qershor për arsye të pengesës që vjen nga tre nga kandidatët në garë, për arsye që do t’ua shpjegoj pak më vonë.

Së pari, kemi miratuar vendvotimet për 76 komisionet që do të ngrihen në 71 degë të PD, siç e dini në 5 nga degët e PD do të ketë nga 2 komisione për efekt të numrit të lartë të anëtarëve.

Po mbrëmë në mbledhje është marrë vendimi për të shkyçur sistemin e listave të anëtarësisë. Hapja e sistemit do të bëhet ditën e premte, në datën 11 Qershor ora 10:00, në prani të të gjithë anëtarëve të Komisionit. Do të hapet sistemi, do të shkarkohen dhe printohen listat e votuesve, që siç e kam deklaruar janë 75067 anëtarë të PD në lista, do të vulosen secila prej listave me vulën zyrtare të PD, do të mbyllen në zarfa, do të vulosen dhe do të firmosen të gjitha zarfat brenda të cilave janë listat e votuesve për 76 qendrat e votimit.

Është miratuar Udhëzimi për vlefshmërinë e votës, janë përcaktuar kriteret se cilat konsiderohen votat e vlefshme dhe cilat të pavlefshme.

Është miratuar Udhëzimi për votimin e anëtarëve të PD të cilët nuk e kanë emrin në lista por disponojnë dokument anëtarësie, nuk do t’u mohohet kjo e drejtë këtyre anëtarëve, por do të ketë disa kushte dhe disa përjashtime.

Kushtet do të jenë që, do të paraqiten nëpër qendrat e votimit me dokumentin e anëtarësisë që disponojnë dhe me kartën e identitetit. Komisioni ka për detyre që të regjistrojë më përpara se të japë mundësinë të votojë këtyre anëtarëve, në një formular të posaçëm emrin, atësinë dhe mbiemrin, numrin e dokumentit të identifikimit, numrin e telefonit dhe të marrë firmën e secilit anëtar që do të votojë kundrejt disponimit të një karte anëtarësie. Ndërkohë karta e anëtarësisë së këtyre anëtarëve, do të mbetet tek komisioni i cili do t’i depozitojë tek Komisioni Zgjedhor i PD bashkë me gjithë materialet e tjera votimit. Komisioni Zgjedhor me gjithë këto karta anëtarësie, me një procesverbal të posaçëm do t’ia dorëzojë menjëherë pas shpalljes së procesit të votimit Sekretariatit Organizativ të Partisë Demokratike, i cili brenda një muaji do të ketë për detyrë që t’i regjistrojë ata në sistem si të gjithë anëtarët e tjerë të partisë, të nxjerrë kartat e tjera të anëtarësisë, në formatin elektronik, që të pajisjen edhe ata me karta të reja, dhe për arsye të sentimentit që kanë për dokumentin që ruajnë prej kohësh për anëtarësimin në parti do t’u kthehen edhe kartat e mëparshme. Ndërkohë që për këta individë që do të paraqiten me një kartë anëtarësie do të ketë një kushtëzim përjashtues, nuk mundet të bëhen pjesë e votimit ata anëtar të PD që më fushatën e fundit zgjedhore kanë qenë anëtarë, kanë qenë komisionerë, kanë qenë vëzhgues dhe kanë qenë aktivistë të partive të tjera politike jashtë koalicionit të PD me aleatët.

Siç e dini janë minimalisht 4-5 parti që u krijuan para zgjedhjeve dhe ka patur anëtarë të PD që kanë shkuar me këto lëvizje të reja politike. Natyrisht do t’ju mohohet kjo e drejtë, për të qenë votues për të zgjedhur kryetarin e partisë në këto zgjedhje.

Ashtu sikundër unë personalisht jam i bindur që siç ka ndodhur gjithmonë në këtë parti, shkojnë dhe pasi rrinë disa vite rikthehen përsëri në folenë bazë, në PD. Ky është historiku i 30 viteve. Se çfarë do të ndodhë edhe me këta më të fundit mbetet për tu parë.

Ka mbetur pezull ende miratimi i komisioneve. Kemi miratuar komisionet me 3 anëtarë që përcaktojnë degët, i kemi miratuar mbrëmë. Ka sjellë 2 ditët e fundit listën e anëtarëve për në komisione, vetëm përfaqësuesi i kandidatit Lulzim Basha. Përfaqësues të 3 kandidatëve të tjerë, deri mbrëmë, nuk kanë sjellë asnjë emër që do t’i përfaqësojë në 76 komisionet e votimit.

Është zhvilluar mbrëmë një diskutim i gjatë për këtë çështje. Madje, njëri nga kandidatët dhe përfaqësuesi i tij, nuk e di nëse me lejen e kandidatit apo me vendimin e tij personal, dorëzoi pardje, bëhet fjalë për kandidatin Shehaj dhe përfaqësuesin e tij z.Kapri që dorëzoi një listë, të cilën pasi e verifikuam rezultoi se askush prej tyre nuk ishte anëtar i PD.

Ia kam thënë mbrëmë në mbledhje që është një listë bllof, që është e papranueshme që të bëhen lojra të kësaj natyre.

Natyrisht plotësimi i komisioneve me përfaqësues të kandidatëve është e drejtë e kandidatëve, nuk është detyrim, është e drejtë e tyre nëse duan ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Nuk po e shfrytëzojnë deri tani, po e zvarrisin përtej çdo kufiri të mundshëm.

Mbrëmë është bërë e qartë dhe dua ta bëj të qartë për anëtarësinë e PD, dua ta bëj të qartë për publikun, dua ta bëj të qartë edhe për kandidatin, asnjë emër nuk mund të shkojë në Komision pa u verifikuar nga Komisioni Zgjedhor i PD, i miratuar nga Këshilli Kombëtar i PD, që është organi më i lartë politik vendimmarrës.

Para sesa Komisoni ta miratojë, dy janë kushtet bazë që duhet të plotësojë individi që do miratohet, anëtarë i që do miratohet:

Së pari, duhet të jetë anëtar i PD. Ne jemi organizatë politike, nuk jemi OFJ dhe nuk mund që të monitorojmë procesin me njerëz që janë jashtë anëtarësisë.
Së dyti, duhet të plotësojë detyrimin që të jetë bërë anëtar brenda degës ku bëhen zgjedhjet. Sepse nuk mundet që të merret dikush nga Vlora si përfaqësues i komisionit në Berat apo të merret nga Puka, të shkojë si përfaqësues i komisionit në Shkodër.

Pretendimi i tyre i mbrëmshëm ka qenë se “ne na duhet ende kohë për t’i gjetur emrat”. Natyrisht ne do të presim deri në momentet e fundit, deri edhe në momentet pasi të ketë filluar procesi. Vetëm se në asnjë rast, askush nuk do të delegohet, nuk do të miratohet nga Komisioni pa bërë këto dy verifikimet që thashë.

Kjo është situata e deritanishme. Përgjithësisht procesi ka vazhduar normalisht i takimeve të kandidatëve.

Janë marrë masat për të gjithë bazën materiale, janë tërhequr nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Republikës dhomat e fshehta, dhe gjitha materialet e tjera që na duhen ditën e votimit, të cilat do të shpërndahen ditën e shtunë deri në orën 16:00.

Përfaqësuesit e kandidatëve që ende s’po caktohen kanë qenë të ftuar që të ishin pjesë e grupit që do të tërheqë materialet, përndryshe do t’i tërheqin kryetarët e komisioneve. Sigurisht gjithçka do të jetë e vulosur dhe e sekretuar pa bërë ndonjë problem. Pastaj do të presim ditën e zgjedhjeve dhe zhvillimin e procesit ditën e zgjedhjeve.
Këto janë zhvillimet më të fundit që kemi lidhur me ecurinë e procesit për zgjedhjet e 13 Qershorit në PD.

Pyetje: A është parashikuar në Udhëzim që vëzhguesit e kandidatëve në komisione të jenë anëtarë të PD?

Jemin Gjana: Është edhe në vendim që ka dalë nga Kryesia, por natyrisht që është edhe detyrim, ne jemi parti politike dhe nuk mundet të kandidosh për këtë parti, nuk mundet të monitorosh procesin brenda kësaj partie në qoftë se nuk je anëtar i PD.
Dhe e dyta, nuk mundet të pranojmë, siç ju e dini që edhe me ligjin zgjedhor të këtij vendi, disa janë kritere unike. Edhe kur flasim për vlefshmëri të votës ne kemi marrë të njëjtat kritere që përdoren për vlefshmërinë e votës kur flasim për zgjedhjet lokale apo qendrore në Shqipëri. Edhe kur bëhet fjalë për komisionet zgjedhore, askush nuk mund të shkojë në një komision në qoftë se nuk është votues brenda të njëjtës KZAZ. Edhe në këto kushte askush nuk mund të shkojë jashtë rrethit ku ai bën jetën e partisë. Është krejt normale. Hapeni, sepse e keni të shkruar edhe në vendimin e Kryesisë.

Pyetje: Në kushtet kur kandidatët nuk kanë dorëzuar ende përfaqësuesit e tyre për 76 degët në të cilat do të bëhet procesi i votimit, në rast se këto kandidatë nuk do t’i sjellin përfaqësuesit e tyre deri në momentin kur do të nisë votimi, Komisioni Zgjedhor parashikon që të përcaktojë vetë përfaqësues për ta?

Jemin Gjana: Jo, Komisioni Zgjedhor cakton përfaqësues të kandidatëve. Është e drejta e kandidatëve që t’i sjellin. Unë jam i sigurt që do t’i sjellin, por janë duke ruajtur momentin e fundit. Justifikimi i tyre se “nuk i gjejmë sepse jemi në fushatë”, nuk më duket shumë i gjetur. Mendoj se disa arsye të tjera mund t’i shtyjnë që të presin momentet e fundit.
Mbrëmë përfaqësues të dy kandidatëve kanë deklaruar se “ne do ta kemi të gatshëm listën e përfaqësuesve tanë në 76 komisione të premten në darkë” dhe bëhet fjalë për përfaqësuesin e znj.Harxhi dhe përfaqësuesin e z.Kadilli. Ndërsa përfaqësuesi i z.Shehaj, mbrëmë u deklarua se do të mundet t’i dorëzojë të shtunën pasdite. Natyrisht në çdo moment që do t’i dorëzojnë ne do të mbledhim komisionin, do të bëjmë verifikimet, do të kemi një lehtësi, që do ta mbajmë sistemin të hapur me qëllim që të kemi lehtësimin e verifikimit nëse janë në lista apo jo dhe nëse jo, do të kërkojmë që të verifikohen nëse disponojnë një teser të partisë të PD.

Pyetje: Edhe në Udhëzimin që ka përcaktuar PD është e qartë edhe roli që duhet të luajnë funksionarë të lartë të kësaj force politike, por edhe kryetarët e degëve në procesin e fushatës së gjithë kandidatëve. Vetë Komisioni Zgjedhor apo i vëzhgon figurat e larta të PD nëse po tregohen të padrejtë, për sa i përket mbështetjes së drejtpërdrejtë që mund t’i japin ndonjërit prej katër kandidatëve?

Jemin Gjana: Në vendimin e marrë për shpalljen e procesit dhe shpalljen e datës së zgjedhjeve, u është kërkuara të gjithë drejtuesve të strukturave të PD-së, anëtarëve të Këshillit Kombëtar, deputetëtve dhe pjesës së strukturës së PD-së që të mos përfshihen në fushatë individuale në favor të një kandidati apo të një kandidati tjetër. Ka patur raste të cilat janë të pashmangshme që individë të veçantë që janë pjesë e këtyre strukturave të kenë anësuar, të kenë mbatjru qëndrime.

Ka mbajtur qëndrime të njëjanshme Kryetari i këshillit Kombëtar të PD-së z. Bujar Nishani, duke qenë në fushatë ditë për ditë, siç mund të ketë patur ndonjë individ të PD-së që mund ta ketë bërë këtë gjë nga drejtues të degëve, është zgjedhje individuale, që natyrisht është përtej kërkesave, porosisë dhe vendimit publik të bërë tashmë nga Kryesia e PD-së.

Pyetje: Në cilat kritere bazoheni ju për të përjashtuar anëtarë të PD-së që të mos votojnë më 13 qershor?

Mendoni se është e pamundur? Mund të kenë qenë komisionerë, vërtetohet? Mund të kenë qenë vëzhgues, vërtetohet? Janë anëtarë të asaj partie, janë deklaruar anëtarë, vërtetohet? Janë vendosur në pozicionet e kandidatëve, vërtetohet? Psh. Ish-kryetari i Bashkisë së Tropojës ka kandiuar në emër të partisë të zonjës Topalli, është lehtësisht e verifikueshme dhe strukturat e partisë dhe grup-seksionet kanë qenë prezent në ato fushata dhe një njeri që ka shkuar të shoqërojë kandidatin për deputet të partisë të z. Murrizi psh, apo z.Patozi, sigurisht është afishuar në fushatë dhe është i ditur që ka qenë në fushatë me ta. Dikush që mund të ketë bërë fushatë të fshehtë, pa indentifikueshme, apo që ka votuar për to, natyrisht që nuk mund të indentifikohet dhe do të votojë. Ne nuk mund të hyjmë në shpirtin e secilit. Ne themi, shfaqet e tyre të tyre, të gjithë ata që kanë qenë në fushatë. Unë psh që kam qenë pjesë e drejtimit të fushatës të zonjës Tabaku në njësinë 2 në Tiranë kam parë se kush janë aktivistët e një partie apo një partie tjetër. Kanë pasur zyra, ambiente, kanë bërë takime publike, janë takuar me njerëz, tani të dekonspiron facebook sepse nqse vazhdon të bësh komente në favor të kandidatit të partisë tjetër do të thotë që ke shkuar tek parti tjetër. Natyrisht ne nuk kemi patronazhistë të natyrës që krijoi pushteti që ta ndërojmë këtë ndarje.

Pyetje: Në një farë mënyrë keni, sepse po punoni për t’i indentifikuar.

Jemin Gjana: Jo në një farë mënyre, nuk kemi, sepse nuk kemi ngarkuar asnjë individ e ta kemi quajtur patronazhist dhe t’i themi hajde spiuno të tjerët. Por njerëz që kanë dalur hapu në fushatë nuk janë në ndjekje nga prapa, nuk janë hije, ne nuk po bëjmë punën e atyre që janë njerëz hije.

Pyetje: Ditën e premte ju printoni listat e anëtarëve e të PD-së dhe këto i drejtohen 76 degëve, këto lista do të hapen vetëm ditën e dielë? Nqse zarfi dëmtohet, a do të ketë votim në atë qendër?

Jemin Gjana: Do të mbyllen me vulën e Partisë dhe me vulën në çdo zarf të të gjithë anëtarëve të Komisionit dhe do të hapen ditën e dielë në prani të Komisionit. Do të mbyllen në zarfa sërish dhe do të kthehen në Komisionin Zgjedhor të Partisë të dielën në darkë.

Pyetje: Kandidatët as të premten nuk do të kenë mundësi t’i marrin këto lista?

Jemin Gjana: Ju ende nuk e keni të qartë që listat të cilat kanë të bëjnë me anëtarësinë në parti, me anëtarësinë në sindikata, me përkatësi fetare, përkatësi racore, etnike etj, ndalohen nga ligji të bëhen publike? Jeni njerëz të medias ju lutem. Lexoni ligjet e këtij vendi. Ju akuzoni herë pas here me të drejtë se ky vend ka ligje të mira por nuk zbatohen dhe vini bëni një presion pozitiv, po e quaj, pësr nuk jepni listat. Është e ndaluar me ligj zotëri, nuk jepen.

Pyetje: Nëse zarfi dëmtohet, a do të ketë votim në atë qendër?

Jemin Gjana: Jo nuk do të ketë votim në atë qendër nëse dokumentat dëmtohen. Sigurisht.

Pyetje: Një pyetje kisha në lidhje me anëtarësinë. Ju thatë se personat që kanë marrë në fushatë elektorale për partitë e tjera nuk do të mund të votojnë, ju i keni lënë që t’i verifikoni ditën e votimeve? Në çfarë mënyre do t’i verifikoni?

Jemin Gjana: Një pjesë e tyre janë të verifikuar tashmë. Një pjesë e madhe është e sigurt që nuk do të paraqiten në qendrat e votimit. Do të kenë aq moral sa që të mos ndërrojnë ngjyrë brenda 2-3 javëve. Nëse do të paraqiten, pothuajse që të gjithë janë të indentifikuar sepse nuk është ndonjë anëtarësi e jashtëzakonshme, degët e partisë kanë nga 1 mijë, 700, 800, 1200, 1500 dhe i kanë me grup-seksione. Nuk ka kryetar dhe sekretar grup-seksioni që është zgjedhur nga anëtarësia që të mos njohë aktivitetin e anëtarëve të vetë dhe të dijë se për kë ka punuar në këtë fushatë zgjedhore.

Pyetje: Këta persona janë hequr apo thjesht nuk do të lejohen që të votojnë?

Jemin Gjana: Ata nuk do të lejohen të votojnë ndërsa për largimin e tyre nga partia, është një proces që është më i gjatë, do të merren vendime në seksionet e partisë, ne grup-seksione, në degë të partisë, pastaj të vijë dokumenti për çregjistrim këtu. Është një proces i cili mund të ndodhë më pas sepse nuk ka ku shkon të merret në këtë periudhë me këto emra. Ata janë vetëpërjashtuarm por për ta legalizuar përjashtimin e tyre do të duhet një proces i cili nis nga seksionet dhe përfundon në listimin përfundimtar.

Pyetje: Zoti Gjana, këto anëtarë të PD-së ndoshta kanë qenë të zhgënjyer nga kryetari aktual i PD-së dhe për këtë arsye kanë marrë pjesë në parti të tjera. Por ata kanë të drejtën e votës që të votojnë për të zgjedhur një kryetar të ri. Nuk keni përse i përjashtoni.

Jemi Gjana: Zhgënjimi i tyre nuk përbën problem për mua, por përbën problem për ata.

Pyetje: Po ata duan ndoshta një kryetar të ri dhe për këtë arsye nuk kanë marrë pjesë në fushatë.

Jemin Gjana: Le të shkojnë tek kryetari tjetër, zgjedhje e tyre. Ju mendoni se ata, sepse kjo punë është bërë ilaritet, ndërrojmë parti, ndërrojmë bashkëshortët, bashkëshortet, është bërë modë, por ata që i ndërrojnë kaq dëndur nuk janë në rrugën e duhur. Ju mendoni se ata që kanë lënë partinë e Topallit, do të shkojnë tek partia e zonjës tjetër?

Pyetje: Sigurisht që një anëtar i një partie tjetër nuk mund të votojë për kryetarin e një partie tjetër, por në momentin kur kjo listë nuk është e rifreksuar, pra mund të kenë ndonjë që është aktivizuar në një parti, kush e siguron që të mos ketë një vendim subjektiv nga komisionerët. Psh unë si person, mund të mos kem bërë fushatë për një person tjetër, por mbase komisionerët e dinë që unë votoj për një kandidat dhe nuk duan, dhe me këtë justifikim ata thonë që ti je aktivizuar në një parti tjetër.

Jemin Gjana: Ne e kemi bërë këtë për të qenë korrekt sepse duhet të dini një gjë; i gjithë procesi është proces për t’u dhënë të drejtën dhe mundësinë anëtarësisë së PD-së dhe ju që bëni një pyetje të natyrës që përbëjnë një përqindje që është e pakonsiderueshme, e papërfillshme, ne duhet të jemi korrekt me atërësinë, por duhet të dini diçka, PD, është një forcë politike e krijuar në vitin 1990, simotrat e saj në lindje nuk e kanë emrin askund, janë shuar, PD është një forcë politike që ende në kushtet e zgjedhjeve si ato të 245 prillit, shkon tek 35-40% të votave të shqiptarëve dhe këtë e bëjnë të mundur jo ne që jemi këtu, në selinë qendrore, apo individë drejtues nëpër degë, por e bën një anëtarësi e gjërë aktive e PD-së. Ne jemi të detyruar t’i respektojmë ata, tyë ndërtojmë rregulla loje që të respektojmë sentimentet e tyre. Që të mos i japim të drejtë të votojë si një anëtëtar partie që ka 30 vjet që punon, si edhe një tjetri i cili në dy javët e fundit ka bërë të kundërtën e asaj për fitoren e PD-së. Gjërat janë më të thjeshta seç po përpiqeni t’i komplikoni me pyetjet tuaja.

Artikulli paraprakE vërteta duhet thënë hapur, pa ngurrim!
Artikulli tjetërGjirokastra mbetet pa gjykata, shkrihet edhe Gjykata e Apelit dhe Administrativja