Janë të vetmet koncesione suksesi dhe përkojnë me kohën e qeverisë së PD. Për këto koncesione që i janë dhënë privatit shteti nuk ka marrë asnjë qindrakë nga paratë e taksapguesve. Eshtë e kundërta e koncesioneve të Ramës që i rrjep shqiptarët me një gjobë që në totalin arrin në 2.3 miliardë euro.
Përhapja me shpejtësi e HEC-eve të vogla në të gjithë vendin, përveçse ka përkeqësuar gjendjen mjedisore aty ku janë ndërtuar, ka ndikuar në rritjen e prodhimit të energjisë në vend.
Shifrat tregojnë se për herë të parë në tremujorin e dytë të vitit 2019, HEC-et private dhe ato me koncesion kanë prodhuar 62% të energjisë në vend, sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT.
Ekspertët e prodhimit të energjisë dhanë disa arsye rreth këtij ndryshimi në tregun e prodhimit të energjisë. Së pari është rritur ndjeshëm numri i HEC-eve private që janë futur në ciklin e prodhimit në rreth 150, nga të cilat 11 njësi prodhuese nisën punën në vitin 2018.
Por arsyeja themelore se pse HEC-et vogla dominuan prodhimin lidhet me politikat e kompanive publike për të administruar rezervën hidrike në kasakadën e Drinit. Në tremujorin e dytë të vitit, prodhimi i energjisë elektrike në total pësoi rënie vjetore me 2.2 herë si pasojë e mungesës së reshjeve. Për të administruar rezervën hidrike, KESH ka frenuar prodhimin gjatë kësaj periudhe, praktikë kjo që nuk mund të ndiqet nga HEC-et private pasi shumica e tyre e kanë të bazuar prodhimin jo në basen, por me rrjedhje të lirë.
Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë ka rënë me rreth 2,1 herë, duke arritur vlerën 1.280 GWh nga 2.707 GWh energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2018. Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 37,8%, nga hidrocentralet private dhe koncesionare në masën 61,7% dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0,5% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.
Hidrocentralet publike, në tremujorin e dytë të vitit 2019, prodhuan 484 GËh nga 1.795 GËh të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2018, duke shënuar një rënie të prodhimit me rreth 3,7 herë. Ndërsa, hidrocentralet private dhe koncesionare, prodhuan 790 GWh nga 912 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar rënie të prodhimit të energjisë elektrike me 13,4%.
Ndërsa gjatë vitit të kaluar, HEC-et private prodhuan 31% të totalit të energjisë në vend. Prodhimi i përgjithshëm neto për vitin 2018 nga gjeneruesit privatë/koncesion ishte rreth 2,701,220 MWh ose rreth 31.6% e prodhimit të përgjithshëm vendas prej 8,552,152 MËh të 2018. Gjatë vitit 2018 kanë hyrë në prodhim gjithsej 11 centrale me fuqi të instaluar prej 38.3 MW.