Kompanitë me pagat më të larta në Shqipëri

Nga Ornela LIPERI

A e dini se cilët janë profesionet që fitojnë më shumë sot në Shqipëri? Inxhinierët e prodhimit të naftës, janë profesionistët që paguhen më mirë sot në vend, me paga që i kalojnë edhe 30 mijë euro në muaj dhe arrijnë dhe 70 mijë euro/muaj. Por, mos u inkurajoni më kot! Janë të paktë ata që marrin këto të ardhura marramendëse për nivelin shqiptar dhe për më tepër, janë të huaj. Ndërsa pagat për personelin shqiptar në industrinë e naftës, ndonëse të larta, janë në nivele normale.
Krahas kompanive të naftës, bankat mbizotërojnë në listën e sipërmarrjeve që i paguajnë më shumë punonjësit e tyre, me pagë mesatare mbi 1000 euro në muaj. Edhe këtu ka diferenca të mëdha mes pagash, nga 300 euro në mbi 20 mijë euro në muaj, me pagat e larta që kryesisht i marrin CEO-t e huaj.
Hapja e spitaleve private ka shtuar ndjeshëm të ardhurat për mjekët, që punojnë në to, që u afrohen 1000 eurove në muaj.
Nga kompanitë shtetërore janë sh.a.-të ato që i trajtojnë më mirë punonjësit, duke u dhënë dhe shpërblime të herëpashershme që rrisin pagën e tyre mesatare.
Po cilat janë sipërmarrjet që i paguajnë më shumë punonjësit? “Monitor” sjell në një renditje ekskluzive fondet që sipërmarrjet shpenzojnë për punonjësit dhe pagën mesatare bruto për punonjës. Të dhënat janë sipas përpunimit që “Qendra e Kërkimeve Monitor” u ka bërë shpenzimeve të personelit, sipas deklarimeve të bilanceve të bizneseve më të mëdha, publikuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (ish QKR) dhe numrit të punonjësve. Në analizë janë marrë 200 kompanitë më të mëdha sipas qarkullimit vjetor dhe 100 punëdhënësit më të mëdhenj në vend. Paga mesatare bruto është llogaritur, duke pjesëtuar fondin total të shpenzimeve për paga të raportuar në bilancin 2014 (përfshirë trajtime e shpërblime) dhe numrit mesatar të punonjësve, për të cilët janë paguar kontribute atë vit, sipas deklarimeve te tatimet. Nga përpunimi i të dhënave është hartuar tabela me 100 kompanitë më të mëdha sipas fondeve të pagave (shiko tabelën: “Renditja e kompanive kryesore, sipas shpenzimeve të personelit-fondit të pagave”) dhe 30 sipërmarrjeve të mëdha që kanë pagat mesatare më të larta për punonjës (shiko tabelën: “30 kompanitë VIP me pagat mesatare më të larta bruto për punonjës”)

4 kompanitë që paguajnë paga marramendëse

Phoenix Technology Services Albania, një nënkontraktor për hapjen e puseve dhe konsulencës në fushën e naftës, që punon kryesisht me Bankers Petroleum, është kompania që raporton në bilanc pagën më të lartë mesatare mujore për të punësuar në Shqipëri, me 1.34 milionë lekë (gati 10 mijë euro në muaj). Kompania ka rreth 70 të punësuar.
Bankers Petroleum, koncesionari më i madh i naftës në vend, që shfrytëzon fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, atë të Patos Marinzës, ka dhe fondin më të lartë të pagave në vend, prej 3.8 miliardë lekësh në vit (27 milionë euro), duke përfshirë dhe shpërblimet. Paga mesatare për punonjësit e kompanisë është rreth 557 mijë lekë (4000) euro në muaj. Por, kjo mesatare rritet ndjeshëm nga pagat e larta të të huajve. Sipas të dhënave në bilanc, nga rreth 3.8 miliardë lekë që është totali i pagave të deklaruara dhe paguara për vitin 2014, gati 2.9 miliardë lekë, apo rreth 76% e fondit ka shkuar për personelin e huaj dhe rreth 930 milionë lekë për atë vendas. Për personelin shqiptar, paga mesatare rezulton rreth 1200 euro në muaj, ndërsa për atë të huaj arrin 35 mijë euro në muaj mesatarisht, apo mbi 400 mijë euro në vit. Sipas burimeve nga kompania, nga 570 punonjës të deklaruar në vitin 2014, rreth 50 janë të huaj. Drejtuesit e Bankers Petroleum kanë paga edhe deri 1 milion dollarë në vit (80 mijë USD/muaj, apo 10 milionë lekë/muaj).
Simmons Edeco Limited, Dega në Shqipëri, edhe ky një nënkontraktor i Bankers Petroleum, është sipërmarrja e tretë në Shqipëri që i paguan më shumë punonjësit e saj, me një pagë mesatare mujore prej 337 mijë lekësh (2400 euro). Edhe këtu janë inxhinierët e huaj të naftës, ata që marrin pjesën e luanit.
Në mënyrë befasuese, sipërmarrja e katërt në Shqipëri që i trajton më mirë punonjësit e saj është Albcontrol, një shoqëri anonime me kapital shtetëror, që menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore shqiptare. Paga mesatare mujore e kësaj kompanie është 310 mijë lekë (rreth 2250 euro) dhe është gati dyfish më e lartë se mesatarja e bankave.

Bankave private ua “kalon” Banka e Shqipërisë

Në përpjekje për të mbajtur specialistët më të mirë, Banka e Shqipërisë rezulton se i trajton mjaft mirë punonjësit e saj. Paga mesatare e punonjësve të saj (përfshirë shpërblimet e trajtimet) është rreth 175 mijë lekë në muaj (gati 1300 euro). Në këto nivele (lehtësisht më lart) është vetëm Banka Kombëtare Tregtare, më e madhja në vend.
Intesa Sanpaolo dhe ProCredit renditen më pas, me paga rreth 1100 euro në muaj. Në listën e bankave me paga të larta renditen edhe Veneto, Raiffesen, Alpha, NBG, Credins, Banka e Tiranës, Union Bank.
Bankat kanë diferenca të mëdha në paga. Niveli i hyrjes është rreth 300-500 euro në muaj, për të arritur tek CEO-t, kryesisht të huaj, që paguhen mbi 20 mijë euro në muaj. Për nivelet e larta menaxheriale, pagat janë mesatarisht 4000-6000 euro në muaj.
Bankat e kanë mjaft të zhvilluar edhe sistemin e vlerësimit në bazë të performancës, nga rezultatet e të cilit punonjësit mund të përfitojnë edhe disa paga shpërblim në vit, apo bonuse të larta.
Bankat, që mbeten vendi më interesant dhe i lakmuar i punës, për këdo që ka mbaruar arsim të lartë, sidomos ekonomik, prej vitesh nuk po tregohen agresive në zgjerimin e aktivitetit e si rrjedhojë kanë një rritje minimale të numrit të të punësuarve, duke arritur në rreth 6900 në fund të vitit 2015.
Fondi i pagave të 13 bankave të përfshira në renditje (përfshirë Bankën e Shqipërisë) shënoi rritje të lehtë prej 2% në vitin 2014, ndërsa dy banka kanë ulur fondet për punonjësit. Edhe Banka e Shqipërisë është treguar e kursyer dhe e ka ulur me gati 6% fondin e pagave në 2014-ën.

Spitalet private rrisin tregun e mjekëve

Zhvillimi i spitaleve private ka qenë një mundësi e mirë punësimi për mjekët, që paguhen disa herë më shumë se në shtet. Në Spitalin Amerikan, paga mesatare bruto është rreth 1000 euro në muaj, ndërsa te Hygeia, rreth 980 euro.
Spitalet private kanë parë një zhvillim të ndjeshëm vitet e fundit. Sipas të dhënave nga bilancet përkatëse, pesë spitalet dhe klinikat kryesore private në vend, Spitali Amerikan (Univers-Alb), Hygeia Hospital – Tirana, Salus, Spitali Gjerman (Cardio & Diagnostic Center Hamburg / Tir), Klinika Gjermane e Syrit, Spitali Europian kanë qarkulluar në total rreth 6 miliardë lekë, apo rreth 43 milionë euro në vitin 2014, me një rritje prej gati 18% në raport me 2013-ën.

Sa paguhet krahu i “lirë” i punës

Ndërsa call center kanë një pagë mesatare relativisht të lartë, që arrin edhe në 70 mijë lekë në muaj, tek industritë e këpucëve e tekstileve, që kanë si avantazh kryesor në kosto pikërisht krahun e lirë të fuqisë punëtore, paga mesatare është afër asaj minimale, prej 22 mijë lekësh në muaj.
Të dhënat e 100 punëdhënësve më të mëdhenj për 2014-n (të fundit të disponueshme) tregojnë se dy sektorët kryesorë që po gjenerojnë vende pune vitet e fundit janë fasoni dhe call center, të dy që kanë si avantazh shfrytëzimin e kostos së lirë të fuqisë punëtore, në raport me vendet e zhvilluara.
Call center është ende në periudhë lulëzimi dhe do të ruajë avantazhin krahasues të kostos së lirë të fuqisë punëtore dhe njohurisë së gjuhëve të huaja edhe për një kohë të gjatë. Ndërsa e ardhmja e sektorit fason mbetet e paqartë, teksa avantazhi i punës së lirë po zbehet për shkak të shtimit të barrës fiskale dhe rritjes së vazhdueshme të pagës minimale.

Kompanitë që shpenzojnë më shumë për paga

Fondi i pagave për 200 kompanitë e marra në analizë ka shënuar një rritje me 7.5% me bazë vjetore për 2014-n. Bankers Petroleum është sipërmarrja që ka fondin e pagave më të madh në vend, me rreth 27 milionë euro, por pjesa më e madhe e tij shkon për një grusht të huajsh. I dyti është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me rreth 24 milionë euro, që është dhe punësuesi më i madh në vend, me rreth 5000 persona. OSHEE rezulton me një pagë mesatare prej 56 mijë lekësh në muaj (rreth 400 euro), ndërsa në 2014-n është një ndër kompanitë që ka pasur rritjen më të lartë të fondit të pagave në vend, me 13%. Simmons Edeco Limited, Dega në Shqipëri, ka fondin e tretë më të madh të pagave në vend, me gati 18 milionë euro, por ka shumë më pak të punësuar se OSHEE, vetëm 613. Më pas renditet Raiffeisen, me 17 milionë euro dhe mbi 1000 të punësuar. Albpetrol ka fondin e pestë më të madh, me rreth 15 milionë euro për mbi 2 mijë të punësuar.
E gjashta është sërish një bankë, BKT, që me një fond prej 14 milionë eurosh, siguron punë për mbi 900 persona. Vijojnë renditjen dy kompani call center, Albacall dhe Intercom Data Service, kanë kontribuar ndjeshëm vitet e fundit në zbutjen e papunësisë te të rinjtë, dhe në 2014-n i kishin fondet e pagave përkatësisht 11 dhe 10 milionë euro, duke siguruar punë në total për mbi 4 mijë persona. Albtelecom përfshihet në renditjen e sipërmarrjeve me fond të lartë pagash, prej rreth 10.8 milionë euro, teksa ka rreth 1000 të punësuar. Listën e shpenzuesve më të mëdhenj për paga e vijojnë Albcontrol dhe Phoenix Technology Services Albania, me përkatësisht 8.8 dhe 8.3 milionë euro, dy kompani “luksi”, që kanë relativisht pak të punësuar me paga të larta. Vodafone dhe Telecom Albania kanë fonde pagash rreth 5 milionë euro, secili, sipas deklarimeve në bilanc.

Exit mobile version