Kompanitë fantazmë dhe miqtë në pushtet

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka finalizuar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen penale ndaj ish-drejtorit të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe më pas të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, së bashku me 21 zyrtarë të tjerë dhe dy kompani private: “DAAM” sh.p.k dhe “Net Group” sh.p.k.

Sipas SPAK, të pandehurit kanë ngritur dhe zbatuar një skemë të mirëorganizuar korruptive për përfitimin e parregullt të fondeve publike përmes manipulimit të procedurave të prokurimit, përdorimit të dokumenteve të falsifikuara dhe krijimit të favoreve të paligjshme për kompani të lidhura me ta.

Prokuroria ka ngritur akuzën për veprat penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve publikë”, “shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Sipas SPAK, Evis Berberi, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka favorizuar kompanitë e lidhura me 6 tendera me vlerë totale rreth 239 milionë lekë pa TVSH, ose afërsisht 2.3 milionë euro. Këto fonde janë kaluar më pas në shoqërinë “DAAM” sh.p.k., e kontrolluar në mënyrë indirekte nga Berberi, duke siguruar përfitime të paligjshme që arrijnë në rreth 2.2 milionë euro. Kjo skemë përfshinte përdorimin e faturave fiktive dhe manipulimin e dokumenteve për të fshehur origjinën e fondeve dhe për të justifikuar transaksionet.

Berberit, nëpërmjet avokatit të tij ka kundërshtuar akuzat duke pretenduar se nuk ka pasur kontroll mbi kompaninë që ai e zotëronte deri në vitin 2019.

Drejtori në qendër të skemës

Zv kryeministrja e Belinda Balluku dhe ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Evis Berberi
Credits: LSA – Zv kryeministrja e Belinda Balluku dhe ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Evis Berberi

Në vitin 2019, ndërsa Evis Berberi drejtonte me dorë të hekurt Agjencinë për Efiçencën e Energjisë dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar, një kompani e quajtur “Net Group” sh.p.k e lidhur ngushtë me të, filloi të luante një rol kyç në tenderat publikë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), kompania, në pronësi të Valter Begaj ka fituar 6 tendera publikë në mënyrë të favorizuar dhe të paligjshme.

Pas përfitimit të këtyre tenderave, me një vlerë të përgjithshme rreth 2.7 milionë euro, shoqëria “Net Group” ka kryer një seri transfertash në llogaritë bankare të “DAAM” sh.p.k., në vlerën totale 2.2 milionë euro.

Nga hetimet rezultoi se Berberi ishte pronar “de facto” i kompanisë “DAAM” sh.p.k. Për të fshehur këtë pronësi, në vitin 2019 ai e kaloi atë fiktivisht në emër të Brunilda Bulit, Valter Begajt dhe Ervis Lamit.

“Evis Berberi menaxhonte dhe përdorte të ardhurat e shoqërisë ‘DAAM’ sh.p.k për shpenzime private dhe ruante kontrollin e plotë mbi llogaritë bankare të saj, duke bërë tërheqje cash.” – thuhet në njoftim e prokurorisë së Posaçme.

Sipas prokurorisë, në gjashtë raste, Berberi favorizoi kompaninë “Net Group”, duke krijuar kushte të jashtëzakonshme për fitim, në dëm të konkurrencës së ndershme.

Në këmbim, Begaj dhe bashkëpunëtorët e tij paguan shumën prej rreth 77 milionë lekë përfitime të paligjshme.

Për të justifikuar transferimet e parave dhe për të fshehur origjinën e paligjshme të tyre, u ngrit një mekanizëm i faturave fiktive midis “Net Group” dhe “DAAM”. Kjo skemë lejonte që shumave të mëdha korrupsioni t’u jepeshin shpjegime të rreme në dokumentacion.

“Në gjashtë prej këtyre procedurave të prokurimit, i pandehuri Evis Berberi ka kërkuar dhe marrë nga të pandehurit,Valter Bergaj, Evis Lami dhe Brunilda Buli, përfitimin e parregullt në vlerën e shtatëdhjetë e shtatë milionë  lekëve dhe për transferimin e këtyre vlerave të korrupsionit është ngritur mekanizmi i veprimit përmes faturave fiktive, mes shoqërisë “Net Group” sh.p.k dhe “DAAM” sh.p.k, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, që përbëjnë “përfitim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit” – saktëson prokuroria.

Hetimi ka përfshirë edhe anëtarët e ndryshëm të komisioneve të prokurimit që kanë luajtur rol në falsifikimin e dokumenteve dhe shkeljen e rregullave të tenderëve.

Tenderi i parë që hapi rrugën për skemën korruptive ishte “Menaxhimi dhe koordinimi i projektit GOAL”, me një vlerë prej 29,800 eurosh. Sipas dokumenteve, kjo procedurë u menaxhua nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë, nën drejtimin e Evis Berberit.

Hetimi zbuloi se procedura u zhvillua në mënyrë të parapërgatitur, ku “DAAM” sh.p.k. u përfshi si ofrues kryesor i shërbimeve, përmes një bashkëpunimi të ngushtë me autoritetin kontraktor.

Por tenderi më voluminoz ishte ai për “Studimin e fizibilitetit për kulla karikimi për makina elektrike”, me një fond prej 68.75 milionë lekësh. Ky projekt ishte pjesë e një iniciative për zhvillimin e infrastrukturës së automjeteve elektrike në Shqipëri.

“Përfitimet financiare të ‘DAAM’ nga ky tender nuk kanë pasur përputhje me vlerën reale të punimeve, duke reflektuar një mospërputhje mes shërbimeve të ofruara dhe shumës së paguar.” – thuhet në njoftim ndërkohë që projekti i detajuar për kulla karikimi solli një tjetër tender të rëndësishëm, me vlerë mbi 62 milionë lekë.

Hetimet vërtetuan se dokumentacioni teknik u falsifikua në mënyrë që të përmbushte kriteret e tenderit, ndërkohë që Berberi dhe komisioni favorizuan kompaninë fituese në mënyrë të hapur.

Projekti i njohur si “Rruga Smart City” ishte një nga më të mëdhenjtë në listë me një vlerë prej 82,499,604.17 lekësh.

Edhe në këtë rast hetimi zbuloi se edhe në këtë tender u përdorën dokumente të falsifikuara dhe u krijuan kushte për favorizimin e kompanive të lidhura me Berberin dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në këtë procedurë, u shpall fituese ‘Net Group’, pavarësisht se nuk i plotësonte kriteret, duke shkelur në mënyrë flagrante rregullat e barazisë së pjesëmarrësve.

“Nga hetimi është evidentuar fakti se shoqëria, “Net Group” sh.p.k, gjatë zbatimit të kontratave të fituara në këto procedura prokurimi, ka përfituar në sajë të paraqitjes së dokumentacionit fiktiv tek autoriteti kontraktor, si raporte, situacione, etj, të cilat rezultojnë se përmbajnë të dhëna të rreme në përmbajtje të tyre, përsa i përket realizimit të shërbimit, i cili nuk është realizuar, në vlerën 80,010,058 (tetëdhjetë milion e dhjetë mijë e pesëdhjetë e tetë) lekë”-saktëson prokuroria.

Tenderi për mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë ishte një nga më të shtrenjtët, me vlerë afro 196 milionë lekë, të cilën Prokuroria e Posaçme e ka renditur ndër rastet ku procedurat  e tenderimit janë kryer në kundërshtim me ligjin.

Tenderi i zhvilluar nga Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për mbikëqyrjen e punimeve për tunelin e Llogarasë është fituar nga bashkimi i operatorëve ekonomikë, “Hill Internacional N.V” dhe kompania “Net Group”. Sipas prokurorisë, Valter Begajt nëpërmjet kompanisë së tij kishte 30% pjesë të aksioneve të kontratës që do të bënte supervizimin e tunelit të Llogarasë.

Akuzat e Prokurorisë e Posaçme janë cilësuar si të pabaza dhe të nxitura nga një interpretim i shtrembëruar juridik nga avokati i Evis Berberit, sipas të cilit  SPAK ka “kthyer një proces juridiko-civil dhe tregtar në një çështje penale”, duke e interpretuar në mënyrë të padrejtë zotërimin e mëparshëm të kompanisë “DAAM” sh.p.k.

Avokati këmbënguli se Berberi nuk ka më lidhje me këtë kompani, pasi, sipas tij, e ka shitur që prej vitit 2019 dhe nuk ka përfituar asnjëherë tenderë në mënyrë të padrejtë.

“Nuk ka përfituar në mënyrë të padrejtë asnjë tender persona të tjerë. Zotërues të kompanisë janë të tjerë, Berberi e ka shitur kompaninë. Nuk është më pronari i saj, siç pretendohet nga SPAK,” u shpreh Romano para mediave.

Si pasojë e hetimeve, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi sekuestrimin e pasurive të “DAAM” sh.p.k., që përfshijnë kuotat e kompanisë, disa pasuri të paluajtshme, automjete dhe mjete të tjera.

Gjithashtu në banesën e Berberit u gjetën dhe u sekuestruan para në valutë të huaj dhe lekë në shumën e mbi 15,000 eurove, 3,000 paund dhe mbi 1.4 milionë lekë./shteg.org

Artikulli paraprakBloomberg: Donald Trump u kërkon vendeve të Ballkanit Perëndimor të pranojnë emigrantët e dëbuar nga SHBA
Artikulli tjetërTë ardhurat e kompanive celulare rriten, ndërsa numri i klientëve tkurret