Tre agjentë rusë me shtetësi ukrainase kishin planifikuar sulme me bomba në Gjermani, me qëllim destabilizimin e vendit, por autoritetet gjermane i kanë arrestuar, sipas një raportimi të gazetës BILD.
Agjentët, që dyshohet se janë rekrutuar nga shërbimet sekrete të Putinit, kishin planifikuar akte sabotimi dhe sulme në territorin gjerman. Ata dyshohet se kishin ndër mend të dërgonin pako me eksploziv që më pas do të shpërthenin.
Shpërthimet e planifikuara thuhet se ishin menduar për të tronditur dhe destabilizuar opinionin publik gjerman. Sabotuesit rusë mendohet se donin të përdornin substancën kimike termite (që mund të arrijë temperatura deri në 2400 gradë Celsius).
Të dyshuarit thuhet se kishin dërguar tashmë dy pako prove me pajisje gjurmimi GPS, për të testuar nëse shpërthimet do të shkaktonin dëme të mëdha.
Prokurori i Përgjithshëm Federal ka marrë përsipër hetimin për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme të çështjes. Autoritetet gjermane të sigurisë kanë frikë se në vend ndodhen qindra agjentë rusë të tillë, thekson gjithashtu BILD. Hetimet janë në vazhdim.