Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, e ka konsideruar të papranueshme rritjen e faturës së koncesioneve me ritëm shumë të lartë, duke e konsideruar paaftësi të qeverisë që shumë shërbime po i kalon tek privati. “Fatura e koncesioneve është totalisht e papranueshme, rritja me këtë ritëm kaq të lartë duke pasur parasysh se janë të gjitha kontrata shërbimesh, që nuk keni aftësinë juve t’i zbatoni dot si qeveri. Dhe detyrimi që do të lindë në kontratën prej 1 miliard, që opozita ka shqetësimet e saj se nga do të financohet, paratë e drogës dhe hashashit që përmenden shpesh do të futen në ekonomi nëpërmjet kësaj kontrate, janë rreziku më i madh që i kanoset buxhetit të vitit 2018”, u shpreh Tabaku. Seanca e këtij komisioni mbi koncesionet është shoqëruar me debate, sidomos për mënyrën e funksionimit apo kostot që i japin buxhetit të shtetit këto marrëveshje. Ndër më të debatuarit ishte koncesioni i check-up, markimi i karburanteve, skanimi dhe ai i pullave fiskale. Ndërkohë që deputetja e Partisë Demokratike, Fatbardha Kadiu, në një postim në Facebook shprehet se 1 miliard euro të PPP-ve janë paratë e drogës dhe të krimit që qeveria po i kthen në motorin e ekonomisë së vendit, ku pasojat sigurisht i mbajnë vetëm xhepat e çdo shqiptari. “Ministria e Financës nuk përfshin në listën e koncesioneve shumën prej 1 miliard euro, duke mos e përllogaritur atë në nivelin e borxhit të shtetit. Pavarësisht nëse MF i përllogarit ato apo jo, ato janë borxhe që do t’i paguajnë fëmijët tanë. 1 miliard euro të PPP-ve që janë paratë e drogës dhe të krimit, qeveria po i kthen në motorin e ekonomisë së vendit, ku pasojat sigurisht i mbajnë vetëm xhepat e çdo shqiptari”, shprehet Kadiu.