Qeveria ka miratuar ndryshimet në nenin 234 të vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2000 mbi “Për miratimin e rregullores për zbatimin e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
Me ndryshimet e miratuara, parashikohet liberalizimi në tregun e kontrollit teknik të automjeteve, i cili në bazë të vendimit të vjetër kryhej vetëm nga kompania SGS Automotive Albania. Kjo e fundit mori konçensionin për kontrollin e automjeteve në vitin 2009 me një kontratë koncensionare 10-vjeçare. Më parë kontrolli teknik i automjeteve realizohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor.
Pra me ndryshimet, ka një liberalizim në këtë treg, por në anën tjetër parashikohet një tjetër konçension, ai i mbikqyrjes së pikave që do të ofrojnë kontrollin teknik për automjetet.
“Mbikëqyrja do të kryhet nga një subjekt i specializuar, që mund të jetë subjekt publik ose privat.
Kërkesat e zbatueshme për personelin e punësuar nga subjekti mbikëqyrës i qendrave të kontrollit teknik duhet të mbulojnë këto fusha:
a) kompetencë teknike; b) paanshmëri; c) standarde kualifikimi dhe trajnimi
b) Subjekti mbikëqyrës i qendrave të kontrollit kryen detyrat e përcaktuara, si më poshtë vijon:
a) mbikëqyr qendrat e kontrollit; b) verifikon trajnimin dhe provimet e inspektorëve; c) auditon; ç) monitoron; d) vlerëson
vlefshmërinë e rezultateve të kontrolleve teknike; dh) i propozon ministrit tërheqjen ose pezullimin e licencave të qendrave kontrolluese dhe/ose të certifikatave të inspektorëve”, thuhet në nenin 234/1 që i shtohet vendimit të mëparshëm të Qeverisë.
Gjithashtu parashikohet që mbikëqyrja e qendrave të kontrollit teknik të mjeteve rrugore mund t’u jepet me koncesion/partneritet publik privat palëve të treta, në përputhje me ligjin nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar “thuhet në rregulloren e re tashmë të hyrë në fuqi.
Vendimi në fjalë ka ardhur pasi kontrata me kompaninë SGS Automotive Albania, që kryente deri më tani e vetme kontrollin teknik të automjeteve u zgjat me 16 muaj.
SGS ka kontratën e saj deri në fund të 2020, dhe parashikohet që nëse në treg do të hyjnë kompani të reja atëherë SGS do të njoftohet 3 muaj përpara.
Vendimi parashikon që qendrat e reja të kontrollit teknik, që të licencohen nga ministri që mbulon veprimtarinë përkatëse, duhet të ndërtohen mbi bazën e kombinimit të kritereve gjeografike dhe demografike.
Përfitimet financiare të SGS
Referuar të dhënave të publikuara në periudha të ndryshme, kompania SGS Automotive Albania, e cila prej 2009 mori koncensionin e kontrollit teknik të automjeteve, deri në vitin 2018 deklaronte rreth 6.3 mld lekë ose rreth 50 mln euro të ardhura.
Sipas të dhënave, fitim operativ i kompanisë ishte rreth 1.3 miliardë lekë dhe fitime neto pas taksave, 842 milionë lekësh. Referuar të dhënave të publikuara, në vitin 2018 rezulton se kompania ka pasur edhe nivelin më të lartë të fitimeve, rreth 27 %, ndërkohë që në 2017 ai rezultonte në rreth 23 %.
Mediat kanë raportuar se të dhënat nga bilanci zyrtar, tregojnë se për 2018-n, SGS Automotive Albania realizoi 1.6 milionë euro fitime neto, nga rreth 1.3 milionë që ishte shifra për vitin 2017.
Marrëveshja e koncesionit në vitin 2009 parashikonte detyrimin e kompanisë për të investuar 561 milionë lekë (afro 4.3 milionë euro).
Në shkëmbim të këtij investimi, Qeveria shqiptare i kalonte të drejtën të arkëtonte tarifën e kontrollit vjetor teknik të automjeteve, tarifë e cila deri në atë kohë ishte pjesë e të ardhurave të buxhetit të shtetit.
Referuar raportimeve, kompania zgjodhi të kryejë investimin prej 561 milionë lekësh që kishte detyrim kontraktor pjesërisht duke marrë hua nga kompania mëmë dhe pjesërisht përmes një injektimi kapitali në masën në 190 milionë lekë në vitin 2011 me financim nga kompania mëmë.
Përgjatë viteve, SGS Automotive Albania sh.p.k pagoi interesa për kredinë që mori nga kompania mëmë.
Shuma prej 190 mln lekë u likujdua në vitin 2018, kohë kur koncesionari SGS Albania arriti 192 milionë lekë fitime neto, duke rikthyer kapitalin e investuar prej 190 mln lekë 100 % te kompania.
/Boldnews.al