Ndërsa po zhvillohet një betejë ekonomike mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, qeveria e Kinës duket se po luan një rol vendimtar duke investuar në studime kërkimore dhe duke ua përgatitur terrenin për sukses kompanive kineze.
Rezulton se Kina është shndërruar në një pengesë për kompanitë industriale amerikane, të cilat tashmë po i kërkojnë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të bëjë më shumë për t’i ndihmuar në lëmin e konkurencës globale.
Këtë javë u publikuan dy raporte të reja të industrisë amerikane të produkteve të komunikimit celular si dhe të industrisë së prodhimit të gjysmëpërçuesve. Raportet tregojnë se kompanitë amerikane presin më shumë nga Uashingtoni për t’i ndihmuar në konkurimin përballë kompanive kineze.
Grupi CTIA, që përfaqëson industrinë amerikane të komunikimeve celulare, thotë në raportin e tij se Shtetet e Bashkuara janë tashmë në nivel të barabartë me Kinën, për sa i përket gatishmërisë për vendosjen e teknologjisë së rrjeteve të shpejtësisë së lartë 5G.
Sipas CTIA-s, deri vitin e kaluar, SHBA-ja radhitej në vendin e tretë, pas Kinës dhe Koresë së Jugut.
Gjithashtu, në raportin e Shoqatës së Industrisë së Gjysëmpërçuesve i bëhet thirrje qeverisë së Shteteve të Bashkuara të rrisë investimet në punën kërkimore, si dhe të rrisë tavanin e vendosur për numrin e kartave jeshile që jepen çdo vit për kandidatët e kualifikuar.
Industria amerikane e gjysëmpërçuesve kryeson në tregun botëror.
Gjatë vitit 2018, ajo kontrolloi pothuajse gjysmën e këtij tregu global prej rreth 469 miliardë dollarësh. Megjithatë, Kina ka shtuar rishtazi investimet e saj për punën kërkimore në fushën e gjysëmpërçuesve, si dhe po përpiqet të zvogëlojë ndërvarësinë e saj nga importimi i tyre.