Në prill të 2017-s, një tjetër kompani fluturimesh “low cost” do të operojë në Shqipëri. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, gjatë vizitës zyrtare në Hungari me ministrin e Zhvillimit Kombëtar, Miklos Sesztak, nënshkroi një Memorandum Bashkëpunimi, që i hap rrugë fillimit të fluturimeve të kompanisë “low cost” WIZZAIR.
Duke u ndalur te memorandumi, Dervishaj theksoi se ardhja e kompanisë “low cost” për fluturimet Budapest-Tiranë dhe anasjellas, është zhvillim shumë pozitiv për shqiptarët, që mund ta përdorin më tej Budapestin për të shkuar në destinacione të tjera.
Fillimi i fluturimeve të kësaj kompanie të njohur “low cost”, do të hapë edhe më shumë tregun shqiptar dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e çmimeve të biletave, tha Dervishaj.
Ministri Dervishaj tha se rivendosja e një linje ajrore mes dy shteteve, përveç ndikimit pozitiv që do të ketë në sektorin e turizmit, zgjeron mundësinë për shkëmbimet tregtare.
Ministri Sokol Dervishaj u ndal dhe tek Aeroporti i Kukësit, duke thënë se ministria e ka prioritet vënien në përdorim. Do të doja të shikonim hapësirën që kompania ajrore WIZZAIR, të vijë dhe të operojë direkt, qoftë dhe me koncesion, në këtë aeroport, tha Dervishaj.
Z. Sesztak tha se ky memorandum është historik, pasi të dyja palët fitojnë dhe më e rëndësishmja, përfitojnë qytetarët. Ministri Sesztak, gjithashtu mirëpriti propozimin për një përfshirje të mundshme të kompanisë WIZZAIR në Aeroportin e Kukësit.
Më tej, ministri Dervishaj dhe ministri hungarez Sesztak diskutuan për të bashkëpunuar në fusha të tjera, ku kompanitë hungareze janë të mirëpritura.
Ministri Sesztak tha Hungaria është shumë e interesuar të investojë në Shqipëri, si në sektorin ajror që tashmë është konkret si angazhim, por edhe në sektorin detar dhe atë hekurudhor.
Dy zyrtarët e lartë ranë dakord që të vijojnë takimet për të konkretizuar bashkëpunimin në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.