Barcelona synonte ta përfundonte procesin e transferimit të Antoine Griezmannit nga Atletico Madridi këtë javë, mirëpo vështirësitë financiare kanë rezultuar të jenë një pengesë e madhe në këtë proces.
Drejtuesit në Camp Nou kanë qenë duke punuar këtë javë me qëllim për ta paguar klauzolën prej 120 milionë eurove për shkëputjen e kontratës së Antoine Griezmannit me Atletico Madridin sot.
Pas kësaj, lojtari do të arrinte në kryeqytetin katalonas dhe do të mund të prezantohej si futbollist i Barcelonës të premten, kur edhe do ta bënte fotografinë tradicionale në dyqanin në Camp Nou dhe të hënën do të mundë t’i fillonte stërvitjet me klubin e tij të ri.
Megjithatë, negociatat e vazhdueshme të Barcelonës me bankat që mund ta miratojnë pagën prej 120 milionë eurove kanë ndërhyrë në planet e klubit blaugran. AS raporton se kjo gjë mund ta detyrojë Barcelonën ta shtyjë këtë proces, duke e bërë pagesën javën tjetër.
Kjo është arsyeja pse kampioni spanjoll tentoi, por pa sukses, të negociojë me Atletico Madridin, për ta blerë Griezmannin në një mënyrë. Për Barcelonën do të ishte më e lehtë të arrinte marrëveshje me Atleticon sesa ta blejë Griezmannin përmes klauzolës në kontratën e tij.
Megjithatë, për shkak të zemërimit me mënyrën se si rivalët e tyre e kanë bindur Griezmannit t’u bashkohet, Atletico Madridi e refuzoi këtë ide menjëherë dhe tani opsioni i vetëm i Barcelonës është t’i paguajë 120 milionë eurot e klauzolës për shkëputjen e kontratës së francezit.
Kjo është shqetësuese për departamentin financiar të Barcelonës dhe AS raporton se punëtorët e klubit katalonas janë paguar tri ditë me vonesë për muajin qershor.