Koncesionet, 71 milionë euro në vit për klientët e Ramës

71 milionë euro është fatura që shqiptarët kanë paguar brenda një viti për koncesionet që Rama u ka dhënë grupit të klientëve pranë tij. Koncesionet janë i vetmi “investim” që Rama ka kryer në të katër vitet e qeverisjes së tij, jo në shërbim të interesit publik, por atij klientelist. Miliona euro i janë zhvatur buxhetit të shtetit me të cilat mund të alokoheshin fonde për ndërtim rrugësh, shkollash, kopshesh a çerdhesh, ndihmë ekonomike apo të tjera shërbime në ndihmë të qytetarëve kanë shkuar në xhepat e Ramës dhe njerëzve më të ngushtë të tij. Në qeverisjen e Ramës, forma e koncesioneve me partneritet publik privat u shndërrua në një rrezik real për arkën e shtetit, e cila duhet të paguajë një faturë të lartë kundrejt bizneseve që menaxhojnë këto koncesione, ndërsa nuk ka një analizë të saktë kosto-përfitime për të parë se sa përkthehen këto partneritete në shërbime eficente për qytetarët. Koncesionet u shndërruan në një pazar të pastër të qeverisjes Rama, ku miliona euro u jepeshin miqve të kryeministrit e më pas ndaheshin mes tyre. E nëse në vetëm një vit janë shpenzuar 71 milionë euro për koncesione, në të katërta vitet bashkë shuma që Rama u ka dhënë klientëve të tij përmes koncesioneve kap vlerën marramendëse të 520 milionë dollarëve. Vetëm Ministria e Shëndetësisë, kur drejtohej nga kampioni i koncesioneve Ilir Beqaj ka shpenzuar rreth 400 milionë euro, të shpërndara këto kryesisht tek ortakët e Ramës, Vilma Nushi, Pandeli Carapuli etj. Duke qenë se motivi kryesor dhe i vetëm i këtyre koncesioneve ka qenë vjedhja, deri sot asnjë koncesion nuk ka dhënë efekt në shërbim të qytetarëve, por ka dështuar në objektivin që ka pasur. Koncesioni i Vilma Nushit për kontrollin falas të shëndetësisë me vlerë 120 milionë euro është në hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, por kjo nuk e ndaloi Edi Ramën që t’i jepte sërish dhe 100 milionë euro të tjera, këtë herë për laboratorët. Nga viti 2015 Nushi rezulton se, vetëm me anë të dy koncesioneve të provuara në shëndetësi të ketë përfituar rreth 22 milionë euro, për një periudhë 10-vjeçare. Por jo vetëm kaq, nga koncesioni i fundit, fondeve të buxhetit do i bashkëngjiten dhe fitimet që do të marrë nga analizat që do të kryhen në laboratorët e dhuruar nga Edi Rama në të gjithë vendin. Deri më tani përllogariten se nga katër koncesionet e mëdha, chek up, ai i sterilizimit, hemodializa dhe së fundmi ky i laboratorëve kostoja të jetë diçka më shumë se 400 milionë euro. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku përmes një postimi në rrjetet sociale ka zbërthyer dëmin ekonomik që “Rilindja” shkakton çdo vit, nëpërmjet koncesioneve abuzive. Sipas saj, në katër vjet janë shpenzuar 524 milionë dollarë tek koncesionet abuzive që janë dhënë nga një qeverisje klienteliste. Të ardhurat e shqiptarëve janë më të ulëtat në rajon dhe barazohen me ato të vitit 2012, ndërsa pasuria personale e një klientele të vogël pranë qeverisë vetëm rritet abuzivisht. “Sa harxhon sot qeveria me koncesionet? Rilindja ka qenë një qeverisje e koncesioneve! Në katër vjet janë shpenzuar 524 milionë USD tek koncesionet abuzive që janë dhënë nga një qeverisje klienteliste. Të ardhurat e shqiptarëve janë më të ulëtat në rajon dhe barazohen me ato të vitit 2012, ndërsa pasuria personale e një klientele të vogël pranë qeverisë vetëm rritet abuzivisht. Vetëm gjatë vitit aktual koncesionarët përfitojnë 71 milionë USD, një vlerë që është 8 herë më shumë se sa ndihma ekonomike, një vlerë që mund të përfshinte madje edhe 80 mijë familje të tjera në nevojë që janë përjashtuar abuzivisht nga ky fond. Me këtë vlerë qeveria mund të kishte rritur me 3.5 herë më shumë fondin e kompensimit për të përndjekurit politikë vetëm për vitin 2017”, është shprehur Tabaku në reagimin e saj.

PD do zhbëjë të gjitha koncesionet abuzive

Në programin e saj qeverisës, Partia Demokratike parashikon zhbërjen e të gjithë koncesioneve abuzive dhe kthimin e të gjitha parave të zhvatura në investime dhe shërbime për qytetarët. Në reagimin e saj, Tabaku thekson se kushdo që ka abuzuar me koncesionet dhe i ka dhënë ato në mënyrë abuzive do të përballet me përgjegjësi penale. “Përballë këtij realiteti të trishtë dhe aspak premtues Partia Demokratike në programin e saj ofron zgjidhjen e kontratave abuzive koncesionare të dhëna klientelës pranë qeverisë rilindase. Mbajtjen e përgjegjësisë penale për ato që kanë abuzuar me dhënien e koncesioneve, uljen e taksave dhe ngritjen e një sistemi fiskal në ndihmë të personave në nevojë. Ne zotohemi që të gjitha kontratat koncesionare dhe partneritetet publike private do të jenë subjekt i garës së hapur dhe transparente. Kontratat koncesionare abuzive do të shfuqizohen dhe duke u zotuar që asnjë koncesion publik nuk do të jepet në kushte monopoli. Me paratë që do të rikthejmë nga koncesionet abuzive ne sigurojmë rikthimin në skemën e ndihmës ekonomike 40 mijë familje të përjashtuara. Ne do të kemi një qeveri të vogël, një model i djathtë me komponent ndaj shtresave në nevojë sepse ne duam të ndërtojmë një të ardhme më të mirë dhe të sigurt për fëmijët tanë”, thekson Tabaku në reagimin e saj.

Sheshet me pllaka kushtuan më shtrenjtë se rruga Tiranë-Elbasan

Qeveria shqiptare shpenzoi mbi 300 milionë dollarë për programin e Rilindjes Urbane për periudhën 2014-2016. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se për këtë vit buxheti do të paguajë edhe 90 milionë dollarë të tjera për këtë program, duke e çuar faturën totale të Rilindjes Urbane në 390 mln dollarë ose gati gjysmë miliardë dollarë amerikanë.
Shifra është më e lartë se sa autostrada Tiranë-Elbasan, vepra e dytë publike më e madhe e Shqipërisë, pas Rrugës së Kombit.
Sipas qeverisë, Rilindja Urbane ka financuar qindra projekte të vogla në të gjithë Shqipërinë duke krijuar punësim. Por disa ekspertë thonë se programi është shpërdorim i fondeve publike, të cilat mund të ishin përdorur për të financuar nevoja më emergjente të qytetarëve.
Zërat kundër projektit janë shtuar veçanërisht nga disa shpenzime, të cilat më vonë kanë rezultuar shpërdorim parash. Rasti më evident ishte mbjellja e palmave në qendrat urbane dhe akset rrugore, të cilat më vonë u thanë thuajse tërësisht.
Kryeministri Rama është kritikuar edhe nga qytetarë të thjeshtë në faqen e tij në Facebook, të cilët ngritën pikëpyetje se pse ai nuk mendonte për nevojën për investime në ujësjellësa, por qe përqendruar vetëm në ndërtime sheshesh dhe fasadash.
Qeveria është vënë vazhdimisht nën kritika për përdorimin e institucionit të njohur si Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve.
Kritikat për vetë ekzistencën e Komitetit janë të shumta pasi, megjithëse supozohet se bashkitë konkurrojnë për të përfituar fonde nga ky institucion, vendimmarrja në të është tërësisht jo transparente, ndërkohë që kontrolli i përket efektivisht vetë qeverisë, pasi Komiteti drejtohet nga kryeministri dhe në përbërje të tij janë në shumicë dërrmuese ministrat e kabinetit të tij.

8.1 miliardë euro rritje borxhi për shpenzime luksi e qeveritare

Qeveria e rilindjes e rriti borxhin publik në 8.1 miliardë euro. Këto para, vijon Tabaku, u përdorën për “shpenzime luksi në vlerën e 256 mln euro (zyra, makina, rikonstruksione etj.), koncesione 470 mln euro, tendera për oligarkët pranë qeverisë 130 mln euro; fasadat e shesheve të qyteteve 400 mln euro”. Ajo shprehet se programi ekonomik i PD, është ajo që i duhet vendit. “Qeveria e rilindjes e rriti borxhin publik në 8.1 mld euro. Secili prej nesh sot ka një borxh shtesë prej 870 eurosh për të shlyer. Në një vend normal kjo rritje e borxhit do të shoqërohej me investime në infrastrukturë, me ujësjellës etj., por jo në qeverinë rilindase. Si u përdorën 1.8 mld euro borxh i shtuar? Shpenzime luksi në vlerën e 256 mln euro (zyra, makina, rikonstruksione etj., koncesione 470 mln euro, tendera për oligarkët pranë qeverisë 130 mln euro; fasadat e shesheve të qyteteve 400 mln euro. Për katër vjet nuk pati asnjë shtesë page në sektorin publik, pensionistët nuk patën asnjë shtesë pensioni ndërsa mbi 4000 familje u përjashtuan nga listat e ndihmës sociale dhe mbi 45% e popullsisë jeton me nën 5$/ditë. Partia Demokratike do të anulojë të gjitha koncesionet abuzive që nuk janë në interesin e shqiptarëve, do të drejtojë shpenzimet e qeverisë në infrastrukturën e lënë në mjerim nga rilindja. Borxhi publik nuk do të financojë asnjë shpenzim tjetër veç investimeve publike që ekonomia shqiptare të rritet. Do të ulim taksat për bizneset në 9%, si dhe TVSH-në në 15% për t’i dhënë shtysën e duhur sektorit privat, fuqizimin e konkurrueshmërisë, rritjen e pjesëmarrjes në një treg më të zhvilluar që do të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, rrit investimet publike dhe ul borxhin publik. Do të rrisim pensionin për çdo qytetar duke e çuar atë në 250 mijë lekë për pensionistë, do të rishohim të gjitha politikat sociale të implementuara nga qeveria rilindase për t’i qëndruar sa më pranë qytetarëve në ndihmë dhe nevojë. Ekonomi tregu me komponent social. Kjo i duhet sot Shqipërisë”, shkruan Tabaku.

Artikulli paraprakMediu: 150 milion euro investim në bujqësi
Artikulli tjetërUlja e TVSH, 400 euro në vit për çdo familje