Koncesionet dhe korrupsioni

Mimoza HAJDARMATA

Ndërsa po shkruaja këtë fjalë, e vetmja pyetje që më vinte ndër mend ishte: Po pas Reformës në Drejtësi, cila do të jetë alibia e radhës së Edi Ramës dhe ekspertëve të propagandës së tij, për të mpirë trurin e publikut dhe për t’u krijuar pështjellim ndërkombëtarëve, që të mos e shohin realitetin e krizës së Rilindjes siç është në të vërtetë, por në një fokus tjetër?
Këto kohë alibia e do që të gjithë aktorët dhe ngjarjet të jenë në vendet dhe kohën e duhur dhe Rama skenarin apo më mirë telajon e këtij skenari, zgjodhi ta pikturojë në terrenin e gjykatave e prokurorëve. Nuk e di sesa mbarë do t’i dalë kjo rrugë pa krye, por e sigurt është një fakt edhe më i trishtueshëm- shqiptarët janë viktimat e llogores së parë të çdo reforme alla Rilindje, sepse Rama nuk mendon as për Shqipërinë e as për shqiptarët e aq më pak për drejtësinë, të cilën prej tri vitesh e ka kthyer në noteren e presioneve dhe kërcënimeve të veta.
Megjithatë unë kam shpresë dhe shpresa ime sikurse dhe e qindra mijëra shqiptarëve që jetojnë në kufijtë e urisë, është që, ditët e këtij Kryeministri dhe kësaj qeverie të jenë të numëruara, për t’i hapur rrugë një ekzekutivi që do garantojë zgjedhje me të vërtetë demokratike, të lira, të pablera e të pashitura, të drejta dhe të pranuara ndërkombëtarisht.
Projektligji “Për programet sociale të strehimit”, i ndryshuar ka një titull të bukur, por në vetvete nuk ka asnjë lidhje me ndonjë risi sociale e aq më tepër me strehimin siç mund të presin qytetarët e këtij vendi të barbarizuar nga çdo aspekt social dhe ekonomik, thjesht plotëson një të drejtë të pamohueshme siç është kalimi i pronësisë mbi truallin dhe objektet e poseduara si prona të qytetarëve, që i kanë përfituar si rezultat i humbjes apo shpronësimit shkaktuar nga ndërtimi i Ujësjellësit të Bovillës.
Shqiptarët po jetojnë një realitet të ndryshëm nga ai virtual i FB të Kryeministrit, i konferencave dhe seminareve me performancë dixhitale, ku sliderat e shifrave dhe treguesve ekonomikë manipulojnë, por nuk mbrojnë dot Ramën nga terrori mbi biznesin dhe tregun nga njëra anë dhe zinë e urisë mbi familjet shqiptare që ka mbërthyer vendin në anën tjetër.
Është ky realiteti që nuk mund të tjetërsohet me fotot dhe videot, në instagramet e drejtorëve dhe krerëve të lartë të administratës publike, të kësaj administrate të inkriminuar e të paaftë, e cila është sot nën një akuzë të rëndë përsa i përket dekriminalizimit me formularë të paplotësuar apo me të dhëna të dyshimta për jetën dhe karrierën e tyre.
Realiteti që jetojmë nën thundrën e pushtetit të Rilindjes në fakt është rilindja e çdo të keqeje dhe vesi të shoqërisë, sepse është varfëria nëna e çdo devijance dhe mungesë shprese, që ju po luani çdo gur e çdo skenar për ta spostuar vëmendjen prej këtij realiteti të trishtë drejt Reformës në Drejtësi.
Po për cilën reformë bën avokatinë e djallit ky Kryeministër, i cili është modeli i antiligjshmërisë, modeli i abuzimit me pushtetin dhe deformimit të shtetit në çdo aks të tij?
….Sa për parantezë, edhe pse duket si e keqja më e vogël, nën gjithë këto hata të mëdha që ndodhin çdo ditë në Shqipëri, mbetet akuzë e rëndë dhe fotoja e sponsorizuar me para të dyshimta ajo e Ramës me Presidentin amerikan!!!
Vazhdon Rama dhe bën avokaturën e djallit kur ministri i Rendit dhe sigurisë ka mbi dy javë që hesht si në kortezhe mbi skandalin e rëndë, por të radhës, atë të grabitjes së parave të shqiptarëve në aeroportin “Nënë Tereza” në mes të ditës, në mes të të huajve dhe mbi të gjitha në sy e faqe të policisë.
Ky është dhe trendi i fundit i destabilizimit dhe krizës së qeverisjes Rama, që me orientimin dhe udhëzimin e drejtpërdrejtë të tij se nuk ka si të jetë ndryshe, kanë filluar aksionet e përqendruara të grabitjes së bankave, me çdo mjet, me çdo kusht, në ajër, tokë dhe det.
Pra, zoti Rama, alibia e Reformës në Drejtësi për krizën që t’i prodhon çdo ditë për këtë vend, është alibia më e pazakontë, më e pabesueshme dhe më e rëndomtë e një pushteti mafiesh, sepse vetë kriminelët dhe grabitësit e parave publike janë strehuar në shtëpinë tuaj të madhe, jo me 40 hajdutë, por me të paktën 14 mijë të tillë në tatime, dogana, porte e aeroport që mbrojnë e kontrollojnë trafiqet dhe kanë ngritur në sistem shtetëror korrupsionin.
Vetëm vitin që shkoi, abuzimi me taksat kapi shifrën mesatare të 300-400 milionë eurove, ndërsa këtë vit tatimet kanë kapur pikiatën e mbi afro 30% të uljes së të ardhurave.
Arsimi dhe shëndetësia si dy sektorë strategjikë socialë janë në pikën e vet më të errët, sepse korrupsioni dhe mësymja për të grabitur çdo qindarkë të shqiptarëve, kanë krijuar hone të mëdha korrupsioni.
Koncesionet në shëndetësi, si dosje të mbyllura vetëm në letra diagnozash, i kanë rrëmbyer buxhetit të shtetit 350 milionë euro, kur shqiptarët në jug e veri kryejnë dializat me kursimet e veta, kur shqiptarët nuk marrin as shërbimin më minimal, ndërkohë që paguajnë shuma të konsiderueshme për sigurimet shëndetësore, kur fëmijët e vegjël nuk kurohen e madje humbin dhe jetën sepse paratë e prindërve dhe të afërmve të tyre shkojnë për luksin dhe mirëqenien e qeveritarëve.
Çdo vit, akomodim zyrash, bileta e udhëtime jashtë Shqipërisë shkojnë relativisht 100 milionë euro dhe spitalet e shkollat lëngojnë nga mungesa e investimeve.
Sigurisht nuk flas për kopshtet dhe çerdhet që lyhen e rregullohen çdo javë nga Bashkia e Tiranës, sepse ajo është paketa e propagandës televizive të Erion Velisë, por unë këtu ngre zërin për Tropojën, Kukësin, Vlorën apo Gjirokastrën e harruar, por që e zgjojnë nga përhumbja e varfërisë, për çdo fushatë elektorale.
Pra, kjo qeveri prej mëse tri vitesh ka vetëm një program, ka vetëm një axhendë-grabitje masive me çdo kusht, me ligj dhe pa ligj të të ardhurave nga taksat e shqiptarëve, si forma e abuzim pa limit me buxhetin.
Kjo është qeveria që nuk ka patur dhe nuk do të ketë as edhe një orë të vetme të funksionimit të saj, reformën, rritjen ekonomike, rritjen e pagave dhe pensioneve, rritjen e punësimit, zhvillimin e infrastrukturës!
Jo të nderuar kolegë, sepse periudha e artë për shqiptarët ishin vetëm 8 vitet e qeverisjes dhe programit të PD-së, programit të vërtetë social dhe ekonomik për Shqipërinë dhe për shqiptarët.
Ndërsa ju, në këto tri vite, funksiononi vetëm me një strategji qeverisëse, me një plan veprimi të menduar, të zbatuar me përpikmëri, vetëm tenderat, koncesionet nën formulimin “mbresëlënës” Partneriteti Publik&Privat.
S’ka se si të diskutojë kjo qeveri për programe reale sociale në një kohë kur viti që kaloi dhe ky që po jetojmë ishte viti i vetëvrasjeve nga depresioni, nga kriza, nga papunësia e burrave dhe grave, nënave të reja shqiptare.
S’ka se si të diskutojë kjo qeveri për programe reale sociale, kur vetë INSTAT dhe Ministria e Punës ka pranuar që afro 400 mijë shqiptarë burra, gra, fëmijë e të moshuar, mbijetojnë në sfidë me sigurimin e vakteve normale të ushqimit, në sfidë me gjetjen e një vendi pune për të përballuar bukën e përditshme.
Realiteti që jetojmë nuk është kurrsesi një normalitet social apo një normalitet ekonomik e aq më pak optimist, por është realiteti i dëshpërimit dhe i një pikëllimi të thellë për çdo moshë që po jeton marrëzinë e kësaj qeverie.
Edhe pak ditë kanë mbetur nga mbyllja e një sesioni të vështirë e plot konflikte këtu në Parlament.
Për mua si deputete e re, është një përvojë që dëshpëron, por edhe më inkurajon fort në rrugën e një opozitarizmi me kauza kombëtare, me kauza sociale që kanë në fokus ringritjen e Shqipërisë, kthimin e shpresës tek shqiptarët, që vendi nuk duhet lënë, por duhet jetuar me mrekullitë që Zoti i ka falur kësaj toke.
Paketa e shpëtimit të Shqipërisë është paketa e reformave që PD i ka fokusuar tek lehtësimi i taksave dhe fuqizimi i biznesit, taksa e sheshtë 9%, ulja e TVSH-së në 15%, kontributi shoqëror 18%, e plot lehtësi të tjera dhe plane konkrete për të eliminuar korrupsionin shtetëror.
Ne bashkë me shqiptarët do t’ia dalim, ndërsa ju do të përfundoni në kurthin më të madh që ia keni ngritur vetes.

Artikulli paraprakKush e vrau Bashkimin Europian?
Artikulli tjetërFundi i një pokeristi