Kompanitë e huaja nxjerrin jashtë Shqipërisë fitimet

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Monedha e përbashkët euro u këmbye dje me 137.23 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, duke u rritur me 0.2 lekë në raport me një ditë më parë.
Që nga fillimi i këtij viti euro është rritur me 1.76 lekë. Tendenca sezonale e janarit është përgjithësisht forcimi i euros dhe zhvlerësimi i monedhës vendase.
Pavarësisht se ekspertët kishin parashikuar se monedha euro nuk do ta kapërcente pragun prej 137 lekësh, kërkesa e madhe për të është reflektuar me zhvlerësimin e monedhës vendase.
Kjo tendencë, sipas ekspertëve të fushës, shpjegohet me faktin se kompanitë e huaja që operojnë në Shqipëri kanë nisur transferimin e fitimeve jashtë, si rrjedhim ka pasur një kërkesë më të lartë se parashikimet për monedhën e përbashkët. Ky faktor ka zbutur tendencën e kohëve të fundit, ku monedha vendase forcohet midis datave 15 dhe 20 të çdo muaji (data që përkojnë me afatin e fundit të pagimit të kontributeve shoqërore).
Gjatë vitit të kaluar u vu re një rënie e transferimit të fitimeve nga kompanitë e huaja, teksa operatorët më të mëdhenj celularë raportuan rënie të ndjeshme të fitimeve. Por, këtë vit, aktorët e tregut valutor pohojnë se kërkesa e kompanive të huaja për të blerë valutë ka ardhur në rritje.
Historikisht, monedha euro ka njohur çmime më të larta të këmbimit gjatë fundit të muajit janar dhe mesit të muajit shkurt. Rritja e euros ishte e pritshme pas përfundimit të efekteve sezonale.
Forcim kundrejt lekut ka njohur dhe dollari amerikan, ku monedha e gjelbër këmbehej dje me 129.49 lekë sipas kursit zyrtar. Ekspertët argumentojnë se forcimi i dollarit reflekton dobësimin e monedhës vendase përkundrejt euros (kursi i kryqëzuar). Ndërkohë që në tregjet ndërkombëtare euro është zhvlerësuar në krahasim me dollarin amerikan, duke u këmbyer rreth 0.2 pikë për qind më pak.

Exit mobile version