Në akropolin e qytetit antik të Orikumit ndodhet kompleksi i kishave mesjetare, të nxjerra në dritë nga gërmimet arkeologjike në një kishë në vitin 2018 nga ekipi i arkeologëve shqiptaro-zviceranë.
Rrënojat ishin përshkruar që në shek. XIX nga arkeologu francez Leon Heuzey, ndërsa arkeologu austriak Carl Patsch në vitin 1904, thotë se aty gjendej kisha e Shën Gjergjit.
Gërmimet nxorën në dritë një kompleks kishash, ku më e hershmja daton në shek. VII pas Krishtit.
Në përfundim të gërmimit, në vitin 2022 projekti shqiptaro-zviceran realizoi restaurimin e rrënojave të kompleksit të kishave.
Sot vizitorët e parkut arkeologjik të Orikumit, nëpërmjet këtij monumenti mund të kuptojnë më qartë vijimin e jetës në Orikum edhe përgjatë Mesjetës.