Konçesionet e partisë helmojnë 60 nxënës në shkollën e Shupenzës

Mbi 60 nxënës të shkollës së mesme “Rifat Manjani” në Shupenzë të Dibrës u asfiksuan nga rrjedhja e gazit. Bëhet e ditur se, rreth orës 10:40 të ditës së djeshme nxënësit shfaqën probleme shëndetësore, pasi vënia në punë e kaldajës së re dhe bllokimi i oxhaqeve mbushën klasat me tym dhe gazra. 34 nxënës u dërguan në Spitalin e Peshkopisë, 27 në Spitalin e Bulqizës, ndërsa një nxënëse 16-vjeçare dhe një mësues i kësaj shkolle janë transportuar me helikopter në Tiranë. Bëhet e ditur se 10 prej nxënësve paraqiten në gjendje më të rëndë. Rreth 50 nxënës të tjerë me probleme më të lehta morën ndihmën mjekësore në spitale dhe qendrat shëndetësore dhe janë rikthyer në shtëpi.
Një mjek në Spitalin e Bulqizës tha se, nxënësit janë helmuar nga dioksidi i karbonit, nga lëndët drusore peletat. “Janë paraqitur 25 nxënës shkolle këtu në Bulqizë, pjesën tjetër si pasojë e mungesës së kapaciteteve e nisëm drejt Peshkopisë. Dyshohet se janë helmuar nga dioksidi i karbonit, nga lëndët drusore peletat”, tha mjeku Shahin Kaja.
Ekspertët, të cilët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje thanë se, gjithçka ka ardhur si pasojë e montimit gabim të sistemit ngrohës me pelet gjatë rikonstruksionit të shkollës. I nxitur nga moti i ftohtë, përgjegjësi i kaldajës e ka ndezur atë mëngjesin e së premtes, pa e testuar më parë. Tymi dhe gazi i dioksidit të karbonit i prodhuar është kthyer mbrapsht, duke helmuar nxënësit e klasave të katit të parë. Krahas ekspertëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale ka dërguar për ndihmë të specializuar edhe dy mjekë, një toksikolog dhe anestezist. Policia e Dibrës tha se nisi një hetim për shkaqet e ngjarjes, proces në të cilit u angazhuan edhe zyrtarët lokale. “Janë ndezuar kaldajat me lëndë drusore për ngrohjen e ambjentit, dhe në momentin e ndezjes oxhaku i shkollës ka qenë i bllokuar dhe për pasojë tymi është shpërndarë në ambjentet e brendshme të shkollës, duke shkaktuar ndotje të ambjentit”, informoi Policia e Dibrës.
Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Melaim Damzi, tha se merr të gjitha përgjegjësitë për helmimin e 60 nxënësve në shkollë. “Mbaj të gjitha përgjegjësitë sipër. Situata u vu nën kontroll menjëherë. Ngritëm emergjencat civile të bashkisë. Si prind, si mjek kam qenë pranë spitalit për të dhënë ndihmën e parë”, tha Damzi.

Nxënësit: Ishim në mësim kur filluam të mos ndiheshim mirë

“Ishim në mësim kur filluam të mos ndiheshim mirë. Më mirreshin mendtë dhe më vinte për të vjellë. Disa nxënës ranë pa ndjenja. Erdhën prindërit dhe na morën”, shprehet një nga nxënësit që pësoi helmim. Nxënësit u shprehën se gjatë kohës që ishin në mësim, teknikët po bënin prova për të vënë në punë kaldajën e re të ngrohjes. Në ato momente dyshohet se, diçka nuk ka funksionuar siç duhet dhe nga kaldaja është çliruar tym ose gaz, detaje këto që natyrisht do t’i zbardhë hetimi. Ndezja për herë të parë e sistemit ngrohës me pelet në shkollën e mesme të Shupenzës në Bulqizë, për pak ka rezultuar fatale për 120 nxënësit e saj.

Gjunkshi: Konçesionet klienteliste të partisë rrezikuan jetën e 60 nxënësve

Deputeti i PD për Dibrën, Xhemal Gjunkshi, në një reagim për helmimin e nxënësve në Shupenzë tha se, konçesionet klienteliste të partisë për pak sa nuk u kanë marrë jetën mbi 60 nxënësve. “Është për të ardhur keq, se nga babëzia për të fituar sa më shumë kanë kontraktuar kompani të pa specializuara dhe kanë ndezur kaldajën pa e testuar më parë atë pa nxënës”, deklaroi deputeti Gjunkshi.
“Konçesionet klienteliste të partisë për pak sa nuk u kanë marrë jetën mbi 60 nxënësve të gjimnazit ‘Rifat Manjani’ të Shupenzës. Është për të ardhur keq se nga babëzia për të fituar sa më shumë kanë kontraktuar kompani të pa specializuara dhe kanë ndezur kaldajën pa e testuar më parë atë pa nxënës.
Neglizhenca e tyre për pak sa nuk ka shkaktuar tragjedi, por fatmirësisht situata është normalizuar. Në Spitalin e Bulqizës janë 36 nxënës, ndërsa një është transportuar drejt Tiranës por jashtë rrezikut për jetën. Në Spitalin e Peshkopisë janë 24 nxënës tre në gjendje më të rënduar, por jashtë rrezikut për jetën. Partia Demokratike dhe unë personalisht i kërkojmë Policisë së Shtetit zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë të personave përgjegjës. Nxënësve dhe familjarëve ju urojmë shërim të shpejtë”, u shpreh Gjunkshi.

Rexhep POLISI

Artikulli paraprakPikëpyetjet e largimit të Tahirit në Gjermani
Artikulli tjetërShqiptari kapet në Itali me 700 mijë euro drogë në makinë